Kryeministri Berisha: Jam shumë i inkurajuar për të punuar për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri
Pas përfundimit të Forumit të Investimeve SHBA-Shqipëri, në New York, Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në darkën me përfaqësues të kompanive dhe sipërmarrjeve amerikane, pjesëmarrësve në Forum. Në këtë mbrëmje, i ftuar nderi ishte Presidenti i kompanisë Coca – Cola Muhtar Kent, i cili ndau me të pranishmit eksperiencën e tij në Shqipëri, suksesin e projektit dhe të investimit të tij këtu. I pranishëm ishte edhe kongresmeni Eliot Engel.
Kryeministri Berisha i falënderoi biznesmenët amerikanë për pjesëmarrjen në këtë Forum dhe shfrytëzoi edhe një herë këtë event për t’i ftuar për të investuar në Shqipëri, një vend mikpritës, me potenciale të jashtëzakonshme dhe klimë miqësore për biznesin.
Duke i uruar mirëseardhjen në këtë mbrëmje, Kryeministri u shpreh: “Të nderuar të ftuar, pjesëmarrës në Forumin e parë të Investimeve SHBA-Shqipëri,
Së pari, më lejoni t’ju falënderoj të gjithë ju, që morët pjesë në Forumin tonë të parë shqiptaro-amerikan, në kryeqytetin e botës, New York. Jam shumë mirënjohës, por, gjithashtu, shumë i inkurajuar për të punuar për të përmirësuar klimën e biznesit në vendin tim.
Miqve tanë amerikanë do t’u them se nëse shikoni në thellësinë e shpirtit të kombit tim, më e mira që do të gjeni në të është mikpritja. Unë kam qenë gjithmonë i frymëzuar nga ky virtyt. Në një kohë kur vendit tim i mungonte tërësisht tradita e turizmit, në një kohë kur Shqipëria ishte jashtë hartës së turizmit, isha i sigurt se mikpritja e kombit tim, e njerëzve të mi, është një aset i madh. Siç e dini, në një hark shumë të shkurtër kohor, nga viti 2004 në vitin 2010, numri i vizitorëve dhe turistëve që erdhën në vendin tim u rrit nga 300 mijë në 3.5 milion. Në të gjithë artikujt e shkruar mbi Shqipërinë, një nga asetet më kyç dhe thelbësor thuhet se është mikpritja shqiptare. Qëllimi ynë është që ta kthejmë këtë mikpritje në një mbështetje të madhe për biznesmenët dhe investitorët. Kjo do të thotë reforma që eliminojnë pengesat burokratike. Në mëngjes herët citova në fjalën time, Ronald Reagan për politikat fiskale. Sot do ta citoj për një tjetër mësim që kam marrë nga librat e tij. Reagan shkruan se qeveria është problemi. Dhe ai thoshte një të vërtetë të madhe. Unë e konsiderojë këtë postulatin më të mirë që duhet mbajtur mend nga ata që qeverisin, çdo ditë, madje disa herë në ditë. Por kur vjen puna tek biznesi, burokracia, qeveria është problemi. Prandaj jam shumë i vendosur të bëj më të mirën për të lehtësuar barrën dhe pengesat burokratike.
Para dy javësh mora një raport të Konkurrueshmërisë Botërore, një raport shumë serioz, është ndoshta një nga raportet më serioze të realizuara mbi konkurrueshmërinë në botë. Pashë pluset dhe minuset e Shqipërisë. Pash diçka që më gëzoi shumë, u gëzova që zbulova se Shqipëria renditej ndër 10 vendet e para në botë për vetë-kufizimin e qeverisë në ekonomi. Në atë renditje ne ishim të 9-tët. Unë ju siguroj se do bëj më të mirën time për të shkuar më tej, sa më e pakët ndërhyrja e qeverisë, aq më e mirë është performanca e ekonomisë dhe më e mirë do të jetë klima e biznesit.
Tani kam kënaqësinë e madhe t’i jap fjalën Presidentit të Coca-Cola, Muhtar Kent, një nga miqtë më të mirë të kombit tim. Dua t’ju falënderoj që u bashkuat me ne, në këtë takim.”
Duke marrë fjalën, Presidenti i Coca – Colas- Muhtar Kent u shpreh:
“Shumë faleminderit Kryeministër Berisha,
shkëlqesitë tuaja,
i nderuar ministër i Jashtëm,
ambasadorë,
Miq,
është një kënaqësi e vërtetë që jam këtu, në këtë mbrëmje, në Forumin e parë të Investimeve Shqiptaro-Amerikanë. Uroj që ju të keni pasur një takim të mirë dhe shumë projekte të mira që do të dalin nga ky Forum, për të investuar më tej në Shqipëri.
Kur mora një letër nga Kryeministri Berisha, rreth një muaj më parë, duke më ftuar të isha këtu, më dha një kënaqësi të madhe. Ishte në fillim të viteve ‘90, për të qenë të saktë 1991, kur takova për herë të parë doktor Berishën. Ishte udhëtimi im i dytë në Shqipëri, në atë kohë dhe dikush më tha që duhet të shkoja të vizitoja një doktor Berisha. Ishte hera e parë që diskutohej për politikë dhe po ndodhte tranzicioni për demokraci. Vizitova Shqipërinë, sepse në atë kohë isha në Vjenë, isha presidenti i Coca – Cola për Europën Qendrore dhe Lindore dhe doja të investoja në Shqipërinë e pas Ramiza Alisë dhe takova doktor Berishën, më pas President Berishën, tani Kryeministër Berishën, liderin e vendit të mrekullueshëm, Shqipëri. Në atë kohë i thashë vetes se ky njeri po më jep shumë besim, madje që përpara se të zgjidhej Kryeministër, jo vetëm për investimin tim, por për të ardhmen e vendit të tij, për vizionin që kishte për vendin e tij që në 1991. Ndërkohë që vendi po ndryshonte nga një prej vendeve më të varfër në atë kohë, jo vetëm në Europë, por në botë, ai kishte një vizion të madh, se si do ta kthente Shqipërinë në një vend të begatë në Europën Juglindore. Dhe patëm shumë diskutime sëbashku në atë kohë.
Tani, pas pothuajse 20 vjetësh, ju po flisni për një Shqipëri që ka kaluar nga niveli i të ardhurave për frymë prej rreth 200 dollarësh në 8000 dollarë. Megjithatë ky është vetëm fillimi i atij udhëtimi. Jam i bindur që ky është fillimi i atij udhëtimi, prandaj në atë kohë unë besova dhe bëra një investim prej 50 milion dollarë, sëbashku me partnerët e mi italianë, në Shqipëri, për të investuar në një fabrikë moderne të Coca – Cola-s. Kur investon në një vend, Coca - Cola jo vetëm krijon vende pune direkte, por zakonisht efekti multiplikativ është 10 me 1. Kështu, për çdo punë që krijon Coca – Cola, krijohen 10 vend pune në zinxhirin e furnizimeve, prodhimin e shisheve, reklamat, transportin etj.. Kjo ndodhi në Shqipëri dhe jo vetëm kjo, për shkak se partnerët tanë investues ishin italianë. Kjo krijoi një urë të mrekullueshme midis Italisë dhe Shqipërisë në vitet që erdhën dhe lulëzoi në investime të shumta që janë bërë në Shqipëri.
Elementi më i rëndësishëm është se ju krijoni një marrëdhënie me dikë, siç bëri në atë kohë doktor Berisha. Shumë gjëra ndodhën në vitin 1997, ndodhi një ndryshim në qeverisje. Doktor Berisha kaloi në opozitë. Unë u bëra një sipërmarrës në biznesin e Coca - Cola-s, u bëra një mbushës shishesh etj. dhe vite më vonë, teksa ngjisja shkallët e hotelit Belvedere në Davos, në vitin 2005, e pashë, e përqafova. Të gjithë u përqafuam. E urova dhe i thashë se tani fillon një fazë e re e një udhëtimi begatie në Shqipëri. E thashë nga thellësia e zemrës. U them të gjithë investitorëve të mundshëm nga SHBA që do të duan të investojnë në Shqipëri, që ka shumë potencial, do të ketë shumë hotele të bukur me 5 yje. Vazhdoj t’i them të gjithë miqve të mi që janë në biznesin e hoteleri-turizmit që ka potencial të jashtëzakonshëm. Kur ju jeni në bregdetin shqiptar, shikoni Korfuzin dhe kur shkoni në Korfuz dhe shikoni bregdetin shqiptar, ai është shumë i ndryshëm, është shumë më i bukur, për shkak të maleve të larta, të maleve shkëmborë, të natyrës. Deti vetë është i paprekur, natyral, i gjelbër dhe e di se shumë ditë më të shkëlqyera e presin Shqipërinë dhe popullin e saj.
Sërish ka të bëjë me marrëdhëniet, ka të bëjë me faktin se kur beson dikë, siç besova unë në atë kohë tek President Berisha, ne ishim të lumtur të inauguronim fabrikën me partnerët italianë, në vitin 1994, kur erdhëm me familjen Buzi dhe premë fjongon sëbashku dhe që prej asaj kohë ajo fabrikë ka krijuar shumë vende punë, ka paguar shumë taksa dhe ka gjeneruar shumë interes për vendin.
Mund t’i them çdo investitori të mundshëm në SHBA se ky është një vend që nuk do të ndalet. Është një vend që ka dinamizëm, një vend ky njerëzit besojnë në të ardhmen e tyre, falë lidershipit të Kryeministrit Sali Berisha. Dhe unë dua ta komplimentoj. Nuk mund t’ju them sa i gëzuar jam që jam në praninë e zonjës Berisha, Kryeministrit Berisha, me ju të gjithë në këtë mbrëmje, dhe t’i uroj popullit shqiptar begati të vazhdueshme. Faleminderit shumë.”
20/09/2011