Kryeministri Berisha përgëzon ekipin kuksian për kalimin në play- off të Europa League

Kukësi bëri historinë, çuditi futbollin europian
Kryeministri Sali Berisha ka uruar skuadrën e Kukësit për kalimin e turit të tretë në Europa League. Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, kreu i qeverisë përgëzon ekipin verior për arritjet e deritanishme në kompeticionet europiane, duke bërë historinë e futbollit shqiptar. “Urime! Kukësi drejt Zenitit!”. Të dashur miq, ekipi i futbollit të Kukësit arriti në play-off. Fitore historike e ekipit të Kukësit dhe futbollit shqiptar. Le t’ju dërgojmë ne urimet më të përzemërta lojtarëve të talentuar, kapitenit të sprovuar, trajnerit të shkëlqyer dhe presidentit vizionar të skuadrës së Kukësit që me suksesin e tij çuditi futbollin europian. Suksese gjithnjë më të mëdha Kukësit! Fitore të tjera!”, mbyll urimin e tij, kryeministri Sali Berisha. Ekipi kuksian kaloi tre ture kualifikuese në Europa League, duke mbërritur në raundin final, play-off, duke qenë vetëm një hap larg fazës së grupeve, përballjes së gjigantëve të futbollit europian. Përgjatë kësaj rruge skuadra e Kukësit ka eliminuar rivalë prestigjiozë si Sarajevo e Bosnje Hercegovinës, kampione e ish Jugosllavisë dhe ekipin ukrainas të Metalurg Donetsk.