Kryeministri Berisha përuron rikonstrustruksionin e shkollës “Demokracia” dhe ndërtimin e kopshtit të ri në Stropckë, Pogradec.

- Ky 8 dhjetor na gjen ne buzë realizmit të ëndrrës së dytë të madhe, ëndrrës evropiane sepse në 16 nëntor, qeveritë e vendeve anëtare të BE votuan për të nisur procesin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE . Me gjithë hallet dhe dertet e ditës që përballemi, kemi 1001 arsye të falënderojmë njëri-tjetrin për kontributin që kemi dhënë, në këtë rrugë e cila është një rrugë dinjiteti, rrugë nderi, integrimi, të ardhmeje dhe prosperiteti.
Gjatë vizitës së tij në Pogradec, Kryeministri Berisha mori pjesë në Inaugurimin e rikonstruksionit të shkollës 9 vjeçare “Demokracia” dhe ndërtimit të kopshtit të ri në fshatin Stropckë. Ky investim modern dhe bashkëkohor, sipas të gjitha standardeve evropiane, me vlerë 13 milion lekë, është një premtim i mbajtur i Kryeministrit Berisha për banorët e kësaj zone.
Kryeministri garantoi se investime të tjera edhe më të fuqishme do të bëhen realitet në këtë fshat dhe fshatra të tjerë të Pogradecit dhe mbarë Shqipërisë, në vitet që vijnë.
Në përshëndetjen e rastit kryeministri u shpreh:
“Së pari, ju përshëndes vëllazërisht dhe ju uroj sot gëzuar ditën e sakrificës sublime të njeriut për të mirën, ditën e Bajramit, këtë ditë të shenjte, e cila frymëzon çdo njeri për të sakrifikuar për një të ardhme me të mirë, për besimin tek Zoti, besimin tek vetja dhe tek familja e tij.
Unë kam kënaqësinë e veçantë që, në këtë ditë të bekuar, të ndaj me ju gëzimin e këtij inaugurimi, rindërtimin e shkollës dhe ndërtimin e kopshtit të ri që i jep fëmijëve të Stropckës një ndërtesë moderne të standardeve evropiane, të pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme.
Shkolla që sapo inauguruam me vendim të Këshillit të Komunës është quajtur shkolla “Demokracia”. Nuk ka emër më të bukur, më kuptimplotë, për të nderuar, së pari, veprën dhe sakrificën tuaj, kontributin e gjithsecilit prej jush gjatë këtyre 18 viteve në ndërtimin e një sistemi demokratik në Stropckë, Pogradec dhe mbarë Shqipërinë. Sistemi demokratik nuk është një sistem parajsë, nuk është as edhe një bulevard me lule,por është larg sa nata me ditën me diktaturën. Në rast se diktatura, te cilën ne që e përjetuam e krahasojmë me një shkretëtirë të vërtetë shpirti dhe humbjeje materiale dhe njerëzore, demokracia është sistemi i vlerave më të arrira të njeriut, demokracia është sistemi vlerës së familjes, e cila përbën themelin e çdo shoqërie të qytetëruar, përbën themelin e formimit të çdo qytetari dhe individi të qytetëruar, përbën vatrën e universiteteve të njeriut, përbën djepin e dashurisë dhe solidaritetit të madhe, ndaj dhe ju, të dashur fëmijë, duhet ta dini se edhe shkollën e keni dhuratë nga familjet tuaja, e keni dhuratën më të bukur që ata ju bëjnë juve sot. Kështu që duhet që prindërit tuaj në shtëpi dhe prindërit tuaj të dytë në shkollë t’i dëgjoni, t’i respektoni dhe të mësoni sa më shumë prej tyre. Kjo është rruga më e sigurt për të patur të ardhmen më të shkëlqyer që meritoni.
Ne inaugurojmë shkollën “Demokracia” në Stropckë në prag të 8 dhjetorit, ditës së bardhë, ditës së madhe, ditë, e cila çeli për ne, shqiptarët, dyert e mbyllura të lirisë dhe dinjitetit, ditë, e cila çeli për çdo shqiptar dyert mbyllura të Evropës dhe Perëndimit. 8 dhjetori çeli për ne të gjithë, së bashku, ditet e mbyllura të besimeve fetare, 8 dhjetori solli besimet , solli Muhametin, solli Krishtin, solli besimin e një shoqërie të bazuar mbi vlera.
Në përpjekjen tonë, pas 18 viteve, ia dolëm të mblidhemi në këtë shesh si vend anëtar i NATO-s dhe kjo përbën arritjen më të madhe për sigurinë e këtij vendi dhe të këtij kombi në të gjitha kohërat.
Ne do të festojmë 8 dhjetorin si një vend që ka zhvilluar zgjedhje te lira e të ndershme dhe kjo është arritje historike. Ne, që shembën murin e Berlinit, që shembën diktaturën më të egër në Evropë, iu rikthyem shqiptarëve votën, institucionin e liri të saj, si zemrën e demokracisë shqiptare.
8 dhjetori na gjen ne si një vend me besimin më të lartë në historinë tonë nga partnerët tanë evropiane dhe perëndimorë. Pikërisht, ky besim bëri që ata të vendosin për të hequr vizat shumë shpejt, ashtu siç premtuam ne, brenda vitit të parë të mandatit të dytë. Unë ju garantoj se vendimi nuk do të pengohet nga asnjë përpjekje çnjerëzore dhe ju do të gëzoni të drejtën e lëvizjes së lirë në mbarë Evropën, çka do të thotë një mundësi shumë e madhe për t’u takuar shumë më shpejt me djemtë, vajzat, nënat, baballarët, motrat, të cilat kanë emigruar për arsye punë; do të thotë që fëmijët tuaj të mund të shkollohen në të gjitha universitete e Evropës; do të thotë që ju të udhëtoni në mbarë Evropën, të gjeni punë të përkohshme, e të ktheheni të lirë dhe pa asnjë pengesë në shtëpitë tuaja; do të thotë që Shqipëria të marrë vlerësimin e përpjekjeve të mëdha që ka bërë për sigurinë e qytetarëve të saj, punës dhe veprimtarisë së tyre.
Por ky 8 dhjetor na gjen ne buzë realizmit të ëndrrës së dytë të madhe, ëndrrës europiane, sepse në 16 nëntor qeveritë e vendeve anëtare të BE votuan për të nisur procesin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE. Me gjithë hallet dhe dertet e ditës që përballemi kemi 1001 arsye të falënderojmë njëri-tjetrin për kontributin që kemi dhënë në këtë rrugë, e cila është një rrugë dinjiteti, rrugë nderi, integrimi, të ardhmeje dhe prosperiteti.
Pikërisht, në këto kohëra integrimesh të mëdha dalin zëra që thërrasin se nuk na duhen të huajt, nuk na duhen ndërkombëtarët, do të qeverisim vetë. E vërteta është krejt e kundërta. Ne na duhen të huajt dhe na duhen shumë. Vetëm në Greqi kemi 1 milion shqiptarë dhe nuk kanë shkuar atje për turizëm, por kanë shkuar për të garantuar jetën e tyre me mire dhe për të ndihmuar familjet e tyre në Shqipëri. Mbi 1 milion të tjerë janë në vende të tjera. Të mendosh ne nuk na duhen të huajt, sigurisht po të mos kesh familje dhe po të kesh kompleksin, frikën dhe tmerrin e familjes këtë deklaratë e bën lehtësisht, por po t’i besosh familjes dhe vlerave të saj, një deklaratë të tillë nuk mund ta bësh kurrë, sepse janë qindra dhe mijëra familje shqiptare që mezi presin heqjen e vizave për t’u përqafuar dhe çmallur sa herë të duan me të afërmit dhe të dashurit e zemrës së tyre, në Greqi Itali, Gjermani dhe kudo, ku ata ndodhen. Të deklarosh në këto kohëra se nuk na duhen ndërkombëtarët, natyrisht nuk bën gjë tjetër vetëm deklaron të kundërtën e asaj që kërkojnë 95 % e shqiptarëve, të cilët e deklarojnë integrimin e vendit në Evropë si ëndrrën e tyre më të bukur.
Ne, shqiptarëve, na duhen të huajt, na duhet BE dhe ne do të bëjmë çdo përpjekje për t’u integruar. Ne jemi banorët më të vjetër të këtij kontinenti dhe do vendosemi me mundin, djersën dhe dinjitetin tonë në zemër të tij, aty ku kemi lindur.
Pra, “nuk na duhen të huajt, nuk na duhen ndërkombëtaret” nuk është motoja apo lajtmotivi i ndonjë shqiptari të vërtetë. “Nuk na duhen të huajt, nuk na duhen ndërkombëtarët” është motoja e aleancës punisto –mafioze, e cila nuk ka asnjë interes familjar, asnjë interes shoqëror, asnjë interes qytetar, përveç pasurimit marramendës kriminal të saj. Integrimi është e ardhmja, mafia është e shkuara. Ne do të ecim të sigurt drejt Evropës.
29/11/2009