Kryeministri Berisha njofton në një konferencë për shtyp dërgimin e 85 trupave shtesë në Afganistan
Presidenti Barack Obama, me një fjalim që iu drejtua kombit të tij dhe mbarë botës, njoftoi se Presidenti ka vendosur të dërgojë në Afganistan 30 mijë trupa shtesë, si një domosdoshmëri për paqen, stabilitetin, zhvillimin demokratik të Afganistanit, si një kusht në mënyrë që misioni i madh i NATO-s të mund të finalizohet në kohën më të shpejtë të mundshme dhe autoritetet afgane të marrin plotësisht në dorë paqen, stabilitetin, sigurinë e vendit të tyre, e një rëndësie jetike jo vetëm për Afganistanin, por edhe për paqen e sigurinë botërore. Presidenti Obama u shpreh qartë se një nga qëllimet kryesore, në mos më kryesori, i politikës së tij dhe NATO-s në Afganistan, është konsolidimi sa më i shpejtë i ushtrisë dhe forcave të sigurisë së këtij vendi të madh mik e për rrjedhojë, përfundimi, në kohën e parë të mundshme, të misionit. Theksi vihet në aspektin, gjithashtu me përparësi, në një stërvitje intensive, ekipim modern të forcave të sigurisë së Afganistanit dhe dora-dorës lënia në dorë të tyre e problemeve të sigurisë së këtij vendi.
Duke përshëndetur këtë vendim të Shtëpisë së Bardhë dhe Presidentit Obama, qeveria shqiptare, si vend anëtar i NATO-s, mik e aleat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe mik i kombit afgan dhe Afganistanit, vendos t’i përgjigjet kësaj nisme të re të Presidentit Obama me një shtim të ri të forcave tona në Afganistan, duke dërguar, përveç dy kompanive që veprojnë në Herat, edhe 85 trupa shtesë. Nga këto, rreth 35 do të jenë trupa luftimi, sigurisht, e vetëkuptueshme që ne do të ndajmë rrezikun me aleatët tanë, 25 do të jenë oficerë për stërvitjen e ushtrisë afgane dhe 20 të tjerë do të jenë ekip mjekësor, mjek e infermierë. Me këtë kontingjent, mendoj se Shqipëria jep kontributin edhe mbi proporcionin e saj në këtë çështje të madhe të paqes botërore, siç është paqja, stabiliteti dhe siguria e Afganistanit. Faleminderit.
Në vazhdën e deklaratës suaj, zoti Kryeministër keni pasur një takim me ambasadorin amerikan në Tiranë Withers. Mund të na thoni diçka rreth këtij takimi?
Kryeministri Berisha: Absolutisht çështja për të cilën unë ju informova ka lidhje me fjalët e Presidentit Barack Obama, në një bisedë telefonike që unë kam pasur pardje dhe një kërkesë që më ka paraqitur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Rasmussen. Ambasadorin amerikan pata kënaqësi ta informoj për këtë vendim, të cilin unë e mora pasi u konsultova me autoritetet përgjegjëse, Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm.
Zoti Fried ju ka kërkuar sot të merrni burgosur nga burgu i Guantanamos?
Kryeministri Berisha: Ju e dini se në takimin që unë kam pasur në janar me Sekretaren e Shtetit Clinton, unë kam shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për t’iu përgjigjur pozitivisht një kërkese të qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të marrë të tjerë ish të burgosur nga burgu i Guantanamos. Qëndrimi im bazohet tërësisht në një çështje të drejtash të njeriut. Ju e dini se kam qenë në opozitë dhe më vonë kryeministër kur kërkuar mbylljen e atij burgu, i bindur se ai u bë simbol i saj që Shtetet e Bashkuara nuk janë. Natyrisht, kam deklaruar se nuk mund të jenë ujgurë, sepse, për arsye tashmë të njohura, unë jam transparent, i hapur, marrëdhëniet me Kinën kanë për Shqipërinë një rëndësi të veçantë. Kina është një vend mik, ndaj dhe nuk mund të komplikohet. U qartësua çdo gjë në rastin e parë dhe ajo nuk do të ndodhte në rastin e dytë. E thashë është një çështje e të drejtave të njeriut, por është edhe një çështje tjetër se, kur një vend mik dhe një mik i madh, siç janë Shtetet e Bashkuara, ka një problem ligjor të brendshëm për dërgimin e tyre në territor, natyrisht, është në detyrimin moral të një vendi tjetër mik kontribuojë në zgjidhjen e tij. Në këtë kontest, janë një seri vendesh që po kontribuojnë. Shqipëria nuk mund të mos kontribuojë.
02/12/2009