Kryeministri Berisha zhvillon takim me grupet e interesit për reformën rregullatore në sektorin e shërbimeve shëndetësore
Sot paradite, kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me shoqata dhe grupe interesi për diskutimin e reformës rregullatore për licencat dhe eleminimin e pengesave teknike dhe administrative në sektorin e shërbimeve shëndetësore.
Diskutimi u përqendrua rreth projektit të hartuar nga grupi ndërministror i punës, i ngritur me urdhër të kryeministrit, për normat dhe kriteret e dhënies nga Ministria e Shëndetësisë së licencave, lejeve dhe autorizimeve në shërbimin stomatologjik, farmaceutik, qendrën kombëtare të kontrollit të barnave, kujdesit shëndetësor edhe urdhërit të mjekut.
Në bazë të analizës së bërë, qeveria ka propozuar zvogëlimin e numrit të licencave në këto sektorë, thjeshtimin e barrierave administrative dhe përcaktimin e kritereve të qarta në dhënien e tyre.
Pas punës parapërgatitore të 7 grupeve të punës për reformën rregullatore, qeveria ka ndërmarrë një seri takimesh me grupet e interesit për të diskutuar çështje të reformës. Kryeministri Berisha theksoi se qeveria është plotësisht e angazhuar që të lehtësojë veprimtarinë e biznesit dhe të dialogojë me grupet e interesit. "Synimi ynë madhor është: Shqipëria në orbitën e rritjes së shpejtë ekonomike, Shqipëria vendi më tërheqës për investitorët. Në këtë kontekst, një rëndësi vendimtare ka lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, zbatimi i ligjit dhe shteti ligjor. Këto janë kushte themelore, të cilat do të shoqërohen me një seri masash të tjera", u shpreh kryeministri.
Kryeministri theksoi se ndryshe nga parashikimi për një rënie të lehtë të rritjes ekonomike, po ndodh e kundërta. "Rritja ekonomike, tha kryeministri, do të jetë qartësisht më e madhe sesa parashikimi. Indeksi i kërkesës ekonomike është në rritje, kreditimi ka rritjen më të madhe se në çdo vend tjetër. Dhe ky zhvillim pozitiv shënohet ende pa hyrë në fuqi paketa e re fiskale, e cila ul sigurimet shoqërore 31%, ul 33-45% çmimin e energjisë elektrike dhe heq çdo taksë për makineritë e importit për prodhim. Pas fillimit të veprimit të këtyre faktorëve, motorët e rritjes së shpejtë ekonomike në Shqipëri do të ndizen me të gjithë kapacitetin e tyre".
Sipas një studimi, vetëm përgjysmimi i taksave për biznesin e vogël është shoqëruar në 30% me zgjerim të biznesit ekzistues dhe në një përqindje tjetër me hapje të një biznesi të dytë të ri. Kjo masë, vlerësoi kryeministri, ka patur efekte imediate pozitive në punësim dhe në shtimin e veprimtarisë së biznesit të vogël në tërësi.
Duke siguruar se qeveria nuk do të ndalet vetëm me këto masa të përgjithshme dhe të domosdoshme, kryeministri theksoi se qeveria ështe e vendosur që me çdo grup interesi të zhvillojë dialog, duke garantuar se parparësi mbetet liria e tregut. "Ne kemi ulur taksat dhe do t'i ulim edhe më shumë ato, sepse historia ka faktuar se në rast të mirëadministrimit fiskal ulja e taksave shoqërohet me rritje të të ardhurave dhe zgjerim të biznesit. Ne jemi të vendosur në këtë politikë".
Duke vlerësuar projektin e hartuar nga grupi i punës për reformën rregullatore në shërbimet shëndetësore, kryeministri u shpreh se kjo reformë synon thjeshtimin e procedurave për dhënien e licencave dhe vënien e administratës në shërbim të biznesit. "Ne duhet të vendosim norma të reja të qendrimit të administratës ndaj jush. Ju duhet të kërkoni me seriozitet zbatimin e ligjit. Ju bëj thirrje që për çdo cënim të çdo natyre ta denonconi me kurajo dhe ju siguroj se qeveria qendron fuqishëm mbrapa jush. Ne do të heqim çdo mekanizëm presioni të pamerituar ndaj jush. Ne nuk do të pajtohemi me status quo-në. Ne do ta ndryshojmë atë në interes të qytetarit", nënvizoi kryeministri.
Duke iu përgjigjur interesimit të bashkëbiseduesve, kryeministri theksoi se liberalizimi i tregut synon garantimin e konkurencës së ndershmme. "Sektori shëndetësor, tha kryeministri, është një sektor me ndjeshmëri të veçantë për çdo vend, pasi ai ka të bëjë me jetën njerëzore. Liberalizimi i tregut duhet të shoqërohet në mënyrë të pashmangshme me konsolidimin serioz të institucioneve të kontrollit të barnave. Në çdo veprim, duhet të mbajmë parasysh se pas 12 qershorit do të jetë në mençurinë tonë të vendosim standartet evropiane. Ne do ta vazhdojmë reformën në shëndetësi dhe jam i bindur se do ta realizojmë me sukses. Ndonëse reforma në shëndetësi është një reformë me vështirësi serioze, qeveria e ka këtë reformë në axhendën e saj".