Kryeministri Berisha takon një përfaqësi të Parlamentit Rinor Evropian
Kryeministri Berisha takoi një përfaqësi të Parlamentit Rinor Evropian, të cilët ndodhen në Shqipëri në kuadër të Forumit të Parlamentit Rinor Evropian, për zhvillimin e të cilit këtë vit u zgjodh Shqipëria.
Në këtë takim merrnin pjesë të rinj nga Polonia, Anglia, Holanda dhe Shqipëria.
Kryeministri Berisha i përgëzoi përfaqësuesit e Parlamentit Rinor Evropian për këtë eveniment kaq të rëndësishëm, i cili shërben për një shkëmbim të frytshëm idesh dhe eksperiencash mes të rinjve nga e gjithë Evropa, për formimin dhe konsolidimin e një syri kritik mbi shoqërinë dhe politikën si dhe për njohjen e potencialeve dhe historisë së vendit tonë.
Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të mbështetur iniciativa të tilla si dhe i njohu të rinjtë me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në arsim, me masat e marra në kuadër të “Shqipërisë në moshën dixhitale”, reformat në fushën ekonomike etj.
Përfaqësuesit e Parlamentit Rinor Evropian u shprehën të entuziazmuar nga kjo eksperiencë në Shqipëri, shprehën vlerësimet e tyre mbi vendet e rëndësishme të historisë së kombit tonë që kishin vizituar në këto ditë si dhe falënderuan Kryeministrin Berisha për mbështetjen e tij dhe të qeverisë në zhvillimin me sukses të këtij aktiviteti të gjerë e të rëndësishëm.02/12/2009