Kryeministri Berisha përshëndet certifikimin nga FMN të rritjes dyshifrore ekonomike të Shqipërisë
Kryeministri Berisha përshëndeti sot, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, vendimin e ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar të atashuar për Asistencë dhe Ndihmë të Institutit Shqiptar të Statistikave, për të sjellë të certifikuar të gjitha të dhënat e botuara nga ky Institut për rritjen dyshifrore ekonomike të Shqipërisë.
Kryeministri tha se kjo rritje dyshifrore është rezultat direkt i reformave të thella fiskale dhe ekonomike të ndërmarra nga qeveria dhe i luftës së suksesshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa garantoi se kjo rritje do të jetë edhe më e lartë në vijim.
Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:
“Kam kënaqësinë e veçantë t'ju informoj se ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të atashuar për Asistencë dhe Ndihmë të Institutit Shqiptar të Statistikave, kanë dërguar të certifikuar të gjitha të dhënat e botuara nga ky Institut, kanë certifikuar pra, rritjen dyshifrore. Dua t'ju bëj me dije se rritja 10 për qind i referohet 6 mujorit që përbëhet nga 3 muajt e fundit të vitit 2007 dhe 3 muajt e parë të vitit 2008, pra, nuk janë përfshirë tre mujorët e tjerë. Në këtë kontekst, rritja dyshifrore, siç e dini, ka qenë një premtim i pa shqipëruar nga ne.
Në programin tonë elektoral dhe programin e qeverisë kemi bërë fjalë për rritje të shpejtë ekonomike dhe e vërteta është se nuk kemi pasur guximin e nevojshëm të themi se do të kemi rritje dyshifrore. Por, pavarësisht nga kjo, ne kemi punuar me një vendosmëri të jashtëzakonshme për këtë objektiv. Unë e kuptoj se rritja dyshifrore për njeriun e thjeshtë paraqet edhe një lloj abstraksioni, por, nëse e kthejmë në terma të tjerë konkretë, rritja dyshifrore është baza e arritjeve tona të tjera.
Në sajë të reformave të thella që kemi ndërmarrë, kjo ekonomi ka fituar shpejtësinë më të madhe të rritjes që është mbi 10 për qind. Por ju do të njiheni me të dhënat e dy tremujorëve të tjerë, ku i fundit del nga muaji shkurt.
Janë tashmë disa konkluzione se përse është arritur kjo rritje dyshifrore. Së pari, kjo rritje dyshifrore është rezultat direkt i reformave të thella fiskale dhe ekonomike. Më direkt, kjo rritje dyshifrore absolutisht do të ishte e pamundur po të mos ishte lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Mendoj se për këtë vit të ri nuk do të mund të kishim lajm më pozitiv për këtë vend se sa ky. Të kesh rritje dyshifrore do të thotë të ecësh me shpejtësi dy herë më të madhe drejt zhvillimit. Asnjë vend nuk ka nevojë më shumë se Shqipëria për këtë rritje. Unë ju garantoj se rritja do të do të jetë edhe më e lartë. Unë e bazoj këtë mendim në stabilitetin e madh që ka ekonomia shqiptare, në besimin e madh që ka ngjallur Shqipëria te komuniteti botëror i biznesit.
Ju jeni dëshmitar që, në një hark kohor 1 mujor, nga data 2 dhjetor deri në datën 22 dhjetor, në këtë vend janë firmosur rreth 3.5 miliard euro kontrata, të cilat kanë pasur jehonë botërore dhe jehona e tyre është një vlerë e jashtëzakonshme për besueshmërinë e vendit. Kur të tjerët lexojnë dhe dëgjojnë se në Shqipëri firmosen kontrata 1 miliard euro, 800 milionë euro, 500 milionë euro, 1.2 miliard euro, të gjitha këto e rrisin në mënyrë të jashtëzakonshme besimin.
Do të jetë e afërt dita kur Shqipëria nuk do të “vrapojë”, por do të “fluturojë” në këtë aspekt. Imagjinoni se ç’do të thotë fillimi i zbatimit të këtyre kontratave për vendin.
Ju garantoj se janë të paktën edhe rreth 4 miliardë euro të tjera që do të firmosen gjatë vitit 2009. Ideja e Shqipërisë “superfuqi e vogël energjetike”, që u lëshua në një moment të vështirë, tashmë po progreson. Natyrisht më rikujtonte vargjet e Dantes; për afri dhe jo për realitet, sepse ne nuk kishim pasur ndonjëherë kohëra të lumtura në elektricitet, në furnizimin me energji, por sërish cilësoj këtë ide, sepse në situatën e mungesës së energjisë, të lëshoje idenë e një superfuqie enegjetike dukej shumë jo realiste, por absolutisht kjo ide po progreson.
Dua tju informoj se, pas kontratës së firmosur me EVN-në, një nga kompanitë më kryesore në Europë për HEC, Statktaftin, 1-shi i Europës për HEC-et, shumë shpejt ne nxjerrim në tender Skavicën dhe në parakualifikim janë paraqitur kompanitë më të mëdha europiane, kanë treguar interesin më të madh gjigantët europianë. Me kompani të huaja po përgatisim tenderin për kaskadën e Vjosës, parqe energjetike gjigante eolike, me erë, janë parashikuara nga Kukësi deri në Mjedë. Krahas këtyre, po bëhen studimeve të tjera në Tepelenë, në vargmalet e Labërisë, në Sarandë.
Të gjitha këto janë dëshmi e një besimi shumë të madh tek Shqipëria. Unë e konsideroj këtë të dhënë të rritjes dyshifrore si një zhvillim shumë pozitiv. Pavarësisht se thashë që impakti mund të duket pak abstrakt, por, vërtetë, është zhvillimi më pozitiv që mund të jetë bërë për këtë vend.
22/12/2008