Kryeministri Berisha përshëndet Ditën Ndërkombëtare të Shërbimit Publik
Sot pasdite, Kryeministri Sali Berisha përshëndeti, përmes një video-konference nga zyra e tij në Tiranë, takimin e zhvilluar në selinë e OKB-së me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Publik.
Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha ndër të tjera u shpreh:
"Sot, me rastin e festimit të Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Civil, kam kënaqësinë dhe nderin t'ju përshëndes dhe t'ju njoh me hapat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare për konsolidimin e vlerave, rolit dhe mirëfunksionimit të administratës publike në Shqipëri.
Shqipëria trashëgoi një administratë shtetërore me mentalitet, vlera dhe praktika që promovonin regjimin totalitar komunist. Gjatë 14 viteve të tranzicionit demokratik, administrata publike shqiptare ka kaluar një proces të rëndësishëm transformimi për të krijuar një shërbim civil profesional, të përgjegjshëm dhe të pavarur politikisht. Sistemi korruptiv i viteve të fundit ka tronditur rëndë besimin e qytetarëve shqiptarë tek institucionet dhe administrata publike. Përpara këtyre sfidave, mazhoranca e re dhe qeveria që unë drejtoj kanë ndërmarrë një program reformash për fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe ngritjen profesionale të administratës.
Ndër arritjet më të rëndësishme të këtyre 8 muajve të parë të kësaj qeverisjeje janë eleminimi i të gjitha bandave kryesore kriminale që ndodheshin në Shqipëri dhe Europë, ulja drastike e trafikut të qenieve njerëzore dhe narkotikëve, si dhe ulja e nivelit të korrupsionit në administratën publike. Padyshim që arritja më e madhe e këtyre viteve tranzicioni është nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.
Motoja jonë është ajo e një qeverisje të vogël dhe efikase. Reduktimi i strukturave të fryra administrative dhe sjellja e tyre në përmasa optimale, evitimi i mbivendosjes funksionale ndërmjet institucioneve dhe lehtësimi i shtetit nga funksione që mund të kryhen nga sektori privat, kanë lehtësuar ndjeshëm shpenzimet, janë mirëpritur nga taksapaguesit dhe kanë sjellë rritjen e përgjegjshmërisë së administratës publike.
Qeveria gjithashtu ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm, energjikë dhe të vendosur për ndarjen e administratës publike nga konflikti i interesave. Ne synojmë të ndërtojmë një shoqëri të hapur, përfshirëse, me qendër qytetarin. Në këtë kuptim, në administratën tonë publike po futen konceptet dhe praktikat e orjentuara drejt shërbimit të qytetarit. Qeveria po rishikon procedurat për uljen e barrierave administrative, nëpërmjet thjeshtëzimit dhe qartësimit të procedurave, përdorimit sa më gjerësisht të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në administratën publike, si dhe realizimit të shërbimeve "one stop shop" për liçensimin e bizneseve, prokurimin elektronik, web-portalet e qeverisë, biznesit dhe shërbimeve të tjera on-line për qytetarët. Një objektiv i rëndësishëm në këtë drejtim është pajisja brenda vitit 2007 e të gjitha shkollave të vendit me broadband internet dhe laboratore të teknologjisë së informacionit.
Por, krijimi i një administrate transparente në dhënien e shërbimeve, është parë i lidhur ngushtë me respektimin e kodit etik të nëpunësit të shërbimit civil, rritjen e efikasitetit të kontrollit të brendshëm administrativ dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe abuzimeve të administratës publike. Rezultate të prekshme janë arritur në këto 8 muaj qeverisjeje për denoncimin e korrupsionit nga qytetarët dhe inkurajimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në përmirësimin e sistemit të dhënies së shërbimeve publike.
Mazhoranca e re dhe qeveria e saj e reformave të ndryshimit synon realizimin në standarde sa më të larta të një transparence maksimale qeverisëse, nëpërmjet aksesit të lirë dhe të plotë në të dhënat mbi veprimtarinë e institucioneve publike. Konkretisht, brenda një periudhe të shkurtër ne synojmë të hapim "Zyrat e Informimit Publik" në çdo institucion të administratës publike, të cilat do të jenë përgjegjëse jo vetëm për dhënien e informacionit tek të interesuarit, por dhe promovimin e lirisë së informimit dhe qeverisjes së hapur.
Për të inkurajuar standarde dhe shprehi bashkëkohore qeverisjeje të orjentuar drejt shërbimit ndaj qytetarëve, ne po përpiqemi gjithashtu të tërheqim në administratën publike një gjeneratë profesionistësh të edukuar dhe me mentalitet e eksperienca pune perëndimore. Në këtë drejtim, qeveria, me mbështetjen e UNDP-së, po punon për të zhvilluar dhe implementuar projekte të mirëfillta që do të krijonin kushte më të favorshme për "brain gain".
Në përfundim, më lejoni ju lutem, që në emër të qeverisë shqiptare t'ju përcjell urimet më të mira për Ditën Ndërkombëtare të Shërbimit Civil dhe në veprimtarinë tuaj për arritjen e synimeve të zhvillimit të mijëvjeçarit.
Ju faleminderit!"