Kryeministri Berisha përshëndet punimet e konferencës së dytë vjetore të Bankës Botërore mbi Ekonominë e Zhvillimit
- Kryeministri Berisha shprehu besimin dhe sigurinë se me reformat që do të ndërmerren, me konsolidimin e shtetit ligjor, luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit, zhvillimin e arsimit, dixhitalizimin e Shqipërisë, ky vend do të udhëtojë drejt orbitës së vendeve të zhvilluara shumë më shpejt se sa mund të imagjinohet
Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e konferencës së dytë vjetore të Bankës Botërore mbi Ekonominë e Zhvillimit. Në këtë konferencë merrnin pjesë ministra, ambasadorë, drejtues të Agjencive Donatore, etj.
Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha:
“Së pari dëshiroj të falënderoj Bankën Botërore për organizimin e kësaj konference shumë të rëndësishme, në të cilën ne jemi së bashku me partnerin tonë kryesor. Banka Botërore është një partner që shoqëron Shqipërinë me një mbështetje të ngushtë dhe të gjithanshme gjatë 20 viteve të fundit, ndan me këtë vend sukseset dhe mossukseset, por në tërësi ndan me Shqipërinë dhe shqiptarët një histori të vërtetë suksesi.
Në këto vite grupet e Bankës Botërore, drejtues të misionit të saj dhe ekipet e tyre, ekspertët e këtij institucioni, dhanë një kontribut të madh në një transformim epokal të ekonomisë shqiptare nga ekonomia më e centralizuar e Evropës dhe ndër më të centralizuarat e planetit, totalisht e falimentuar, në një ekonomi tregu me ambicie të mëdha dhe reale.
Sot, ne mblidhemi në këtë konferencë për të përcaktuar një horizont të ri, të cilën Shqipëria duhet ta ketë objektiv për të arritur në rrafshin ekonomik, në vitet e afërta që vijnë. Nëse çdo vend ka nevojë të ecë, Shqipëria ka nevojë të vrapojë, por në rast se ka ndonjë vend tjetër që ka nevojë të vrapojë, Shqipëria ka nevojë të fluturojë.
Administrata dhe qeveria shqiptar, partnerët e saj, janë të angazhuar me një tërësi reformash, me të cilat synojnë rritjen e shpejtë dhe të qëndrueshme ekonomike të këtij vendi, si promotor kryesor i zhvillimit të tij. Kjo përpjekje e qeverisë dhe e partnerëve tanë bazohet në faktorë jashtëzakonisht të rëndësishëm. Shqipëria është vend i potencialeve të mëdha. Shqipëria është një vend që në hartë nuk ka ndonjë sipërfaqe të madhe, por është një vend që i ofron çdo investitori në botë mundësitë më të mëdha. Me burimet e saj të pashtershme natyrore, nga nafta tek platini, me potencialet e saj turistike të pashfrytëzuara, ndër më mahnitëset në tërë pellgun e Mesdheut. Shqipëria ka pozicionin gjeografik më të favorshëm dhe, në këtë kontekst, ky vend mund të përfitojë maksimumin e asaj që ofron gjeopolitika, e cila, ç’është e vërteta, përbën një faktor natyror të papërmbajtur në veprimet e saj. Briri më perëndimor i gadishullit është porta e Evropës Perëndimore drejt këtij gadishulli, por është edhe porta e Lindjes drejt Evropës Perëndimore. Shqipëria ka një forcë punëtore të admirueshme, të re, dinamike, të etur për kualifikim dhe e vendosur të përballet me të gjitha, përfshi ato më të vështirat. Shqipëria ka të gjitha potencialet për t’u vendosur në orbitën e vendeve më të zhvilluara. Kusht vendimtar për këtë janë reformat, si perpetum mobile në arritjen e këtij qëllimi.
Qeveria shqiptare, gjatë këtyre viteve, ka ndërmarrë reforma të thella në të gjitha fushat, të cilat kanë sjellë përmirësime madhore në klimën e biznesit. Vendi që 4 vite më parë regjistronte biznesin në 42 ditë, sot e regjistron në gjysmë ore; vendi që kishte të trashëguar një burokraci ekzemplare, sot ka procedurat më të thjeshtuara në dogana, në sistemin tatimor dhe në tërësi; vendi i afro 200 lejeve dhe licencave, sot numëron gjithsej 63 dhe të tjerat i ka grumbulluar në ‘one stop shop’ për lejet dhe licencat. Kjo është një histori e vërtetë suksesi. Vendi me një sistem fiskal burokratik dhe të komplikuar, sot numëron gjithsej 6 taksa kombëtare; vendi me një barrë fiskale të papërshtatshme, sot është një ndër vendet me barrën fiskale më të ulët në Evropë. Pra, hapa të rëndësishme janë ndërmarrë, por hapat vendimtarë janë përpara për tu ndërmarrë. Shqipëria do të mund të vendoset në orbitën e vendeve të zhvilluara vetëm si një vend i shtetit ligjor të konsoliduar dhe luftës me zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit.
Qeveria ime është e vendosur të ndërmarrë reformat më të thella dhe ne e kemi faktuar këtë, në mënyrë që të rrisë transparencën në çdo proces, në çdo vendim dhe në çdo akt të saj e të sektorit publik. Ishte inkurajues fakti që vendi, i cili 4-5 vite më parë, sipas raporteve të institucioneve më serioze, rreth 70 përqind të prokurimeve i kishte direkte dhe nën dorë, sot 100 përqind të prokurimeve i ka elektronike dhe vlerësohet më një çmim, cili simbolizon përpjekjen tonë, përpjekje e vazhdueshme e pandërprerë. Unë besoj dhe jam i bindur se alpha e të gjithë përpjekjeve të kësaj qeveria është dhe duhet të jetë nxjerrja jashtë korrupsionit e çdo procedure. Ne do mund të shfrytëzojmë potencialet tona të mëdha; do mund të shndërrohemi në një faktor madhor rajonal në fushën e energjisë, në një superfuqi energjetike; do mund të shndërrohemi në një faktor botëror në fushën e minierave; do mund të shndërrohemi në një ekonomi të fuqishme eksportuese me rritje të madhe, vetëm e vetëm duke konsoliduar shtetin ligjor, duke luftuar korrupsionin dhe përmirësuar gjithnjë e më shumë klimën e biznesit. Reforma të thella nevojiten dhe janë në vazhdim. Shqipëria është vendi i inspektorateve me praktikë të papranueshme, të cilët i grabisin bizneseve më të çmuarën, kohën, në mënyrë të pamëshirë. Një reformë e thellë, me ndihmën e Bankës Botërore, është në përfundim. Sistemi i inspektorateve në këtë vend reduktohet nga 36 në 11 dhe do të jetë i tëri e-system, në mënyrë që të shmangim abuzivitetin e këtij sistemi të domosdoshëm, por edhe të rrezikshëm në qoftë se nuk funksionon mbi bazën e kritereve të sakta ligjore.
Shqipëria më shumë se çdo vend tjetër në Evropë ka nevojë për investime të huaja direkte, sepse edhe në vitin ’90 si vendi i investimeve të huaja të ndaluara më Kushtetutë. Në këtë kontekst dua të theksoj se anëtarësimi në NATO shënoi një kthesë rrënjësore, historike, në besimin e investitorëve evropianë dhe botëror ndaj vendit tonë. Pas marrjes së ftesës, qeveria firmosi mbi 5 miliardë euro koncesione dhe investime direkte . Potencialet e vendit janë shumë më të mëdha, ndaj dhe ne kemi punuar dhe po punojmë ngushtë më Bankën Botërore, në mënyrë që të vendosim në Shqipëri standardet më të mira, të udhëhiqemi dhe frymëzohemi nga shembujt më të mirë, më të arrirë, për një klimë biznesi sa më miqësore dhe sa më të përshtatshme.
Stabiliteti makroekonomik i vendit është një tjetër faktor madhor që përcakton qëndrimet e qeverisë sime, është një kusht tjetër themelor për një zhvillim të shpejtë dhe të qëndrueshëm.
Zonja dhe zotërinj,
Qeveria, këtë vit, ka vendosur të ecë drejt një zvogëlimi të ndjeshëm të deficitit buxhetor, ndonëse nuk ka qenë edhe në shifra të papranueshme, ka vendosur të reduktojë borxhin publik dhe e vërteta është që në këtë piramidëri botërore ekonomia shqiptare qëndroi më mirë se shumica e ekonomive të tjera. Dhe kjo, jo se ekonomia shqiptare nuk është një segment i vogël i ekonomisë globale, e kundërta është e vërtetë, sepse ekonomitë e vendeve të vogla janë të dënuara apo të destinuara të jenë hiperglobale, por sepse funksionojë mbi parime të shëndosha. Në qoftë se duhet të nxjerrim mësime, një është mësimi themelor: stimuli, bonusi. Më e shkëlqyera antikrizë është lehtësimi i biznesit dhe reduktimi i barrës fiskale për biznesin.
Ekonomia jonë rezistoi, sepse ajo u gjet nga cunami financiar botëror si një prej ekonomive më barrën fiskale më të ulët. Ekonomia jonë rezistoi, sepse në Shqipëri numri i punonjësve publikë është 2 herë më i ulët se në secilin vend të rajonit. Ekonomia jonë rezistoi falë një përpjekje të jashtëzakonshme për të shndërruar Shqipërinë në një vend tërheqës. Asnjë prej investitorëve të mëdhenj nuk është tërhequr nga Shqipëria. Ka ndodhur një ngadalësim, që është i vetëkuptueshëm në këtë furtunë të tregjeve financiare evropiane. Qeveria dhe ministria e Financave vendosën të paraqiten në tregun financiar evropian. Koha është e pamëshirë. Statusi junk i shpallur për borxhin grek ka krijuar një konfuzion të madh në tregjet evropiane. Ne nuk jemi tërhequr, nuk kemi gjetur asnjë arsye që të tërhiqemi. Ne e kemi shtyrë, natyrisht, por kemi besim të plotë se investitorët kanë shumë arsye për të shprehur besimin e tyre tek eurobondet Shqipërisë.
Shqipëria do mund të jetë një vend, do mund të kapë orbitën e vendeve të zhvilluara, vetëm si një vend me arsim të zhvilluar. Këto 4 vite ne kemi, pothuajse, trefishuar numrin e studentëve; këto 4 vite janë hapur me dhjetëra degë dhe fakultete në të gjitha shkollat e larta të vendit, në mënyrë që sistemi ynë arsimor të përshtatet më mirë drejt tregut; këto 4 vite u instalua përfundimisht sistemi i Bolonjës, por, sërish, më duhet të them se këto janë hapat e para të rëndësishme. Që Shqipëria të realizoje objektivat e saj duhet të kompletojë reformën në arsim me të gjithë komponentët; të inkurajojë studimin shkencor dhe inovacionin; të zgjidhë përfundimisht mekanizmin e financimit.
Ky vend do të mund të vendoset në orbitën e vendeve të zhvilluara vetëm si një vend me shërbimet moderne, të sigurta, me një sistem shëndetësor të zhvilluar dhe të konsoliduar. Reforma e këtij sistemi është një ndër reformat e vonuara, por ajo tani po ecën me ritme më të shpejta. është jetike që ne të zgjidhim mekanizmat financiarë të këtij sistemi, të zgjidhim mekanizmat menaxheriale të këtij sistemi, të ngremë në një nivel të ri të gjithë kapacitetin profesional dhe shkencor të tij.
Zonja dhe zotërinj,
Në qoftë se ne kthejmë kokën ku ishim 20 vjet më parë, shohim se është shumë e vështirë të gjesh një vend tjetër në Evropë apo në botë që të ketë bërë progresin që ka bërë Shqipëria në rrafshin ekonomik. Vendi që filloi me 204 dollarë të ardhura për frymë, vendi që filloi me një kolaps të plotë ekonomik, sot në vitin 2010, në një kohë vështirësish serioze për, pothuajse, të gjitha ekonomitë e Evropës. Në 4 muajt e parë të këtij viti ka një mbi dyfishim të eksporteve ‘Made in Albania’ dhe një rritje prej 27 përqind të eksporteve të bazuara në materialet e importuara. Në 4 muajt e parë të këtij viti numëron rreth 40 përqind më shumë biznese të reja të regjistruara, në krahasim me 4 muajt e parë të vitit 2009. Sistemi i saj bankar është ndër më likuidet në Evropë dhe në botë dhe ka një rritje prej 13 për qind të depozitave. Kriza e mosbesimit në sistemin financiar ka marrë fund dhe i la lënë vendin, sërish, vendosjes së besimit të plotë në këtë sistem.
Unë besoj dhe jam i sigurt se me reformat që do të ndërmarrim, me konsolidimin e shtetit ligjor, luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit, zhvillimin e arsimit, dixhitalizimin e Shqipërisë, ky vend do të udhëtojë drejt orbitës së vendeve të zhvilluara shumë më shpejt se sa e imagjinon secili nga të pranishmit në këtë sallë.
Faleminderit!”
01/06/2010