E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet Konferencën vjetore të Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë

Kryeministri Berisha përshëndeti sot Konferencën vjetore të Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë, të zhvilluar në ambientet e hotel “Tirana International”.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“I nderuar zoti ministër,

Shkëlqesi ambasadorë, përfaqësues të vendeve mike, të akredituar në Tiranë,

Zonja dhe zotërinj ambasadorë, përfaqësues të Shqipërisë në institucionet ndërkombëtare dhe vendet mike kudo në botë.

Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht dhe t’ju falënderoj me mirënjohje për punë e madhe që keni bërë gjatë këtij viti në promovimin dhe mbrojtjen e interesit kombëtar, si interes i parë i çdo njeriu, i çdo qytetari, i çdo shoqërie dhe i çdo vendi. Në këtë kontekst, unë them se interesi kombëtar aktual i shqiptarëve është integrimi evropian, sepse edhe interesat kanë dinamizmin e tyre. E them këtë për shumë arsye. Interesi kombëtar i shqiptarëve është integrimi evropian, sepse në këtë integrim problemet shqiptare marrin përgjigjen më të mirë. Interesi kombëtar i shqiptarëve është integrimi evropian, sepse Bashkimi Evropian që grupon sot 27 kombe përbën një projekt që ka nga shqiptarët mbështetjen më të madhe se çdo projekt tjetër. Atë e mbështesin 96 % e qytetarëve shqiptarë. Integrimi evropian është interesi kombëtar i shqiptarëve, sepse tërësia e normave, kritereve, standardeve, ligjeve, praktikave të këtij bashkimi garanton më mirë liritë, të drejtat e qytetarëve shqiptarë dhe prosperitetin e tyre. Ndaj dhe i tërë përqendrimi i institucioneve të vendit, i diplomacisë shqiptare, duhet të jetë, në këtë kontekst, në promovimin e interesit kombëtar, në një përpjekje të madhe për të shpejtuar procesin e integrimit të shqiptarëve në Bashkimin Evropian.

Integrimi i vendit në Bashkimin Evropian është një proces kompleks, por për shqiptarët ky proces duhet të jetë fund e krye i bazuar në meritën. Kjo jo si një gjest krenarie, por si një interes jetik i qytetarëve shqiptarë. I bazuar në meritë do të thotë që ne të zhvillojmë dhe konsolidojmë në këtë vend standardet e Kopenhagenit, ekonominë e lirë të tregut, acqui-të dhe kohezionin social, paqen dhe stabilitetin si shtyllat më kryesore në të cilat është i bazuar Bashkimi Evropian, ndërtimi i tij. Pra, nuk mund të konceptoj ndryshe procesin e integrimit veç se si zhvillim dhe konsolidim i një universi reformash, të cilat synojnë vendosjen, zhvillimin, konsolidimin në këtë vend të tërësisë së standardeve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Në rrafshin politik Shqipëria ka bërë një progres të madh dhe ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Një vit më parë Shqipëria zhvilloi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pa këtë mekanizëm jetik për çdo shoqëri të lirë, integrimi evropian për shqiptarët do të ishte një horizont që largohej prej tyre. Pavarësisht nga debatet, por asnjë institucion, asnjë qeveri, nuk ka vënë në diskutim se qytetarët shqiptarë më 28 qershor shprehën vullnetin e tyre lirisht, se nxorën një shumicë ilegjitime dhe se kanë institucione legjitime.

Duke theksuar këtë, qeveria në asnjë rrethanë nuk lejon arrogancën, indiferencën apo prepotencën ndaj pretendimeve të opozitës. Jo! Kemi qenë, mbetemi dhe do të jemi të hapur për dialog konstant, për bashkëpunim konstant me opozitën. Disa propozime janë bërë. Mendoj se në këto propozime, me frymën e kompromisit, mund t’i jepet përgjigje përfundimtare, në mënyrë të ndershme, të gjitha pretendimeve. Nuk është çështja këtu e një kundërshtie siç kërkojnë ta paraqesin dashakeqës të kimizmit midis dy liderëve. Absolutisht jo! Me liderin e opozitës kam ndërmarrë reformat më të thella në historinë e karrierës time politike. çështja është në qëndrimin ndaj standardeve të Kopenhagenit, ndaj institucioneve, Kushtetutës, ligjeve dhe transparencës.

Shqipëria disponon të gjitha mundësitë për t’i dhënë përgjigjen më të shkëlqyer të gjitha çështjeve politike të brendshme që mund të ngrihen. Institucionet e vendit janë në një proces konsolidimi dhe është kusht përcaktues në kriteret e Kopenhagenit konsolidimi i institucioneve dhe respektimi i tyre. Reformat vazhdojnë me ritme të shpejta. Liritë dhe të drejtave e qytetarëve shqiptarë në të gjitha nivelet kanë njohur dhe njohin një ridimensionim më të madh. Në këtë fushë përmirësime substanciale janë bërë në të gjitha aspektet.

Zonja dhe zotërinj,

Interesi kombëtar, si interes i integrimit të shqiptarëve në Bashkimin Evropian, kërkon që diplomacia shqiptare në tërësinë e saj të vazhdojë të konsolidojë si përparësi të madhe drejtimin ekonomik. Unë ju përgëzoj ju se gjatë këtij viti përpjekjet tuaja kanë qenë më serioze se asnjëherë. Drejtimi ekonomik, zhvillimi i këtij drejtimi, intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike është rruga më e shkëlqyer, me e sigurt, e konsolidimit të marrëdhënieve të mira, shumë të mira dhe miqësore me vendet e tjera. Dashuritë janë eterike, marrëdhëniet ekonomike janë ato të cilat afrojnë jo vetëm qeveritë, por afrojnë ekonomi, qytetarët, janë ato të cilat me të vërtetë krijojnë baza solide për bashkëpunim intensiv dhe të gjithanshëm. Në këtë kontekst, duke shprehur gjithë respektin e madh për ju, do t’ju sugjerojë që të konsideroni një Master në ekonomi, pavarësisht nga fushat nga të cilat ju jeni angazhuar në diplomaci. është jetike që ju, kudo që jeni, të promovoni potencialet e mëdha ekonomike të këtij vendi që në hartë është i vogël, por në realitet është një shembull pozitiv në rrafshin ekonomik, është një vend me potenciale shumë të mëdha. Promovoni të gjitha arritjet e Shqipërisë në fushën ekonomike dhe ju keni motive reale. Progresi i vendit në këtë drejtim është shumë i madh. Shqipëria sot vlerësohet 27 përqind më lartë sesa mesatarja e vendeve të OECD-së për lehtësirat në fillimin e biznesit. Në këtë garë ne ia dolëm të vendosemi aty ku jemi. Shqipëria sot vendoset disa pikë më lartë se mesatarja e vendeve të OECD-së për lehtësirat në tërësi në investime. Shqipëria është i vetmi vend, apo i dyti ndoshta, në botë me procedura tërësisht elektronike në prokurime. Shqipëria ka një nga sistemet fiskale që garanton lirinë më të madhe ekonomike në Evropë dhe në botë. Potencialet e saj në resurse janë shumë të mëdha. Asnjë vend në Evropë nuk ka potencialet turistike për t’i zhvilluar siç i kemi ne. Mbi 90 përqind e brigjeve tona presin investime dhe zhvillues. Një potencial po kaq i madh në turizëm ekziston në alpe dhe në të gjitha malet e vendit.

Shqipëria ka një potencial shumë të madh minerar. Shqipëria është realisht një faktor i rëndësishëm pothuajse botëror në kromite, nikel, hekur, hekur nikel. Shqipëria është një vend me rezerva të mëdha ujore për sipërfaqen e saj. Ajo derdh në basenin e Mesdheut shumë e shumë herë më tepër ujëra për sipërfaqe se çdo vend tjetër. Pozicioni i saj gjeografik, burimet e mëdha energjetike, e bëjnë atë një vend jashtëzakonisht të përshtatshëm për investime në fushën e energjisë. Kompani nga e gjithë bota po punojnë në Shqipëri në këtë fushë. U takon ju të inkurajoni sa më shumë. Të gjitha zyrat e vendit janë të hapura për ta. Brenda një apo dy muajsh ne instalojmë në këtë vend një sistem tërësisht të ri për investimet. Do të ketë një transformim të thellë të Albinvestit, i cili kalon në një agjenci, pothuajse, plotësisht one stop shop. Agjencia e Investimeve do të kryesohet nga Kryeministri, do të ketë në bord disa ministra dhe disa përfaqësues të sektorit privat. Qëllimi i saj është të shkurtojë në maksimum kohën që i duhet një investitori për të filluar projektin e tij, të promovojë maksimalisht të gjitha potencialet e vendit, të bëjmë gjithnjë e më miqësore klimën për investimet e huaja.

Por këto reforma janë zbatuar dhe kanë pasur rezultate konkrete në ekonominë shqiptare. Vitin që kaloi, në kulmin e një krize, ne kemi qenë ndër dy vendet me rritje ekonomike në Evropë. Ne kemi pasur rritjen më të madhe ekonomike në Evropë. Këtë vit ju garantoj se rritja do të jetë akoma më e madhe. Eksportet shqiptare kanë rritje të paprecedentë. Rritja e tyre në tërësi është 66 përqind. është viti i parë në të cilin ne regjistrojmë një hop të vërtetë në drejtim të balancit tregtar të vendit. Turizmi është shndërruar në një degë kryesore të ekonomisë shqiptare. Me shpejtësi po ndryshohet infrastruktura. Stabiliteti makroekonomik është i garantuar. Qeveria, për një kujdes të veçantë, shkurtoi me 25 përqind shpenzimet në muajin korrik.

Nuk do të ketë rritje borxhi, do të ketë zvogëlim të borxhit dhe fundi i këtij viti shënon një deficit buxhetor të krahasueshëm me vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Të gjitha këto janë premisa inkurajuese për çdo investitor që të konsiderojë më seriozitetin më të madh, të vendosë në këtë vend projektin e tij me një sukses të garantuar. Prosperiteti i vendit, zhvillimi i shpejtë ekonomik i tij, është kusht themelor për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Shqipëria i ka të gjitha potencialet për t’i shndërruar ato në vlera të mëdha për qytetarët e saj. Marrëdhëniet tona janë marrëdhënie miqësie, paqeje dhe stabiliteti me vendet e rajonit.

Si vend anëtar i NATO-s ne kemi bërë dhe bëjmë çdo përpjekje për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh nga anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Ne jemi prezent në Afganistan dhe për herë të parë në mision luftimi me një njësi të vogël. Ne do të konsiderojmë aftësinë dhe rritjen e potencialit tonë që njësit tona të shpalosen aty ku Aleanca do të ketë nevojë dhe në misionin që do t’i nevojitet asaj.

Marrëdhëniet rajonale janë shumë të rëndësishme për ne. Ne besojmë se integrimi rajonal është një konditë jashtëzakonisht e rëndësishme për integrimin evropian. Jam i bindur se në thelb dhe në të vërtetë edhe kombet e tjera nuk mund të kenë interes tjetër kombëtar më të mirë sesa integrimin evropian. Ndaj dhe, në këtë kontekst, vlerësojmë shumë qëndrimin e hapur të Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor. Sigurisht që këto vende kanë shumë të drejtë të mos pranojnë të importojnë sherre, të mos pranojnë të importojnë konflikte. Ndaj dhe është në detyrimin tonë të punojmë me durim për një kapitull të ri, në veçanti midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan. Këto dy kombe kanë pasur një histori shumë të hidhur, një histori të përcaktuar jo vetëm nga marrëdhëniet bilaterale, por të diktuar edhe nga faktor ndëkrombëtar që në fillimin e shekullit të kaluar. Sot shqiptarët dhe serbët duhet, në interesin e tyre më të mirë, të nisin të shkruajnë një kapitull të ri në marrëdhëniet midis tyre, një kapitull i cili do të jetë kapitulli i të ardhmes së tyre evropiane.

Vendimi i fundit i gjykatës së Hagës ishte një vendim historik, sepse E Drejta Ndërkombëtare i dha fund jo vetëm një pretendimi absurd të Beogradit, por edhe një padrejtësie të madhe historike që i ishte bërë shqiptarëve në fillimet e shekullit që shkoi. E Drejta Ndërkombëtare njohu në mënyrë përfundimtare të drejtën e qytetarëve të Kosovës për pavarësinë dhe lirinë e tyre.

Diplomacia shqiptare do të bëjë të gjitha përpjekjet për të promovuar njohjen e mëtejshme të Kosovës. Vendet e Quintit janë thellësisht të angazhuara. Kosova është një çështje botërore në këtë rrafsh, por ne do të përpiqemi të luajmë rolin tonë, të japim mbështetjen tonë, të bashkërendojmë të gjithë përpjekjet tona dhe të vendeve mike, pasi njohja e pavarësisë së Kosovës nga vende që nuk e kanë njohur është një kontribut real madhor i tyre për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Kurrë ndonjëherë në historinë e tij Ballkani nuk ka qenë më i lirë, më në paqe dhe më stabël sesa sot. Kurrë ndonjëherë marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë nuk kanë qenë më të mira sesa sot. Një qeveri demokratike bën përpjekje çdo ditë për zgjerimin e tyre. EULEX-i dhe institucione të tjera ndërkombëtare kanë në epiqendër garantimin dhe respektimin e të drejtave të minoriteteve në Kosovë.

Qëndrim ndaj Kosovës nuk ndikon në marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera. Ne bëjmë përpjekje të mëdha për të bindur, për të promovuar këtë çështje, por natyrisht marrëdhëniet tona të mira dhe me vende që nuk e kanë njohur Kosovën, nuk mund të lëkunden apo të mbeten në vend numëro pasi koha është e nevojshme për çdo vend për të marrë një vendim të rëndësishëm. Dhe, së dyti, interesi i shqiptarëve në tërësi është paqja, stabiliteti dhe bashkëpunimi.

Për ta mbyllur dua të theksoj se drejtimi ynë kryesor është integrimi në Bashkimin Evropian. Marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara kanë qenë, janë dhe do të mbeten një orientim strategjik i palëkundur në çdo kohë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kontributet e tyre historike në zgjidhjet e mëdha që kanë arritur shqiptarët, por përveç kësaj sot ato janë faktor kryesor i paqes dhe sigurisë në botë. Në këtë kontekst, ne punojmë dhe do të punojmë për intensifikimin e këtij bashkëpunimi të gjithanshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet mike në Evropë.

Ne kemi mirënjohje të madhe ndaj Italisë mike, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe të gjitha vendeve. Ky vend ka ndryshuar më shumë se çdo vend tjetër, por këto ndryshime do të kishin qenë absolutisht të pamundura po të mos qe solidariteti i jashtëzakonshëm që dëshmuan ndaj shqiptarëve këto 18 vite vendet e lira të Evropës dhe botës.

Faleminderit!”


25/08/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›