E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha njofton fillimin brenda këtij viti të procedurave për ndërtimin e unazës së madhe të Tiranës

Ndërtimi i akseve si aksi i jugut, i rrugës së Arbrit e bëjnë këtë unazën shumë të domosdoshme.

Ndërtimin i kësaj vepre ka një rëndësi shumë të madhe gjithashtu për Tiranën, si një nga qytetet me sipërfaqen rrugore më të vogël në Europë dhe në botë.

Ky projekt madhor infrastrukturor do të realizohet në bashkëpunim me të gjitha qeveritë vendore.

Kryeministri Berisha njoftoi sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se qeveria do të nisë procedurat për ndërtimin e unazës së madhe të Tiranës. Për realizimin e kësaj vepre, Kryeministri Berisha kërkoi nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit që “brenda këtij viti të përgatitet tenderi ndërkombëtar për dhënien me koncesion të ndërtimit të unazës së Tiranës.”

Kryeministri Berisha e konsideroi këtë një projekt madhor dhe të domosdoshëm për infrastrukturën jo vetëm të Tiranës, por edhe të vendit, si një nyje e rëndësishme mes disa ndër akset kryesore kombëtare.

“Ndërtimi i kësaj unaze, - tha Kryeministri - përbën një domosdoshmëri të madhe. Gjatë këtyre muajve, kompani ndër më seriozet kanë treguar interes të madh për të marrë pjesë në ndërtimin e saj. Krahu veriperëndimor dhe perëndimor i saj është jetik edhe për faktin se në dy vitet e ardhshme parashikohet të përfundojë rruga e Arbrit, e cila do të sjellë një trafik të paparashikueshëm, ashtu siç ndodhi me trafikun me ndërtimin e korridorit të kombit. Edhe kjo rrugë do të sjellë një trafik të paparashikueshëm, që kësaj radhe bie direkt në Tiranë, tek shkalla e Tujanit, ura e Brarit.”

Ndërtimin i kësaj vepre, tha Kryeministri, ka një rëndësi shumë të madhe gjithashtu për Tiranën, si një nga qytetet me sipërfaqen rrugore më të vogël në Europë dhe në botë. “Në qoftë se standardi urbanistik është mbi 30 përqind sipërfaqe rrugore për qytetin, kryeqyteti i vendit ka gjithsej 14 përqind sipërfaqe rrugore. Çka shprehet me vështirësi të jashtëzakonshme në rritje në trafik, shprehet me një prej ndotjeve më të larta nga automjetet, sepse Tirana nuk ka industritë e mëparshme që ta ndotin,” u shpreh Kryeministri.  

Kryeministri tha se në ndërtimin e unazës, me gjatësi mbi 30kilometra dhe e parashikuar me 8 korsi, me përparësi do të shihen dy segmentet më të rëndësishme të saj, me ndikim shumë të madh në trafik.

“Unaza, - tha Kryeministri - mund të shkojë mbi 30 kilometra dhe po të kemi parasysh se do të jetë me 8 korsi është një vepër shumë e madhe, por dy janë segmentet nevralgjike, në të cilat punimet duhet të fillojnë më së pari. Segmenti ura e Brarit-Kthesa e Kamzës ose ura e Limuthit, unë mendoj se mund të shkohet tek ura e Limuthit, në mënyrë që qyteti i Kamzës të shmangë përfundimisht çdo trafik kombëtar dhe ndërkombëtar dhe krahu tjetër Sauk. Do të studiohet trajektorja, sepse aty ku ka qenë, ajo nuk kalon dot më, pasi janë me ndërtuar me dhjetëra pallate. Segmenti tek shkolla Teknologjike është e vështirë të pranohet për unazë, pasi ky segment është bërë zemër e Tiranës. Ndaj duhet të studiohet me shpejtësi trajektorja dhe mund të zbritet edhe më poshtë, më drejt jugperëndimit. Faktikisht, një pjesë e trajektores, në një zone të Farkës, është bërë e pamundur.”

Kryeministri Berisha theksoi se ky projekt madhor infrastrukturor do të realizohet në bashkëpunim me të gjitha qeveritë vendore, me atë të Farkës, të Dajtit, Paskuqanit, Kamzës, me qeverinë vendore të Tiranës, aty ku segmenti kalon në territorin e bashkisë së Tiranës.

Duke nënvizuar se ky projekt kap vlera shumë të mëdha, Kryeministri tha se qeveria do të marrë përsipër riskun e trafikut.

“Ne do t’i qëndrojmë kompanisë që e ndërton me zhdëmtim, në rast se trafiku i parashikuar dhe i përllogaritur nuk do t’i plotësohet. Ky përbën një kusht të favorshëm për angazhimin me koncesion të kompanive të mëdha në këtë vepër të madhe dhe shumë të rëndësishme për qytetin e Tiranës dhe mbarë vendin.”

Në mbyllje, Kryeministri Berisha kërkoi masa të shpejta për përgatitjen e tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e unazës së Tiranës, pasi, siç theksoi ai,  ndërtimi i akseve si aksi i jugut, i rrugës së Arbrit e bëjnë këtë unazën shumë të domosdoshme.


14/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›