E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ligji i lustracionit, detyrim madhor moral i shoqërisë shqiptare

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u shpreh sërish për ligjin e lustracionit. Ky ligj, tha Kryeministri, është një nga detyrimet morale më madhore të ndërgjegjes së shoqërisë shqiptare, e cila ka përjetuar për 45 vjet luftën më të egër të klasave.          

Kryeministri tha se Shqipëria është një vend i lirë, vend demokratik dhe qeveria nuk do të bëjë asnjë hap jashtë standardeve të kërkuara për këtë çështje. “Për fatin tonë të madh, ekziston në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, këtij institucioni suprem i Europës për liritë dhe të drejtat, një praktikë dhe një teori aq e gjerë, saqë nuk le kërrkund shkas për mungesë transparence”, u shpreh Kryeministri.

Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:

“Meqenëse gazetarët e kanë mendjen tek tema e ditës, dua t’ju them se sot ne  votojmë ligjin për lustracionin, si një nga detyrimet morale më madhore të kësaj shoqërie, e cila ka përjetuar për 45 vjet luftën më të egër të klasave. Kjo luftë ka bërë që në vendin tonë të vërshojnë lumenj gjaku, lotësh, dhimbjeje, vuajtjesh mbinjerëzore, plagët e së cilës duhet të mbyllen. Shoqëria ka detyrim madhor absolut të hedhë poshtë legjitimitetin e sistemit barbar. Shumica e vendeve ish komuniste e kanë bërë tashmë këtë gjë, por Shqipëria duhet të ishte e para në distancë, sepse ekzekutimet, burgjet, kampet e përqendrimit,  torturat çnjerëzore, persekutimi, në Shqipëri ka qenë shumë më i madh se në të gjitha vendet ish komuniste, satelite të Rusisë të marra së bashku.

Ne jemi një vend i lirë, vend demokratik dhe ne nuk bëjmë asnjë hap jashtë standardeve, në mënyrë kategorike. Për fatin tonë të madh, ekziston në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, këtij institucioni suprem i Europës për liritë dhe të drejtat, një praktikë dhe një teori aq e gjerë, saqë nuk le asnjë shkas për mungesë transparence. Edhe njëherë, dua t’ju informoj se kjo Gjykatë, tempull i drejtësisë për liritë e njeriut, nuk ka pranuar, në asnjë rast, të shqyrtojë në thelb ligjet e lustracionit, sepse i ka quajtur legjitime. Shoqëria duhet të bëjë lustracionin. Ky është morali i të drejtës, morali i  shoqërisë së lirë.

Nga ana tjetër, Gjykata ka pranuar kufizimin e përkohshëm të disa të drejtave dhe mund të themi se ligjet e lustracionit, nga pikëpamja ligjore kanë pikërisht këtë sjellje. Ju mund të thoni se përse e ka pranuar këtë gjë, për hakmarrje? Kurrën e kurrës. E ka pranuar për antikomunizëm, për ideologji? Jo. Ajo e ka pranuar për një kriter tjetër themelor, për kodin moral dhe etik të atij që punon.

Ju i dëgjoni socialistët kur flasin për mandate. Dua t’ju bëj një pyetje këtyre zotërinjve; A qëndron mandati mbi krimin? Cili është ai ligj i një vendi të lirë që parashikon mandatin mbi krimin? A mundet që mbi malin e kockave të dhjetëra dhe mijërave shqiptarëve të qëndrojnë karriget e një grushti personash që kanë gjak në duart e tyre? Siç thotë vet Gjykata, a mund të imagjinohet në një vend të lirë kjo gjë? Kurrë nuk mund të imagjinohet.  Ka një kod etik, një integritet që duhet të kesh për të mbajtur atë karrige. Këta persona, për të cilët jo pa qëllim “fryhet” shifra e tyre, unë them se në drejtësi ata janë një numër fare i kufizuar. Unë nuk i bëj aspak përgjegjës ata për “malin” e kockave dhe shpirtrave të pafajshëm, por këta janë të implikuar dhe kanë mbetur atëherë si simbol. Secili prej tyre ka raste të implikimit dhe kanë pasur fatin e keq në diktaturë të kryejnë krimet që kanë kryer, kanë pasur fatin e keq sot të gjenden simbol i krimeve të komunizmit. Nuk ka as burg, as hakmarrje. Këta janë një grup i vogël njerëzish të lidhur me akte varje njerëzish, me tela me gjemba e të zvarritur në qytete. Atëherë, kush është ai që mund t’i thotë këtij kombi se t'i meriton vetëm drejtësinë që bëjnë ata? Jo zotërinj. Kjo është e pakonceptueshme. Ne meritojmë një drejtësi të trupave gjykuese, të bazuara në integritetin e tyre të plotë moral dhe të tillë në këtë aspekt, pra, të paimplikuar, janë mbi 95 - 96 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë. A mund të ketë ligj në botë që t’i përligjë karriget që të vendosen mbi malin e kockave dhe shpirtrave, vuajtjes, sakrificës, torturës?

Jemi në prag të Krishtlindjeve dhe shfrytëzoj rastin t'u uroj të gjithëve gëzuar. Ne, në këtë çështje, do të kemi për bibël vendimet, qëndrimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të Strasburgut.  Thuhet që nuk ka të drejtë apeli, por jo, çdo njeri ka të drejtë apeli. Gjykata nuk ka trajtuar asnjëherë në themel ligjet, por në një pjesë të mirë të rasteve që janë ankuar, ajo ka gjykuar në disfavor të tyre, ka gjykuar se vërtetë kanë kufizuar të drejtën, por mund të të kufizohet e drejta për atë që ke bërë. Por Gjykata kërkon që t'i të mos përdorësh kurrë kundër tij, sot, ato metoda që ka përdorur ai dikur. Ne zotohemi në mënyrë absolute që nuk do t’i përdorim. Gjykata kërkon që t'i të dëshmosh  se i përmbahesh shtetit ligjor dhe ne i përmbahemi shtetit ligjor.

Në këtë proces ka qenë një problem madhor. Unë jam dëshmitar i tij, sepse kam bërë ligjin e parë dhe në atë kohë nuk ka pasur këtë kthjelltësi që ka sot për këto ligje. Nuk ishte platforma e Këshillit të Europës. Por në vitin 1996, Këshilli i Evropës kërkoi që të gjykohet në mënyrë retroaktive. Një gazetar më pyeti mbrëmë se, përse e ndryshuat ligjin nga “special” në “politik”. Ne e përshtatëm me rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, e cila thotë se edhe ato që nuk kanë përbërë krim me ligjet e asaj kohe, por që përbëjnë krim me ligjet e një shoqërie të lirë, duhet të hetohen dhe ndëshkohen.

Pra, ky ligj ua bën më të lehtë dheun e varrit atyre dhjetëra e mijëra shqiptarëve, të cilët u martirizuan për këto liri dhe të drejta që ne gëzojmë sot. 

Natyrisht, për këtë ligj ka pasur reagime të ndryshme, por ligji është detyrimi ynë madhor, absolut. Nuk ka shoqëri në Europën ish komuniste  që nuk e ka bërë. U çudita kur dëgjova se në Gjermaninë lindore kishte pasur gjithsej 250 ekzekutime në 45 vjet, me gjyqe. 

Por ka edhe diçka tjetër. Kjo histori, ashtu siç e dinë të gjithë shqiptarët, për këto ligje ka nisur që në vitin 2006. Shqiptarët janë dëshmitarë se, duke filluar nga Edi Rama dhe tek zëdhënësit e tij, muaj të tërë tregonin gishtin drejt ministrave, drejt deputetëve, drejt drejtuesve të PD-së, në mënyrën më amorale. Vetëm kjo do të ishte e mjaftueshme për mua për të marrë vendimin. Lustracioni këtë moral ka. Të gjitha gjykatat kushtetuese thonë se ka dy probleme, së pari, tjetri të mban peng dhe të manipulon, në qoftë se ke lidhje kriminale. Së dyti, të gjitha gjykatat kushtetuese, por edhe ajo e Strasburgut, thonë se në qoftë se je në një karrige, duhet të kesh integritetin për të pasur besueshmëri.

Të nderuar zotërinj opozitar, urdhëroni dhe votoni ligjin që u jep mundësi juve të faktoni çdo akuzë që keni bërë gjatë këtyre 3 vjetëve. Keni sulmuar në mënyrën më të rëndë, por mos harroni se këta njerëz janë njerëz publikë, kanë përgjegjësi, kanë familjarë, kanë një të shkuar dhe ju i keni lënduar në mënyrë shumë të pandershme. Sa herë më keni kërkuar mua në parlament për këtë çështje dhe më keni thënë se, përse nuk e hap dosjen, përse po e shtyja ligjin, kërkonit të rrëzohej qeveria. Ndërsa unë, me qëllimin më të mirë, e shtyja, në mënyrë që të mund ta bënim bashkërisht këtë ligj.  Por, në fund të fundit, këto ligje nuk janë bërë bashkërisht.  Kjo është historia.

Sot, ne përmbushim një nga detyrimet më të mëdha morale që kemi ndaj qindra e mijëra shqiptarëve. Po marr vetëm një aspekt, le të supozojmë vetëm për  një moment se në Shqipëri nuk u ekzekutua asnjë njeri, nuk u dënua e as u burgos njeri, nuk u prek asnjë kishë apo xhami, nuk iu mor askujt prona. Por mjafton largimi  i dhjetëra, qindra e mijëra shqiptarëve, që edhe letra nuk u shkruanin dot familjeve të tyre. Ky ligj është një detyrim edhe ndaj diasporës, pjesa e dhimbshme e kombit, që ishin të konsideruar armiq për difinicion, vetëm se jetonin në Itali, Francë, Gjermani, SHBA apo kudo ku ishin. Kjo mjafton.

Dje po mendoja; unë e kam dashur shumë Gregory Pack dhe më kujtohet shumë e shumë vite më parë kur ai vizitoi Poloninë. Fansat e tij mbushën sheshin dhe u prit si një hero kombëtar. Ndërsa në Shqipëri nuk shqipërohej dot emri i Nënë Terezës që ishte shenjtorja e  gjallë e planetit. Ne nuk e bëjmë pra, për asnjë motiv tjetër, por e bëjmë si detyrimin më themelor të shpirtit, të moralit,  të ndërgjegjies individuale dhe shoqërore të këtij vendi.          


22/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›