E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret delegacionin e Fondacionit holandez “Eduardo Frei”

Kryeministri Berisha priti sot, në takim, një delegacion të Fondacionit holandez “Eduardo Frei”, i Partisë Kristiandemokrate, të kryesuar nga zoti Bart van Winsen.

Z. Winsen i shprehu Kryeministrit Berisha vlerësimet për studimin më të fundit të Newsweek mbi cilësinë e jetesës, i cili e rendit Shqipërinë në vendin e 57, ndër 100 vendet e përzgjedhura, si më të mirat për të jetuar.

Kryeministri Berisha, pasi bëri një ekspoze të shkurtër të ndryshimeve të mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri, veçanërisht në vitet e fundit, theksoi se këto arritje janë rezultat i përpjekjeve të mëdha që kanë bërë shqiptarët, reformave të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria, të cilat kanë bërë që Shqipëria sot të jetë vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë, të ketë rritje ekonomike në kohën e krizës ekonomike dhe financiare botërore, të ketë rritje të pagave dhe pensioneve, si dhe një klimë gjithnjë e më të favorshme për investimet. Rezultate të rëndësishme gjatë këtij 5 vjeçari, theksoi Kryeministri, janë arritur edhe në arsim, ku është trefishuar numri i studentëve dhe po punohet për reformimin e sistemit të arsimit të lartë në vend.

Kryeministri Berisha tha se projekti më madhor për shqiptarët është integrimi në Bashkimin Europian dhe të ecësh drejt Europës, do të thotë të vazhdosh me reforma të thella e të gjithanshme.

Në takim, u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit dhe identifikimin e hapësirave, ku ky Fondacion mund të japë kontributin e tij si në fushën sociale, të decentralizimit, të hartimit të strategjive dhe përfshirjes së rinisë dhe grave në politikbërje. Zoti Winsen u shpreh se Fondacioni “Eduardo Frei” po sheh mundësinë e hapjes së zyrës së tij edhe në Shqipëri.


25/08/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›