Kryeministri Berisha përshëndet 20 vjetorin e themelimit të degës së PD-së të Beratit
Sot pasdite, Kryeministri Berisha përshëndeti tubimin e organizuar nga dega e Partisë Demokratike të Beratit, me rastin e 20 vjetorit të themelimit të saj. Në këtë përshëndetje, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur demokrate e demokratë,
qytetare e qytetarë,
vëllezër e motra,
zonja e zotërinj të Beratit e mbarë Shqipërisë,
Së pari, dëshiroj të përshëndes të gjithë qytetarët e Beratit, por para së gjithash të përulem me një nderim të madh, me mirënjohje të thellë para të gjithë atyre djemve e vajzave, burrave e grave të këtij qyteti që 20 vjet më parë u ngritën me kurajën më të madhe, me trimëri e guxim mbi dhunën, terrorin, tmerrin, shtypjen dhe mbushën rrugët e sheshet e këtij qyteti e të mbarë Shqipërisë, themeluan Partinë Demokratike të Shqipërisë si parti e njerëzve të lirë, si parti e lirive dhe të drejtave tona njerëzore, si parti e vlerave të vërteta të qytetërimit perëndimor, si parti e interesit kombëtar, si parti e besimeve të mëdha të shqiptarëve dhe të njerëzve të qytetëruar në mbarë botën.
Ne, që 20 vjet më parë themeluam forcën politike që do të shndërrohej në lokomotivën e pandalshme të zhvillimit të Shqipërisë, 20 vjet më parë lirinë nuk e njihnim, 20 vjet më parë të drejtat njerëzore nuk i njihnim. Të gjitha ato ishin aspirata në shpirtin tonë. 20 vjet më parë, ne ishim i vetmi komb në Europë gjysma e të cilit përjetonte pushtime barbara dhe shtypje të egra të huaja. 20 vjet më parë, ne ishim të vetmit qytetarë të kontinentit që përjetonim varfërinë më ekstreme, izolimin më të thellë, mjerimin më të madh. Ne kishim në shpirt pasionin për lirinë, guximin, trimërinë dhe vendosmërinë për të ndërtuar një Shqipëri të lirë, për të ndërtuar një Shqipëri të denjë për ne, për fëmijët tanë, fëmijët e fëmijëve tanë.
Sot, pas 20 vitesh, ne duhet të ndjehemi mirënjohës dhe krenarë më shumë se kurrë me njëri-tjetrin. Ne, që 20 vjet më parë, lirinë e kishim aspiratë në shpirt, kemi ndërtuar në këtë vend shoqërinë e lirë, në të cilën çdo qytetar me bindjet e tij politike, besimin e tij fetar, iniciativën e tij të lirë respektohet njëlloj dhe është qytetar i barabartë para ligjit.
20- vjet më parë ne u ngritëm me thirrjen Shqipërinë si gjithë Europa. Europën nuk e njihnin, sepse regjimi na kishte zhytur e ngujuar në bunker, në më të errëtin e të gjitha kohërave për shqiptarët, por ne mësuam rrugën, e ndërtuam atë e sot ne lëvizim të lirë, pa viza në mbarë Europën.
20 vjet më parë, ne, qytetarët më të izoluar të Europës, mbushëm rrugët e sheshet e qyteteve tona me thirrjen Shqipëria në NATO. Ne e bëmë këtë para të gjitha kombeve të tjera të shtypura nga diktaturat komuniste. Sot, ëndrra jonë euroatlantiste është realitet. Sot, Shqipëria është anëtare e NATO-s, më e sigurt se kurrë në tërë historinë e saj, në liritë, sovranitetin e integritetin e saj.
20 vjet më parë, Shqipëria jetonte mjerimin më të madh, papunësinë prej 80 përqind, me dyqanet bosh, triskat, tollonat e mjerim në të katër anët e saj. Sot, ekonomia e këtij vendi të vogël, në sajë të iniciativës tuaj të lirë qytetare e qytetarë të Beratit, të iniciativës së lirë të mbarë qytetarëve shqiptarë, shfrytëzimit të lirisë e pasurive të saj përrallore, të reformave të kësaj qeverie, ka për dy vjet rresht rritjen më të lartë në Europë.
20 vjet më parë, të ardhurat vjetore për frymë të qytetarëve shqiptarë ishin gjithsej 204 dollarë. Presidenti juaj i parë, i zgjedhur me votën tuaj të lirë, u inaugurua me një pagë 60 dollarë në muaj. Sot, me pagën e saj mesatare, Shqipëria ka lënë mbrapa jo një por më shumë vende anëtare të Bashkimit Europian.
Në këto 20 vite, rrugën nuk e kemi pasur të thjeshtë. E kemi pasur të vështirë. Por unë ju garantoj se askush nuk ka shfrytëzuar më fuqishëm, më mençurisht e më me vendosmëri lirinë e pasurinë e saj, sa ju qytetarët e Beratit, sa mbarë qytetarët shqiptarë.
Në 20 vjet, ne ia dolëm të realizojmë në këtë vend, siç do të më thoshte një mik i huaj, më shumë se në 30 vite të marra së bashku. Dhe, në qoftë se i kthehemi trashëgimisë sonë, kjo është e vërteta më e madhe. Unë ju garantoj se në vitet që vijnë sukseset e këtyre viteve do të duken shumë më të vogla, për shkak të arritjeve të mëdha që ne do të shënojmë nga viti në vit.
Demokrate e demokratë, duhet të ndjehemi krenar, sepse jemi forca e vetme politike në Europë që përmbysi diktaturën e që jemi sot lokomotivë kryesore e zhvillimit të vendit, që jemi sot, ashtu siç e themeluam, parti e vokacionit perëndimor, promotor kryesor i integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Sot, ne jemi më afër se kurrë pranë këtij objektivi. Unë ju garantoj se do të bëjmë çdo reformë, do bëjmë çdo përpjekje dhe të ardhmen tonë askush peng nuk do ta marrë.
Por këtu, në Berat kam një kënaqësi të veçantë, sepse këtë qytet me visaret e tij, me trashëgiminë mahnitëse kulturore, me pasurinë e tij të pafundme shpirtërore, së bashku me ju, ne ia dolëm t’ia paraqesim mbarë njerëzimit. Sot, çdo shqiptar krenohet me Beratin, por edhe çdo qytetar i botës krenohet me pasurinë e tij përrallore. Berati renditet në diamantet e pasurisë kulturore botërore. Merita është e juaja, është e të gjithë atyre që e bazuan në lirinë dhe vlerat e saj, që ia dolën në një rrugë të vështirë të kurorëzojnë një sukses të madh historik për Beratin.
Qytetare e qytetarë të Beratit,
20 vjet më parë, kombi ynë përjetonte në Kosovë e vise të tjera shtypjen më të egër. 20 vjet më parë u ngritën në këmbë e shpallëm me guxim të madh interesin kombëtar si yllin tonë polar. E mbrojtëm atë me të gjitha mënyrat, qëndruan të pamposhtur në të drejtën tonë. Sot, lavdi Zotit, jemi të lirë kudo që jetojmë. Kosova është e pavarur. Sot, ne kemi më të kthjellët se kurrë rrugën që do të ndjekim, të ardhmen që meritojmë.
Qytetare e qytetarë të Beratit,
Një muaj më parë, Bashkimi Europian hoqi vizat për ne, shqiptarët dhe ky ishte akti i besimit më të madh që Europa ka dëshmuar ndaj nesh në tërë historinë e saj. Por ky akt ishte fund e krye i merituar. Ky akt u bazua në arritjet tona, reformat e thella e të gjithanshme që ne ndërmorën dhe ia dolëm që me këto reforma të bindnim çdo qeveri, çdo parlament të mbarë Europës. Ne i merituam plotësisht ato.
Qytetare e qytetarë të Beratit,
Ne nisim këtë vit, në 20 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, më të fuqishëm se kurrë në historinë tonë, më të sigurt se kurrë në të ardhmen tonë dhe ju garantoj se ky vit do të jetë viti i arritjeve tona të mëdha. Ne nisim këtë vit, pasi mbyllëm vitin e kaluar me rritjen më të madhe ekonomike në Europë. Ne e nisim këtë vit, pasi eksportet tona u rritën 72 përqind. Ne e nisim këtë vit, pasi përmbushëm tërësisht detyrimet tona në të gjitha projektet e mëdha të zhvillimit të vendit. Ne nisim këtë vit, pasi rritëm rrogat e pensionet më shumë se asnjë herë më parë. Ju garantoj se ky vit do të jetë viti i projekteve të mëdha, se për Beratin do të vazhdojnë segmentet e Boshtit të Jugut dhe rikonstruktimi plotë i rrugës Berat-Lushnje, si dhe do të vazhdojnë dhjetëra projekte të tjera në komunat e Beratit, Kuçovës, Urës Vajgurore. Ne garantojmë çdo fshat të këtij qarku se do të bëjmë gjithçka për t’u dhënë atyre infrastrukturën që meritojnë, njëlloj si lagjet e qytetit.
Toka e këtij vendi është tokë e bekuar. Nuk kemi asnjë pëllëmbë tokë për të braktisur. Jo! Nuk ka vend si Shqipëria, me pasuritë që ajo ka. Ndaj ne do ta bëjmë Shqipërinë vendim me infrastrukturën më moderne. Këtë vit do të rrisim rrogat e pensionet, do të bëjmë që 800 mijë familje shqiptare të kenë një rritje thelbësore në të ardhurat e tyre. Gjatë këtij viti do të bëjmë çdo gjë për t’i dhënë arsimit tonë cilësi, cilësi e vetëm cilësi. Sot, në universitetin tuaj studiojnë 2500 studentë. Ju garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka që çdo i ri dhe e re e Beratit dhe mbarë Shqipërisë, nëse dëshiron, të mbarojë universitetin. Ne ecim drejt këtij viti me besim të madh se zhvillimet e tij do të jetë më të mbarat e më të mëdhatë, se të çdo viti tjetër.
Ky vit është viti i Shqipërisë në turizmin e mbarë botës. Imagjinoni vëllezër, se ne që e duam kaq shumë Beratin, që e duam kaq shumë Shqipërinë ia dolëm me lumenj djerse e mundi të shkëlqejmë, të nxjerrim në pah bukuritë mahnitëse të këtij vendi, ia dolëm që të bëhemi destinacioni i parë turistik i planetit, ia dolëm që Shqipëria të shpallet e bukura e dheut, ashtu siç është. Vite më parë, kur unë u deklaroja të tjerëve se vendi im është Zvicër me det, më shihnin me nënqeshje, por sot, çdo shqiptar duhet t’i përsërisë vetes, t’ia përsërisë çdo miku e kujtdo se Shqipëria nga natyra është Zvicër me det dhe Zvicër të vërtetë do ta bëjmë, me mundin, djersën e punën tonë.
Kënaqësia ime është e jashtëzakonshme, kur në mbarë Europën takoj miq që më njoftojnë se kanë vizituar Beratin. Kur i pyes se si e gjetën, ata më përgjigjen se është në trashëgiminë kulturore të botës. Heqja e vizave e bën Shqipërinë edhe më tërheqëse, edhe më të besueshme, e bën një vend, në të cilin do të dojë të vijë çdo qytetar.
Qytetare e qytetarë të Beratit,
Kjo është përpjekja jonë. Ndaj edhe një herë le të nderojmë përpjekjen, sakrificën përkushtimin, guximin e ndershmërinë e njëri-tjetrit. Një gjë është e sigurt, ne nuk jemi aty ku do të donim të ishim, por jemi 20 vite dritë larg nga niveli ku kemi qenë, jemi në këmbë edhe pas 20 vitesh, jemi në këmbë e më të fuqishëm se kurrë, sepse kemi nderuar vlerat që besojmë, sepse kemi mbrojtur parimet mbi të cilat ne themeluam Partinë Demokratike, sepse jemi udhëhequr nga dashuria e respekti për njëri-tjetrin, nga dashuria e respekti për Beratin e mbarë Shqipërinë.
Në kushtet tona, askush nuk e ka pasur rrugën më të vështirë. Të ndalemi vetëm në dy vitet e fundit. Në një kohë kur për ju, qytetarë të dashur të Beratit si dhe për çdo qytetar shqiptar, heqja e vizave ishte më e rëndësishme se çdo gjë tjetër, me rëndësishme edhe se për qytetarët e vendeve të tjera, sepse neve na takoi fati të detyrohemi të ndërmarrim emigrime masive për shkak të varfërisë e mjerimit, mund të imagjinoni se një grusht i vogël në krye të Partisë Socialiste angazhoi të gjithë potencialin e kësaj force për të keqen e çdo qytetari shqiptar. Vizat nuk ishin partiake, ato ishin për çdo shqiptar, vizat nuk ishin për Sali Berishën se Sali Berisha lëviz në të gjithë botën, por ishin për nënat e baballarët që nuk kishin parë fëmijët e tyre prej vitesh, ishin për motrat e vëllezërit, të rinjtë e të rejat, ishin për gjithë shqiptarët. Këta zotërinj, duke i deklaruar njëri-tjetrit se heqja e vizave ishte fundi i tyre, bënë çdo gjë, bojkotuan parlamentin në mënyrë që të bindnin Europën se ky vend nuk bëhet, ndërmorën grevën e urisë, më mirë grevën e orgjisë, sepse hanin rregullisht e pandërprerë. Ndërmorën vallen e kutive: hap kutitë, të çlirosh vizat. Por prapë për ne, demokratët, a kishte interes më të madh sesa vizat? Por ishte diçka më eprore dhe këto janë ato parime e vlera që ne besojmë. A mund të pranoja që një grusht bllokmenësh të rinj të përdhosnin votën tuaj, sepse ju votuat më të lirë se kurrë, sepse çdo kuti që u numërua këtu, në Berat, në Tropojë, Sarandë, Gjirokastër e kudo rezultoi me saktësinë më të madhe. Atëherë si mund të lejoja që përdhosnin votën tuaj. Kurrë jo! Ishte një moment shumë i vështirë, por ishte besimi tek ju, tek vlerat që ndajmë. Ne qëndruam në të drejtën tonë. Vizat u hoqën. Ju t’i gëzoni vizat. Ju përshëndes ju e të gjithë shqiptarët për mënyrën e qytetëruar, me të cilën ju e pritët këtë arritje të merituar të jetës suaj.
Qytetare e qytetarë të Beratit,
Këto ditë ka një debat dhe unë sërish do të ndalem këtu. Unë udhëhiqem nga një parim, se para se të jemi demokratë, para se të jemi socialistë, lsi-stë, republikanë, ne jemi shqiptarë, jemi qytetarë, jemi baballarë, prindër, fëmijë, burra e gra, djem e vajza. Ky është parimi ynë. Por, në qoftë se ti, Edvin Kristaq Rama, për dy vjet me radhë akuzon votën e shqiptarëve, akuzon pa asnjë fakt 20 mijë komisionerë socialistë, atëherë edhe unë, shoku Edvin, para se të jem kryeministër, para se të jem kryetar i Partisë Demokratike, jam qytetar i këtij vendi. Ti nuk mund të akuzosh kurrë pa fakte dhe unë nuk të hap rrugë ty. Nuk të hap rrugë se ti ke akuzuar babanë tënd për baba të djalit tënd e nuk ke pranuar të bësh analizën. Ne jemi shqiptarë e para së gjithash jemi prindër, jemi baballarë, jemi qytetarë. Në qoftë se ti akuzon me një akuzë të tillë monstruoze babanë tënd dhe nuk bën analizën, po mbi këtë bazë ti akuzon votën e qytetarëve, mbi këtë bazë montove videon kundër Sali Berishës, po mbi këtë bazë ti dëshmove se je i aftë të trillosh çdo gjë. Ne jemi shqiptarë, para se të jemi partiakë. Jemi shqiptarë dhe jemi prindër. Kur ti një ditë gjen një djalë që e ka emrin Shkëlzen, paçka se është 20 vjet më i madh se djali im, paçka se i ati i tij është Avdulla Berisha e jo Sali Berisha, ti nxjerr tenderat që ai kishte fituar si tenderat e djalit tim. A nuk mund të të them se familja është vlerë, fëmija është vlerë? Por ti nuk i njeh ato, se për 10 vjet nuk i ke dhënë kafshatën djalit tënd. Por kur ti ia bën këtë djalit të kryeministrit, çfarë i mbetet djemve e vajzave të qytetarëve të këtij vendi. Para se të jemi partiakë, ne jemi qytetarë. Para se të jemi partiakë, ne jemi shqiptarë.
Ti kërkon hetim pa fakte. Kam respektin më të madh për opozitën, por në qoftë se dikush më thotë të vendos opozitën para atyre parimeve vlerave, pa të cilat nuk ka shoqëri të lirë, këtë nuk mund ta bëj, se nuk vendos dot as veten time. Në parlament sollën kërkesën për hetim. Të thamë dakord, hetoni, por mbi bazë faktesh, dyshimet mbi bazë faktesh, provash e grup faktesh, se këtë ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, ligji e parimi i çdo shoqërie të lirë. Një shkrimtar i njohur çek, i famshëm në mbarë botën, Franc Kafka tek libri e tij Procesi, ku paralajmëron ardhjen e nazizmit, përshkruan një punonjës banke, të cilit një ditë i shkojnë dy të panjohur me pushtet dhe i thonë je i arrestuar. I kërkon akuzën dhe sërish i thonë je i arrestuar. I thotë faktet, sërish i thonë je i arrestuar. Dëshmitë, sërish i thonë je i arrestuar në shtëpi. Por ky është romani i Franc Kafkës. Ne kështu do ta bëjmë Shqipërinë? Dhe ky zotëri, i gjetur ngushtë e i turpëruar nga kjo, kërkoi shtyrje dhe erdhën dy ditë më pas e në vend të fjalës hetim kishin vënë fjalën kontroll. Por hetim e kontroll janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Ju dhashë këto shembuj për t’ju thënë se ky debat ka të bëjë me vlerat dhe vetëm me vlerat. Në qoftë se ti monton për kryeministrin e vendit video, çfarë do t’u bësh nesër qytetarëve të këtij vendi, gjëmën gjithsecilit. Por ti nuk ke të ardhme, sepse kjo është kulturë e etërve të tu. Rëndom më thonë se përse i përmend baballarët. Absolutisht, kurrë në jetën time nuk kam mbajtur përgjegjës djalin për babën, por, në qoftë se ai prodhon të atin e klonuar, unë nuk kam rrugë tjetër. Nuk kam rrugë tjetër, sepse i ati, kur shembej muri i Berlinit, firmoste varjen e Avzi Nelës dhe ky 20 vjet më mbrapa monton videon për të mashtruar qytetarët shqiptarë për kryeministrin e tyre. A nuk ka ngjashmëri në qëndrimin politik? Unë kam respekt për kundërshtarët e do t’i respektoj ata, por vlerat janë vlera, se para se të jemi partiakë, jemi qytetarë dhe bashkohemi në disa vlera mbi të cilat qëndron çdo shoqërie e qytetëruar, çdo shoqëri e lirë.
Zotëria apo shoku urdhëroi deputetët e tij që unë të mos flisja në parlament. Por mund të më priste mua fjalën dhe asnjërit prej jush. Nuk ka lindur më ai që mund t’ju presë fjalën secilit prej jush, para cilitdo, para kryeministrit, para presidentit, para Zotit. Ju jeni qytetarë të lirë e kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Ne nuk i presim fjalën kujt kurrë. Ne nuk imagjinojmë t’i presim kujt fjalën. Fjala e lirë është themeli i të gjitha lirive. Mjerë ai që guxon të na i prekë ato! Dhe cili ishte reagimi? Se po i përmend familjen. Familjen unë ia respektoj, por do ju them vetëm dy gjëra. Tre ditë pas dasmës së fundit, gjeti Shkëlzen Avdulla Berishën për ta paraqitur si Shkëzen Sali Berishën. Pastaj jemi shqiptarë dhe në qoftë se ti del lakuriq plazheve, do të ta them këtu jo si kryeministër, se si kundërshtar është tjetër problem, por si qytetar këtë nuk e kapërdij. Në qoftë se ti nxjerr bashkëshorten lakuriq në plazhet publike, atë moral mbaje për vete, sepse do ta denoncoj çdo ditë në çdo fshat, në çdo qytet e në çdo familje shqiptare. Unë sot nga kjo tribunë i them çdo shqiptari e çdo qytetari të këtij vendi: kurrë mos votoni për Sali Berishën, në qoftë se e konsideroni të gabuar qëndrimin tim ndaj këtyre akteve. Qëndrimi im ndaj këtyre akteve nuk ka të bëjë me asgjë partiake, ëshsë thjesht qëndrim qytetar, qëndrim ndaj vlerave e parimeve që ndajmë së bashku. Të gjithë përballen me vështirësi e probleme, por asnjë prej nesh nuk tejkalon disa limite e kufij. Pastaj të kthehet e të thotë mos i përmend, por kush të zhveshi ty lakuriq në plazhet e botës. Ndaj shko të të mbështesin ata që të mbështesin, se ne nuk i kapërdijmë. Imagjinoni, sikur ky të bëhej një ditë kryeministër i këtij vendi dhe në bulevardin, ku do ta prisnin me flamurin kombëtar, një shoqatë të varte fotot nudo të tij, cili do të ishte nderi e dinjiteti ynë. Personi publik është person publik.
U ndala në këto aspekte për të garantuar çdo socialist e çdo demokrat të këtij vendi se nuk kam asgjë personale ndaj tij, se nuk i është bërë asnjë akuzë e kurrë nuk do t’i bëhet e pabazuar në faktet konkrete, por me këto gjëra nuk mund të kalohet, nuk mundet që ne t’i pranojmë standarde të tilla. Këto nuk i pranon asnjë njeri i qytetëruar. Tani kërcënon. Por unë dua të garantoj çdo shqiptar dhe ne, demokratët e kemi faktuar këtë, kemi respektuar dhe do të respektojmë në shkallën më maksimale çdo liri e të drejtë të qytetarëve shqiptarë, por për kërcënimet unë dua t’i them shokut Edvin se edhe të parët e tij t’i ngrejë nga varri, edhe dajën e tij Spiron, edhe Kristaqin e vetë Enverin, ne nuk na impresionojnë. Ne jemi njerëz të lirë, nuk kërcënojmë njeri, por nuk dorëzohemi. Ne respektojmë liritë, të drejtat, ligjin. Jemi të vendosur që më 8 maj të zhvillojmë zgjedhje të shkëlqyera, jemi të vendosur të fitojmë bashkinë e Beratit, që më 8 maj të fitojmë e Tiranën, të marrim të gjithë besimin e merituar të qytetarëve shqiptarë. Rroftë Berati! Rroftë Shqipëria!
19/01/2011