E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet Forumin e Investimeve SHBA-Shqipëri, në New York

Në ditën e parë të vizitës në New York, Kryeministri Berisha mori pjesë në Forumin e Investimeve SHBA-Shqipëri, me pjesëmarrjen e rreth 100 kompanive dhe sipërmarrjeve amerikane. Të pranishëm në Forum ishin edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi, ambasadorë etj..

Sesioni i parë i këtij Forumi u hap nga Eneida Guria, Drejtore e Agjencisë për Investimet dhe Zhvillimin (AIDA). Gjatë këtij sesioni u shfaq edhe një video promovuese të Shqipërisë, natyrës dhe potencialeve të saj.

Kryeministri Berisha bëri një prezantim shumëplanësh të zhvillimit ekonomik të vendit dhe treguesve ekonomiko-fiskalë, reformave ekonomike, fiskale dhe dixhitalizimit të procedurave administrative të ndërmarra nga qeveria shqiptare, në funksion të bërjes së vendit sa më tërheqës për investimet e huaja, e dëshmuar kjo edhe nga niveli i lartë i rritjes së investimeve të huaja në vend, si dhe të potencialeve zhvillimore të vendit në të gjitha fushat, në pasuritë e saj të mëdha natyrore, në infrastrukturë, në energjetikë, në fushën e turizmit etj.. Kryeministri ftoi sipërmarrësit amerikanë të investojnë në Shqipëri, duke i garantuar ata se do të jenë të mirëpritur, do të gjejnë një mjedis shumë miqësor për investimet dhe projektet e tyre do të jenë një histori suksesi. 

Forumi për Investimet, i parë i këtij lloji që mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u prit me interes të madh nga përfaqësuesit e kompanive dhe grupeve financiare amerikane që e ndoqën atë. Një pjesë e tyre kanë projekte konkrete që pritet t’i prezantojnë në Shqipëri. Ndër kompanitë dhe grupet financiare më të mëdha të pranishme ishin Google, Coca Cola,  kompania minerare Alcoa, American Express që ofron shërbime financiare, Bechtel, kompania e sigurimeve dhe shërbimeve financiare Chartis, UBS, Patton Boggs, Marriot Group, Behre Dolbear, Morgan Stanly etj..

Sesioni i parë i Forumit u përshëndet edhe nga kongresmeni Eliot Engel, Presidenti i Fondit Amerikan të Zhvillimit Michael Granoff, Ambasadori Frank Ëisner dhe nga Tony Podesta, President i Podesta Group.

Pas përfundimit të sesionit të parë të Forumit të Investimeve SHBA-Shqipëri, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të medias në lidhje me të.

Pyetje: Zoti Kryeministër janë mbi 100 kompani amerikane, ndër këto shumë të mëdha, të cilat kanë interes për Shqipërinë, të shprehur edhe në këtë Forum. Çfarë vlerësoni që e ka nxitur këtë interes të madh?

Kryeministri Berisha: Së pari, dëshiroj t’i falënderoj shumë përzemërsisht për praninë  e tyre sot, këtu. Natyrisht, prania e tyre është dëshmi e interesit për potencialet e mëdha që ofron sot Shqipëria për investitorët amerikanë dhe investitorët e  të gjitha vendeve. Prania e tyre këtu është një dëshmi e vullnetit që ata kanë për të shqyrtuar të gjitha këto mundësi, për të marrë informacionin më të madh të mundshëm dhe për të ndjekur shembullin e atyre investitorëve, të cilët  bënë që Shqipëria në vitin 2010 të ketë investime direkte të huaja rreth 3 herë më shumë se në vitin 2006, që Shqipëria, në vitin 2010 të jetë i vetmi vend në Europën Juglindore me rritje të investimeve të huaja.

Pyetje: Konkretisht ku do të donit të përqendrohej investimi amerikan në Shqipëri. Cili është interesi i Shqipërisë për investitorët amerikanë?

Kryeministri Berisha: Shqipëria ka fushat e veta të mëdha siç janë energjia, turizmi, minierat, arsimi, por sugjerimi im është aty, ku ata gjejnë përfitimin më të madh.

Kryeministri Berisha ndodhet në New York, për të marrë pjesë në sesionin e 66-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, së cilës do t’i adresohet me një fjalë në seancë plenare. Në axhendën e Kryeministrit parashikohen takime me homologë dhe pjesëmarrje në disa Forume dhe takime të ndryshme. 


19/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›