E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: U kthefshin lutjet në mirësi, begati dhe dritë për besimtarët, Shqipërinë dhe kombin shqiptar

09-08-2013 / Gazeta 55

Kryebashkiaku i Tiranës dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka qenë politikani i parë që ka vizituar selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar për festën e Fiter Bajramit. Ai ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për mot më të mirë vlerësoi sakrificën e të gjithë atyre që kanë agjëruar

Kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherësh kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka uruar dje besimtarët mysliman me rastin e festës së Bajramit të Madh. Urimin e tij për mirësi e begati zoti Basha e përcolli nga selia e Komunitetit Mysliman. “Pas javëve të mundimshme, ditëve të gjata dhe të nxehta të sprovës së muajit të Ramazanit, sot besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe anembanë botës festojnë Bajramin, dhe me këtë rast dua t’ju uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptar, gëzuar festën e Bajramit. U kthefshin sakrifica e agjërimit, lutjet e tyre në mirësi, begati dhe dritë për ata personalisht, për familjet e tyre, për Shqipërinë dhe për gjithë kombin shqiptar. Mot më mirë!”.
Zoti Basha ka përcjellë urime për begati, shëndet, mbarësi dhe dritë për besimtarët mysliman dhe çdo shqiptar edhe nga selia e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve.
“Dua të përcjell urimet më të përzemërta për Kryegjyshin Baba Mondin, për Klerin Bektashi anembanë Shqipërisë, për besimtarët bektashi anembanë Shqipërisë që sot festojnë festën e Bajramit. Gëzuar Bajramin! Begati, shëndet, mbarësi dhe dritë!”- mbylli urimin e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.  

Berisha: Gëzuar Bajramin, festën e mëshirës së Krijuesit dhe sakrificës sonë!
Edhe kryeministri Sali Berisha ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Festës së Kurban Bajramit. Nëpërmjet rrjetit Facebook, kryeministri uron për shëndet, mbarësi, paqe, begati për të gjithë shqiptarët. “Të dashur miq, sot besimtarët mysliman shqiptare, pas një muaj përkushtimi dhe sakrifice për Krijuesin, festojnë Fiter Bajramin si festën e mëshirës së Zotit ndaj nesh dhe devotshmërisë tonë ndaj Atij. Nëpërmjet sakrificave të këtij muaji njerëzit përjetojnë më pranë vuajtjet e atyre që kanë mundësi më të pakta, por njëkohësisht përjetojnë premtimin e Zotit që pas vështirësisë, sakrificës e cila qëndron në themel të çdo arritje të njeriut, vjen lehtësimi, shpërblimi. Ndaj le të urojme ne nga zemra që kjo ditë e shenjtë të sjellë shëndet, mbarësi, paqe, begati për të gjithë shqiptarët! Gëzuar!”, thotë në urimin e tij, kryeministri Berisha.

Besimtarët myslimanë festojnë Fiter Bajramin, politika i bashkohet urimeve me mesazhe për paqe dhe tolerancë

Mijëra besimtarë në kryeqytet mbushën dje bulevardin Dëshmorët e Kombit, për të falur namazin e Fiter Bajramit i cili është dhe fillimi i festës më të madhe për myslimanët në të gjithë botën. Besimtarëve myslimanë ua uroi festën edhe kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça. Ai theksoi se kjo ditë mbart një rëndësi të veçantë pasi çdo mysliman kurorëzon sakrificën dhe përkushtimin e tij të bërë gjatë Ramazanit dhe qëndron në pritje të shpërblimit prej Zotit. “Kjo ditë është e bekuar nga i Madhi Zot, sepse në të, ju prisni shpërblimin e Tij për adhurimet dhe punët e mira që keni kryer. Urime për detyrën që kryet dhe për shpërblimin e madh që ju pret e për kënaqësinë e Zotit që fituat”, u shpreh në mesazhin e tij, Kryetari Muça. Ndërsa nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu tha se secila prej festave islame është caktuar pas kryerjes së një obligimi madhor, pas kryerjes së të cilit ne ftohemi të shprehim mirënjohjen dhe falënderimin ndaj Zotit, si shenjë e devotshmërisë sonë. “Pas kryerjes së një detyre të shenjtë, Zoti na caktoi që të festojmë, në shenjë mirënjohjeje për mundësinë që na dha t’i bindemi urdhrit të Tij”, tha z. Spahiu. Ai përmendi disa nga vlerat dhe urtësitë e kësaj dite të shënuar për familjen islame, kur tha se, Zoti na urdhëron që bajrami duhet të festohet dhe të përjetohet nga të gjithë. “Në përfundim të agjërimit ne dhurojmë Sadakanë e Fitrit, duke plotësuar një obligim hyjnor dhe shlyer një detyrë humane e njerëzore. Kështu e kalojmë këtë festë të gjithë së bashku të gëzuar e të kënaqur”. Faljen e namazit e ka udhëhequr nënkryetari i KMSH-së H. Bujar Spahiu ndërsa më pas Myftiu i Tiranës, H. Ylli Gurra ka mbajtur hytben e rastit. Në fjalën e tij drejtuar besimtarëve dhe qytetarëve që kishin mbushur sheshin si asnjëherë tjetër, z. Gurra theksoi se Ramazani për myslimanët qe një periudhë që u karakterizua nga një sërë detyrimesh, të cilat u kryen prej tyre me devotshmërinë e duhur. Përfundimi me sukses i agjërimit, sipas tij, u jep besimtarëve kënaqësinë më të madhe shpirtërore kur kujtojnë fjalët e Allahut: “Agjërimi është Imi dhe Jam Unë që do të shpërblej për të”.
Myftiu Gurra ka shfrytëzuar momentet e kësaj dite të shënuar për t’u lutur për të mirën e myslimanëve dhe prosperitetin e shoqërisë shqiptare, duke shtuar se: “Fitër Bajrami është festë që na shton besimin në të ardhmen, që na shton optimizmin për të nesërmen, për jetën. Urimi “Për shumë vjet Bajramin!” përmbledh në vetvete forcën shpirtërore për të kryer detyrat e mëdha që kemi përpara në shërbim të Islamit, kombit dhe Atdheut tonë të shtrenjtë. Fiter Bajrami, apo siç njihet ndryshe bajrami i madh vjen fill pas muajit të ramazanit, ku çdo besimtar pasi ka agjëruar lutet për më shumë mirësi dhe begati. Agjërimi është një shenjë falënderimi ndaj zotit, fuqia e të cilit, sipas myslimanëve, u jep mundësinë t’i bëjnë ballë urisë, etjes e dëshirave, si shenjë sakrifice, si mënyrë për t’ia përmirësuar besimtarit sjelljen e për t’ia pastruar shpirtin. Pas faljes së namazit, dita e bajramit vijoi me drekën e madhe të kësaj dite dhe më pas vizitat tek të afërmit, ku të gjithë urojnë për më shumë mirësi dhe paqe. Ndërkohë urimeve me rastin e festës së Bajramit i është bashkuar edhe politika. Krerë të shtetit dhe politikës kanë përcjellë mesazhet e tyre për paqe dhe tolerancë, gjatë vizitave të tyre të urimit në selitë e komunitetit mysliman dhe atë të kryegjyshatës së bektashinjve. Urimet e politikanëve u përcollën fillimisht në vizitën tradicionale në Komunitetin Mysliman dhe në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve ku u pritën Haxhi Selim Muça dhe nga baba Edmond Brahimaj. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deputetë të PD dhe PS, përcollën urimet e tyre në selinë e KMSH. Gjithashtu, urime për festën e Bajramit përcollën në selinë e KMSH-së dhe ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi si dhe drejtues të njësive bashkiake të kryeqytetit dhe drejtues komunalë, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik në vendin tonë. Pjesë e kësaj feste u bënë edhe përfaqësues të komuniteteve fetare, personalitete të njohura të jetës publike, përfaqësues të shoqatave bamirëse, drejtues të institucioneve arsimore islame, si dhe një numër i madh qytetarësh e besimtarësh të kryeqytetit.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani
Nëpërmjet një mesazhi të shpërndarë për mediat kreu i shtetit e quan Bajramin një festë të shenjtë, Nishani shton se ajo shërben për të na bërë më të mirë për veten, për tjetrin dhe për shoqërinë. Nishani apeloi më tej se festa të tilla duhet të na shërbejnë për ta parë botën me sy të tjerë, duke mposhtur kulturën e urrejtjes. “Le të na bëjë ky Bajram ta shohim botën dhe jetën me sytë e të dobëtëve dhe të varfërve. Le ta mposhtim me mjete paqësore, me sakrifica si Ramazani dhe festa si Bajrami, kulturën e urrejtshme të sherrit, këtë rudiment të rrezikshëm trashëguar nga e kaluara diktatoriale. Nga thellësia e zemrës, ju uroj gjithë të mirat në këtë ditë të madhe. Le të jetë Dita e Bajramit një ditë e lumtur. Gëzojeni këtë ditë bashkë me të dashurit Tuaj. Ngushëllohuni bashkërisht. Ndihmohuni bashkërisht. Këshillohuni bashkërisht. Gëzohuni bashkërisht në këtë ditë Bajrami”- ka theksuar Nishani. Besimtarët myslimanë festojnë Fiter Bajramin. Pas 30 ditë agjërimi e sakrifice, për shlyerjen e mëkateve, pastrimin e shpirtit dhe të trupit, besimtarët myslimanë i falen zotit t’u pranojë këtë ritual pavarësisht të mirave që ata presin t’u sjellë.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli uroi të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Bajramit. Ajo bëri një vizitë në Selinë e Komunitetit Mysliman në Tiranë, ku u prit nga Kryetari, Haxhi Selim Muça. Në mesazhin e saj drejtuar të gjithë shqiptarëve, ajo tha:
“Përzemërsisht uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë, kudo që ndodhen; Gëzuar festën e Bajramit! Muaji i Ramazanit, nuk është vetëm një detyrë e shenjtë. Ai është një mësim i fuqishëm, për t’i kujtuar, jo vetëm besimtarëve myslimanë, por çdo qytetari të kësaj bote, detyrimin tonë për të ndihmuar ata që jetojnë në varfëri dhe që vuajnë. Sakrifica e të gjithë atyre që agjëruan në muajin e Ramazanit, kurorëzohet sot si bekim!”

Festimet për Fiter Bajram në rrethe

Fier
Xhamia e qytetit të Fierit është gjallëruar sot qysh në orët e para të mëngjesit nga qindra besimtarë, të cilët  kryen ritet e Festës së Fiter Bajramit. Myftiu i Fierit, Karafil Mane, u uroi besimtarëve gëzuar Fiter Bajramin, festë që finalizon sakrificën njëmujore të tyre për të pastruar zemrën, shpirtin dhe ndërgjegjen, me qëllim afrimin e tyre me krijuesin.
Ai i uroi besimtarët që sakrifica e tyre të jetë pranuar prej Krijuesit dhe pas këtij muaji shpirti i tyre të reflektoje më shumë dashuri ,besim, mirësi e humanizëm. Këtë festë të besimit mysliman e uruan edhe përfaqësues të komuniteteve te tjera  fetare, të politikës dhe pushtetit vendor.

Durrës
Mijëra besimtarë myslimanë në Durrës festuan dje ditën e Fiter Bajramit. Besimtarë të moshave të ndryshme morën pjesë në lutjen e mëngjesit, që u organizuan paralelisht në Xhaminë e Madhe në qendër të qytetit, si dhe në xhaminë Fatih, në lagjen Kala. Lutja e mëngjesit u drejtua nga myftiu i Durrësit, Redin Quku. Që në orët e para të ditës në selinë e myftinisë së qytetit kanë filluar vizitat e urimeve nga përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, si dhe nga drejtues të shoqatave, forcave politike dhe të institucioneve të pushtetit vendor. Dhjetëra familje besimtarësh kanë ndarë sot “zukatin”, ose ndryshe të holla dhe ushqime për familje në nevojë. Disa ditë më parë me paratë e sadakasë (dhuratat) e besimtarëve durrsakë, edhe të besimeve të tjera fetare, u restaurua minareja dhe fasada e Xhamisë së madhe. Kjo xhami e ndërtuar në vitin 1938, u rindërtua në vitin 1993, kur për gati 25 vjet gjatë sistemit ateist komunist shërbeu si pallat kulture për të rinjtë.

Korçë
Myftinia e Korçës, ka organizuar në ambientet e Medresesë së qytetit, një ceremoni pritjeje me qytetarë dhe besimtarë, duke shkëmbyer urime për Festën e Fiter Bajramit. Në këtë ceremoni, kanë kryer vizita kortezie dhe përfaqësues të jetës publike, të cilët dhanë edhe urimet për besimtarët. Nuk ka munguar në këtë ceremoni edhe Prefekti i Qarkut Korçë, Andrea Mano. “Është një ditë e cila na mbledh të gjithëve, për të festuar të gjithë së bashku, siç është bërë zakon në qytetin tone. Unë do doja që kjo traditë të vazhdonte, dhe ashtu do të jetë, sepse kultura e këtij qyteti është e tillë. Ne i festojmë të gjitha festat fetare së bashku dhe kjo është e veçanta e Korçës. Edhe njëherë Gëzuar të gjithëve, Gezuar Fiter Bajramin, shëndet, paqe, mirësi në familjet tuaja”- është shprehur Mano.
Gjithashtu një vizitë kortezie për të shkëmbyer urimet me Myftiun, ka zhvilluar edhe Mitropoliti i Korçës Imzot Joani. “Marrim pjesë në gëzimin e Festës së Komunitetit Mysliman, duke ju uruar atyre Gëzuar këtë ditë, si shenjë dhe si simbol i harmonisë, bashkëpunimit dhe bashkë-egzistencës. Duke jetuar së bashku, ne ndajmë së bashku gëzimet dhe të mirat. Në këtë ditë ju uroj besimtarëve Gëzuar edhe për shume vjet”.
Gjatë pritjes ceremoniale, mjaft intelektualë dhe figura publike të qytetit, shkëmbyen urime për Festën e Bajramit duke uruar shpresë, mbarësi e begati, në çdo familje.

Elbasan
Qindra besimtarë myslimanë ka falur mëngjesin e djeshëm Namazin, në përfundim të muajit të Ramazanit, muaj i sakrficave, ku besimtarët muslimanë agjërojnë, për më shumë paqe, shëndet e dashuri. Në urimin e tij Myftiu Agim Duka ka deklaruar se “ky muaj i agjërimit për të gjithë besimtarët synon pastrimin e shpirtrave nga urrejtja, xhelozia, egoizmi dhe të gjitha veprat e liga”. “Agjërimi besimtarët i ngre në shkallë të lartë të devotshmërisë duke i udhëzuar në vepra të mira, solidaritet mes njerëzve dhe respekt ndaj njëri tjetrit”. Nisur nga ky parim agjërimi i Muajit të Ramazanit e pajis besimtarin edhe më shumë me ndjenjën e dashurisë, respektit, vetëdijes urtësisë, solidaritetit. Dhe moral e edukatë të fortë në raport me Krijuesin”, tha në urimin e tij Muftiu. Në këtë ditë të Ramazanit besimtarët myslimanë festojnë në familjet e tyre duke drekuar së bashku dhe duke dhënë urimin, për një vit të paqtë dhe të begatë për të gjithë besimtarët në mbarë botën.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›