Kryeministri Berisha bashkëbisedon me banorët e fshatrave të komunës Kashar

Në vijim të bashkëbisedimeve me qytetarët, Kryeministri Berisha ishte sot në fshatin Yrshek të Komunës Kashar ku ka dëgjuar dhe diskutuar më nga afër për shqetësimet dhe problemet e banorëve të fshatrave të saj. Kryeministri Berisha pa nga afër disa nga investimet e qeverisë në këtë komunë. Fillimisht u ndal në rrugën e komunës dhe në shkollën e mesme “Sadik Petrela”, të dyja këto investime të buxhetit të inauguruara pak kohë me parë. Kryeministri më pas i shoqëruar edhe nga Kryetari i Komunës Besnik Fuçia, Prefekti i Tiranës Keltis Kruja dhe autoritet e tjera vendore, preu shiritin për fillimin e punimeve për palestrën dhe sistemin e ngrohjes së shkollës, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 35 milionë lekë. Më pas kryeministri zhvilloi një bashkëbisedim me banorët e zonës.
Pasi i ka falenderuar për mikpritjen, kryeministri Berisha u shpreh se kjo qeveri ka bërë dhe do të bëjë gjithçka për të ndërtuar në fshatrat tona dhe në zonat tona rurale, atë infrastrukturë që ekziston në lagjet e qyteteve, me rrugë, me shkolla, me kanalizime, me ujësjellësa, me energji elektrike, me sistem vaditje.
Ne, -tha Kryeministri Berisha, - kemi besuar dhe besojmë se Shqipëria vend i zhvilluar mund të bëhet vetëm Shqipëria me fshat të zhvilluar, vetëm me Shqipëri rurale të zhvilluar.
Kryeministri ka renditur disa nga investimet serioze që ka bërë kjo qeveri gjatë këtyre dy mandateve ku theksi më i madh është vënë tek infrastruktura duke bërë që të shtrohen mbi 8 mijë kilometra rrugë.
Gjithashtu kryeministri ka theksuar faktin se këto takime, që ai ka ndërmarrë janë për të dëgjuar zërin, mendimet, shqetësimet, kritikat, vërejtjet e gjithsecilit, në mënyrë që programi i katër viteve që vijnë të jetë më i miri që është hartuar dhe zbatuar dhe të jetë në interesin më të madh të çdo banori.
Më poshtë, bashkëbisedimi i Kryeministrit Berisha me banorët e fshatrave të komunës Kashar:
“Së pari dua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe t’ju falenderoj për këtë pritje, por edhe të përulem me nderim shumë të madh, respekt të thellë para jush, banorëve të Kasharit, që në një hark kohor të shkurtër, keni shënuar keni arritur ndryshimet më të mëdha dhe më të pabesueshme pak vite më parë. Kashari është komuna që me një shpejtësi marramendëse zhvillimi, ia doli të shndërrohet në qendrën e nëntë më të madhe të vendit. Sot ju keni lënë prapa për zhvillimin fuqinë ekonomike, qytete të tëra, që dikur quheshin të kategorisë së parë dhe këtu qëndrojnë në themel lumenjtë e djersës suaj, përkushtimit tuaj, sakrificave tuaja, dashurisë suaj për Kasharin. Këtë periudhë unë kam udhëtuar shumë, në komuna, në zona rurale. Kam udhëtuar me qëllimin më kryesor, për të njohur direkt nga banorët problemet më shqetësuese për ta. Nuk kam udhëtuar për të rreshtuar sukseset, kam udhëtuar për të njohur hallet, kam udhëtuar për të marrë mendimet e tyre se çfarë duhet të bëjmë në katër vitet që vijnë, për të bërë më shumë në projektin tonë të Shqipërisë së zhvilluar. Ne kemi besuar dhe besojmë se Shqipëria vend i zhvilluar mund të bëhet vetëm Shqipëria me fshat të zhvilluar, vetëm me Shqipëri rurale të zhvilluar.
Ne kemi bërë gjithçka dhe do të bëjmë gjithçka për të ndërtuar në fshatrat tona dhe në zonat tona rurale, atë infrastrukturë që ekziston në lagjet e qyteteve, me rrugë, me shkolla, me kanalizime, me ujësjellësa, me energji elektrike, me sistem vaditje shtesë për ju, për bujqësinë. Ne besojmë se qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe kudo që banojnë, në fshat apo në qytet, ata duhet të kenë shërbime cilësore. Vetëm pak vite më parë, në pjesën dërrmuese të rretheve të vendit, nuk ka pasur qoftë edhe një kilometra rrugë të asfaltuar përveç akseve kombëtare, pra as edhe një kilometër rrugë të asfaltuar në zonat rurale. Shqipëria rurale ishte Shqipëria e baltës. Shqipëria rurale ishte Shqipëria e braktisur. Ftoj të gjithë fermeret shqiptarë të shtrojë një pyetje. Çfarë bënë paraardhësit tanë 8 vjet në pushtet për fermerin shqiptarë? A u kujtuan ata për të? A menduan ata për të? A bënë ata një projekt në konceptin se Shqipëria nuk mund të jetë një vend me qytet të avancuar dhe fshat thellësisht të prapambetur? A menduan ata se në fshat ne kemi mbi 46 përqind të popullatës dhe mirëqenia e tyre është mirëqenia e vendit. Ai që më thotë po, unë do t’ia di për nder, por faktet flasin për të kundërtën. Shkoj në komuna të tëra dhe më thonë se ka pasur zero investime në vitet e mëparshme. Në këto vite ne kemi ndërtuar mbi 8 mijë kilometra rrugë. Kur deklaruam se do të bëjmë gjithçka për ti dhënë fshatit infrastrukturën e qytetit, shumë menduan se kjo ishte një utopi, të tjerë menduan se kjo ishte një propagandë, të tjerë më thonin se po i hyn detit me këmbë me këtë që po thua. E vërteta është se sot, ky është një realitet i prekshëm kudo, një realitet i shkëlqyer këtu në Kashar. Unë kudo që udhëtoj e shoh që është një realitet krejt tjetër i ndërtuar këto vite në infrastrukturë. Këto suksese nuk më pengojnë mua aspak për të parë problemet që keni ju dhe të gjithë fermerët shqiptarë. Dje në Goriçan një fermer më thotë se kishin 30 hektarë sera, por pas shembjes së një rruge u ishte bllokuar prodhimi dhe nuk e nxirrnin dot në treg. Imagjinoni ju hallin e madh të tij. Fermeri tjetër më thotë se po na kalben prodhimet në sera nga mos kullimi. Fermeri tjetër emigrant i ardhur nga Greqia, u shpreh se pas ardhjes në Shqipëri kishte mbjellë 2 dynym sera, por për të ishte problem çmimi i lartë i plehrave kimike që përdorin. Unë ju siguroj ju se këto që janë arritur vetëm sa na inkurajojnë ne që të arrijmë më shumë, na inkurajojnë të kapim një nga një problemet tuaja. Ne kemi besim të madh se në Shqipërinë rurale ekziston një potencial i jashtëzakonshëm zhvillimi i këtij vendi, duke qenë i vetëdijshme gjithnjë e më shumë se pesha e zhvillimit industrial të këtij vendi do të vijë në rritje, por ne duhet të qëndrojmë për të shfrytëzuar çdo metër katrorë tokë dhe për të nxjerrë prodhim prej saj. Ne duhet të bëjmë gjithçka që fermeret tanë të ecin të sigurtë me djersën e tyre drejt mirëqenies. Ne duhet të bëjmë gjithçka tu krijojmë atyre mundësinë për jetë normale. Jeta e tyre është shumë e lodhshme dhe ju e njihni mirë, por edhe unë e njoh jetën tuaj. Unë e kam të qartë që ju shtriheni në darkë me dhimbje muskulare dhe zgjoheni në mëngjes me po ato dhimbje, nga puna e ditës së mëparshme, por keni ndërtuar një jetë të ndershme, një jetë të ndërtuar me një punë të shkëlqyer, me një sakrificë të madhe për vete dhe për familjen tuaj. Unë kam ardhur edhe disa herë të tjera në komunën tuaj dhe e them se këtu infrastruktura është më mirë se në një seri lagjesh të Tiranës. Kam ardhur këtu dhe e kam deklaruar të njëjtën gjë dy vjet më parë. Tirana për 11 vite të qeverisjes e mbylli me 250 kilometra rrugica, sheshe të asfaltuara dhe pjesa tjetër ishte e paasfaltuar dhe baltë. Neve nuk na bën nder kjo që të jetë kryeqyteti i zhytur në baltë, kryeqytet nuk është vetëm qendra dhe rrugët kryesore, kryeqytet është çdo pëllëmbë ku banojnë qytetarët. Kashar është çdo pëllëmbë ku banojnë banorët dhe u gëzova shumë kur kryetari juaj Besnik Fuçia më dorëzoi mua listën e investimeve dhe nuk ma dorëzoi si komunë, por ma dorëzoi fshat për fshat, për investimet e bëra nga shteti. Duhet të informojmë shqiptarë se investimet e shtetit janë në këtë komunë, po gati 7-8 herë më të mëdha ishin investimet e vetë komunës. Taksat tuaja, djersa juaj e shndërruar në projekte për ju, në rrugë, në shkolla, në kanalizime dhe të jem i sinqertë për herë të parë që e dëgjoj se ne caktuam një fond si komunë, 20 milion lekë të reja për projekte për fermerët krahas projekteve tona, më të vogla si grande, por jua kemi akorduar familjeve në mënyrë që të mund të forcojnë fermat e tyre. Kemi përdorur një pjesë të ndihmës ekonomike dhe kemi shtuar fondet mbi të, po për këtë qëllim. Kjo është mënyra e përdorimit, por jo ti fusësh të tjerët të punojnë pa i motivuar duke mos shtuar diçka. Katër vitet që vijnë do të jetë së pari finalizimi i infrastrukturës së njëjtë me atë të qyteteve. Askujt nuk duhet ti duket sot e habitshme, le të vijnë në Kashar ata që mendojnë ndryshe, le të shkojnë në Ishëm po të duan. Isha para tre ditësh, hyra në shkollë dhe aty gjeta zyrën e internetit falas. Ne shumë shpejt ju garantojmë se ato shërbime që ofrohen në qytet përsa u përket informacionit për shëndetin tuaj do ti keni jo vetëm në zyrën e internetit, por do ti keni në celularët tuaj. Gjithçka për taksat, gjithçka për çdo gjë tjetër ju do ta gjeni në celularin tuaj, të gjitha pagesat, të gjitha transaksionet ju do ti bëni nga celulari juaj. Ne do të punojmë për të ofruar shërbime të njëjta kudo. Unë duke e përgëzuar vërtet Kryetarin e Komunës, Këshillin e Komunës, banorët për këto suksese të mëdha, sepse e keni shndërruar Kasharin në një lagje shumë të lakmueshme të kryeqytetit të vendit. Unë dua të dëgjoj zërin tuaj, mendimet tuaja, shqetësimet tuaja, kritikat tuaja, vërejtjet tuaja, në mënyrë që programi i katër viteve që vijnë të jetë më i miri, që kemi zbatuar ne dhe të jetë në interesin tuaj më të madh. Ne të vazhdojmë me vepra, kurse shokut Edi Rama, le t’ia ngecim në fyt ngjalat e Nard Kokës.
-Zoti Kryeministër përshëndetje. Jam shumë e kënaqur që i qaj hallet me ty. Familja ime disponon tapitë me 7501 dhe kam 11 dynym tokë, por ende nuk i kam të regjistruar me çertifikatë.
Kryeministri Berisha: E vërteta është se shqetësimi yt është shumë i drejtë dhe shumë serioz dhe problemi është se në këtë situatë nuk jeni vetëm ju, por në këtë situatë janë mijëra e mijëra fermerë të vendit. Çfarë po bëjmë ne për ti dhënë përgjigjen më përfundimtare kësaj situate. Së pari, ne po bëjmë hartën dixhitale. Harta dixhitale është harta më e saktë e vendndodhjes së tokës, në mënyrë që të marrë fund çdo lloj ngatërrese me mbivendosje. Së dyti, kemi bërë vendimet e qeverisë në të cilat ne autorizojmë Besnik Fuçinë dhe autorizojmë kudo Kryetarët e Komunave për të dhënë çertifikatat e plota të tokës. Së treti ju garantoj se për t’jua thjeshtuar ju të gjithë problemin, ne jemi të vendosur të hapim zyra hipoteke në çdo komunë të vendit deri në kompletimin e plotë të titujve të pronësisë së tokës. Ndaj dhe unë kam mirëkuptim të plotë të mërzitjes tënde të ligjshme, të drejtë, por nga ana tjetër ju garantoj se ky proces po merr shumë shpejt zgjidhjen më të mirë të mundshme dhe zgjidhjen përfundimtare. Ka qenë një problem burokratik shumë i madh. Çfarë për shembull: janë me qindra, me mijëra fermerë, që kanë copat e letrës pa asnjë vulë, pa asnjë firmë. Jo se i kanë falsifikuar, janë shumë reale, por ata të cilët i kanë lëshuar ato kanë lëshuar akte të papërgjegjshme. Ndaj dhe tani gjithçka do të zgjidhet mbi bazën e vendimeve dhe çertifikimeve nga komuna pa pasur nevojë as për qark, as për prefekturë as për ministri dhe për asgjë tjetër. Ky është vendimi ynë. Dy vendime të rëndësishme në këtë drejtim i kemi marrë dhe i kemi votuar, po studiojmë tani shumë shpejt çështjen e kalimit të zyrave të hipotekës pranë jush, sepse duam që ti keni afër dhe të mos vraponi në qendra, por në komunë të zgjidhni çdo gjë.
-Mirëserdhët zoti Kryeministër. Jam banor i fshatit Kodër- Mëzez Kemi drejtuar disa herë kërkesa tek kryetari i komunës për ndihmën ekonomike që në bazë të ligjit na takon. Jemi dy kilometra larg Tiranës dhe nuk kemi rrugë dhe e transportojmë të sëmurët me batanije. Na mungon uji i pijshëm. Ne kërkojmë të na ndihmoni ju si qeveri?
Kryeministri Berisha: Unë të falenderoj për çështjet që ngre. Së pari viti ’93, si linjë e ndihmës ekonomike është një vit që duhet të hiqet dhe të garantoj që do ta heqim pa asnjë diskutim. Natyrisht modalitetet duhet të zgjidhen lidhur me kriteret e marrjes së ndihmës ekonomike, por nuk do të jetë më viti i lëvizjes nga ky vend apo ai vend. Ne po bëjmë regjistrin dixhitale të saj dhe natyrisht do të përjashtohen ata që nuk plotësojnë kriteret dhe do të marrin padiskutim çdo njëri që plotëson kriterin. Së dyti, edhe njëherë jua thash se asnjë nga sukseset që kemi arritur nuk me pengon dhe nuk do të më pengojnë kurrë, për të parë ato që duhet të bëjmë. Zotëria thotë se e transportuam me batanije të sëmurin dhe nga ana tjetër unë them se janë ndërtuar 8 kilometra rrugë. Të dyja janë të vërteta, por ne do të bëjmë gjithçka që të ndërtojmë rrugën dhe Besniku më informon se shumë shpejt do të fillojë shtrimi i rrugës së Kodër- Mëzezit. E ka parashikuar në buxhetin e këtij viti dhe do ta ndërtojmë. Vetëm një moment dhe ju e shprehet bukur. Se e dëgjoni ndonjëherë atë zotërinë që thotë rrugë sa për të shkuar këtu e në Tokio, se ai i mat rrugët me metër katrorë nuk ka faj, por rrugët e Shqipërinë në inventarin e shtetit në regjistrat ndërkombëtar figurojnë 18300 kilometra dhe unë kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve. Në vitin 2005 kur ne morëm pushtetin të asfaltuara në të gjithë vendin ishin 2430 kilometra. Kemi asfaltuar mbi 10 mije kilometra dhe prapë kemi . Natyrisht 2700 prej tyre janë rrugë jashtë zonave të banimit dhe janë rrugë të shfrytëzimit të maleve apo minierave, por prapë se prapë siç është rruga e Kodër- Mëzezit, kemi jo qindra, por mund të jenë edhe 1500 -2000 kilometra në mbarë vendin. Ne do ti asfaltojmë ato kilometër pas kilometri dhe ky është vendimi ynë i pandryshuar. Lidhur me ujin, bashkë me Besnikun ne do të shqyrtojmë problemin e furnizimit tuaj me ujë. Ne do ta shqyrtojmë dhe të jap fjalën për këtë, që bashkë me ministrinë e Punëve Publike dhe Besnikun, ne do të gjejmë zgjidhje për problemin e ujit.
-Zoti Kryeministër, kjo nuk është hera e parë që ju vini tek ne. Kam besim se komuna Kasharit do ta vlerësojë këtë takim për zgjedhjet e 23 qershorit, duke pasur besim të plotë tek ju. Jam anëtar i hershëm i PD-së, pasi vij nga familje e vuajtur dhe më pëlqeu programi i saj. Nga të gjitha nismat e shkëlqyera që ka marrë qeveria juaj, mendoj se duhet të hamë prodhime bio shqiptare, jo të na vijnë nga jashtë. Kjo besoj se na e shton shumë jetën. Televizioni shtetëror pak promovon bujqësinë. Shumë ekrane duhet t’i bëjnë reklamë bizneseve, këtyre burrave e grave guximtare, pasi nuk është e lehtë të krijosh një biznes. Zoti Kryeministër, unë e di që zgjuarsia e taktika juaj për zgjedhje është e përkryer, por dua t’i thoni disa fjalë shokut Kreshnik që tha se Sali Berisha është fshehur në Azerbajxhan dhe nuk e lëmë të vijë. Kush është ky zotëri, i cili nuk mendon se 70 përqind votojnë Sali Berishën dhe ai na ofendon edhe ne të tjerëve. Mendoj se takime të tilla të PD-së do të japim rezultat, më shumë sesa takimet me bujë e me flamuj. Kjo është më e thjeshtë, më e bukur. Në bujqësi e turizëm janë dy nisje të bukura. Ju dëgjoj të thoni se 4-vjeçari do të jetë për bujqësinë dhe mendoj se do të bëni shumë mirë, se ky popull ka vuajtur. Gruaja ime ka punuar në kooperativë me 400 lekë dhe prapë me 400 lekë të rrijë? Problemi është se për prodhimet tona është mirë të ngrihet një treg për t’ia marrë fshatarëve dhe jo të hidhen në përrenj e t’i marrim nga Maqedonia e ndonjë vend tjetër.
Kryeministri Berisha: Dua të theksoj se është shumë e vërtetë, unë kam shumë respekt për komunën Kashar, pasi këtu si pak kund tjetër ka ndodhur ndryshimi më i jashtëzakonshëm. Kudo në Shqipëri ka ndryshim shumë të madh, por ju e bëtë Kasharin qytetin e 9-të të Shqipërisë dhe sado ta respektoj unë, sërish nuk arrij ta respektoj në shkallën që meriton. Së dyti, është e vërtetë që ne jemi përqendruar dhe do të jemi të përqendruar shumë tek fermerët e bujqësia. Sa është e qartë unë nuk e di, por këto vite mbi 60 përqind e të gjitha investimeve ne i kemi bërë në fshat. Këto vite, ne kemi asfaltuar mbi 8 mijë kilometra rrugë rurale, kemi ndërtuar e rindërtuar në fshatra mbi 1100 shkolla, qindra sisteme ujësjellësish e kanalizimesh, qindra kilometra kanale vaditëse. Por, megjithatë, për shkak të nivelit ku ishte fshati shqiptar, sërish nuk kemi realizuar objektivin tonë dhe kemi shumë për të bërë. Ne flasim për furnizimin me ujë për popullatën dhe një zotëri me shumë të drejtë tha se ne e mbajmë ujin me kafshë. Kjo është e rëndë. Fshati, çdo bimë ka nevojë për vaditje. Ne, sapo t’i afrohemi përfundimit të projektit të rrugëve, do fillojmë shumë shpejt projektin e dytë më të madh në Shqipërinë rurale, atë të vaditjes. Fondi i parë është siguruar, 60 milionë euro. Ne do të bëjmë gjithçka që kudo të vaditet me presion, me pika e në mënyrën më moderne. Ne bëmë një paketë fiskale shumë të mirë, hoqëm çdo lloj takse për të gjitha importet që u nevojiten fermerëve. Me të drejtë, fermerët më thanë se për plehrat kimike, kjo masë nuk u shërben, pasi TVSH-në nuk e marrim ata, por tregtari. Ne nuk kemi gjë me tregtarët, përkundrazi, i respektojmë ata dhe bëjmë gjithçka që ata të kenë sukses, por TVSH-në e hoqëm për ju, që t’ju lehtësojmë juve 20 përqind. Tregtarit, ne i kemi krijuar lehtësi të tjera. Vërtet, ne po investojmë këtu ku nuk ka pasur, por, nga ana tjetër, bëjmë gjithçka edhe për suksesin e biznesit jo bujqësor. Atëherë, ne do të modifikojmë menjëherë skemën. Ato para që janë përcaktuar për plehun kimik, ne do t’ia japim në dorë fermerit. Do të shohim tregun. Ne nuk e kontrollojmë tregun, jemi për lirinë e tregut, por nuk jemi kurrë për spekulimin e tregut.
Ju e dini që një nga aktet absolutisht më të arsyeshme dhe më miqësore - ju e thata bukur se bashkëshortja juaj ka punuar më parë për 400 lekë, të tjerë edhe për 200 lekë dhe ata që nuk e jetuan atë sistem kanë qenë fatlumë - ishte dyfishimi i pensioneve në fshat. Na thanë të mos e ndërmerrnin këtë hap, se fshatari ka tokë, por po të kesh parasysh vuajtjen e tyre, ajo është vuajtje skllevërish. Të gjithë ata që kanë pasur njerëz në fshat dhe e njohin fshatin e dinë se çfarë shfrytëzimi i tmerrshëm rëndoi mbi ta dhe si ata shpërbleheshin. Ndaj jo vetëm që ata e meritonin dyfishimin e pensionit, por meritojnë edhe më shumë dhe i garantoj se ne do të vazhdojmë ta rrisim atë në mënyrë të pandërprerë.
Në këtë kontekst, ne do të bëjmë gjithçka për të mbështetur fermerët. Ne kemi një terren, një klimë, një pasuri të jashtëzakonshme bimësore. Askund nuk bëhen prodhime më të shijshme se në Shqipëri. Prodhime aromatike. Ajo që thatë është shumë e vërtetë. Edhe unë i lutem mediave që të flasin më shumë për fshatin, por këtë e kanë kuptuar edhe fermerët. Dje, një fermer në Goriçan më pyeti për gazetarët dhe i thashë se janë të mrekullueshëm. Po, më tha ai, por ata kujtojnë se prodhimet që hanë mbijnë në gazeta e studio televizive, nuk e dinë se i bëjmë ne, nuk e dinë se lodhemi e këputemi për t’i bërë, nuk vinë t’i filmojnë ndonjëherë. Sigurisht që ai e tha me shaka. Por jam shumë dakord, ju jeni taksapagues dhe TVSH-ja duhet ta kthejë gjerësisht kamerën nga ju, edhe nga suksesi, edhe nga problemi, edhe nga halli, edhe nga gëzimi e të gjitha aspektet tuaja. Dhe unë do ta përcjell këtë mesazh.
Lidhur me problemin tjetër që shtrove, ai nuk bën gjë tjetër, veçse imiton idhullin tij. Ai ka për idhullin atë tjetrin, e kanë si familje politike. Por 23 qershori u jep përgjigje.
-Përshëndetje zoti Kryeministër. Jam fermer i frutave e perimeve bio. Të punosh bio është një risk përsa i përket prodhimit, sepse duhet të sigurohet një cilësi e lartë e të ushqyerit, por riskohet tek prodhimi. Unë e kam marrë përsipër këtë risk dhe i besoj të ardhmes. Desha të di, a është qeveria në gjendje t’i mbulojë kostot e certifikimeve që na duhen neve dhe subvencionet që të mund të na ndihmojnë neve fermerëve që prodhojmë bio?
Kryeministri Berisha: Së pari, ne jemi vendi me tokë bujqësore për frymë më të paktë në Europë. Ne kemi gjithsej 1800 m2 tokë bujqësore për frymë. Ne po bëjmë gjithçka që me ullinj e arrorë të kapim terrenet dhe kjo po funksionon. Por sërish, sado që të kapim, nuk mund të bëhemi një vend me shumë tokë bujqësore për frymë. Kjo dikton si drejtimin më fitimprurës për bujqësinë shqiptare, drejtimin bio. E vërteta është që në krye të prodhimit bio nuk janë vendet e mëdha. Sigurisht është prodhimi më cilësor, më i vlerësuar dhe që kërkon guxim, - ajo që thatë ju, se duhet të marrësh përsipër risqe - por është edhe prodhimi që jep fitimin më të madh, për shkak të çmimeve që arrin. Sot kemi bërë disa hapa dhe ky prodhim është 6 përqind. Ju keni ngritur edhe një shoqatë. Në takimin që pata me akademikët dëgjova një specialist të shquar që me pasion të madh foli për bujqësinë bio. Ne do ta përparësojmë në mënyrë absolute në subvencionet tona. A kemi ne mundësi? Po, ne kemi mundësi. Deri më sot 75 përqind të investimeve i kemi bërë në rrugë. Vazhdimisht më kanë thënë të mos e bëjmë këtë rrugë, për të bërë diçka tjetër, por nuk jam bindur kurrë që duhet të tërhiqemi, sepse, nëse tërhiqemi, ato mbeten dhe rrugët janë një sipërmarrje jashtëzakonisht e madhe dhe e vështirë. Të mendosh se ke 2400 kilometra të asfaltuara e të thuash se do të asfaltosh të gjithë Shqipërinë është një premtim i vështirë, por ne ecëm. Tani, projekti tjetër do të jetë vaditja, fondet për të cilin janë veças, si dhe do të trefishojmë grantet. Deri më sot, me grantet tona kemi subvencionuar 42 mijë fermerë të të gjitha fushave. Këto do të trefishohen dhe për këtë kemi mundësi të plotë ta bëjmë. Zoti Rama u tregua shumë zemërlig me mos votimin e ligjeve, sepse statusi i vendit kandidat për anëtar në Bashkimit Europian i bën fermerët shqiptarë të përfitojnë shuma të mëdha. Bashkimi Europian subvencion 60 miliardë euro në vit për fermerët e vet. Natyrisht, ne nuk jemi vend anëtar dhe nuk përfitojmë në atë proporcion, por do të përfitonim shuma të mëdha, që do të lehtësonin edhe sipërmarrjen e qeverisë ndaj jush. Por unë kam besim se edhe statusin do ta marrim pas zgjedhjeve. Ne do të procedojmë me zgjedhje shumë të mira, zgjedhje të standardeve më të mira e nuk do mund të bllokohet më statusi i vendit kandidat. Kështu që shtohet një burim i ri i madh i financimeve për bujqësinë. Por trefishimin e granteve, ne e kemi të llogaritur me buxhetin tonë.
-Jam një banor i vjetër i fshatit Yrshek. Ju jeni miku i Kasharit. Po flas në emër të 15 familjeve, të cilët jemi autoktonë dhe jemi pajisur me tokë me ligjin 7501, aty ku është ndërtuar stabilimenti Coca Cola. Tokën e kemi marrë sipas ligjit. Gjatë gjithë kësaj kohe kemi bërë dokumentet deri në regjistrimin e certifikatës së pronësisë. Tani i ka ardhur radha privatizimit të aseteve shtetërore. A mund të përfitojmë ne?
Kryeministri Berisha: Premtimi im i sigurt është që shteti do të përgjigjet ty për tokën tënde. Për këtë të garantoj dhe për këtë kemi bërë ligjin. Të gjitha paditë e të gjitha problemet do t’i adresosh kundër qeverisë. Në përputhje me ligjin që kemi bërë, shteti të detyrohet ty për çdo lloj detyrimi që të ka. Unë do të shqyrtoj edhe atë që ju thoni. E vetmja gjë që nuk mund të të them as ‘po’ dhe as ‘jo’, pasi duhet parë si është marrëveshja, - nëse ne mund t’ia shesim dikujt tjetër aksionet apo jo dhe në këtë rast do t’i falim, nuk bëhet fjalë t’i shesim, - por nëse marrëveshja nuk e lejon, atëherë ti ke të drejtë që në përputhje me ligjin tonë t’i kërkosh shtetit një për një detyrimin që rrjedh nga dhënia e tokës për investim, një kompani e tjetër. Ne, për të qenë të drejtë me qytetarët e duke ditur problematikën e krijuar me dokumentet, bëmë këtë ligj 2 a 3 vjet më parë. Ndaj, ju shfrytëzoni këtë ligj dhe ju siguroj se kjo është rruga më e sigurt për të pasur të drejtat tuaja.
-Ne jemi në proces gjyqësor, por na e dredhin.
Kryeministri Berisha: Në gjyq duhet të hedhësh shtetin. Të jeni i sigurt se do të bëj çfarë të kem mundësi, por e theksoj se ne e çelëm rrugën, duke hapur mundësi që qytetarët të mos merren me investitorin, por të padisin shtetin.
-Zoti kryeministër, lidhur me iniciativën tuaj për ekselencën, cili është qëndrimi juaj për burimet njerëzore e praktikat jo transparente nga institucionet publike në rekrutim?
Kryeministri Berisha: Qëndrimi im i parë është mbështetja me të gjitha mundësitë e ekselencës, e vlerësuar si e tillë qoftë brenda apo jashtë. Këtë ne e kemi faktuar me programe. Qëndrimi i dytë është të bëjmë gjithçka për konkurset më transparente. Kjo është më e domosdoshme. Unë kam besim se vendosja e konkurse me pyetësorë dixhitalë do të jetë një nga mënyrat më transparente, për përcaktimin me pikë të vendit që zë konkurruesi. Ne do të bëjmë dhe po e studiojmë që në tërësi pensionimet në administratë dhe vendet vakante që krijohen të mbushen me ekselencën. Kjo, me përparësi. Unë e gjykoj këtë të drejtë. Edhe këtu nuk përjashtohet konkursi, por të dihet se kjo përbën një nga kriteret.
-Përshëndetje: Jam stiliste kostumesh popullore, merrem me riprodhimin e veshjeve tradicionale origjinale. Sfida më e madhe sot është punësimi dhe gjetja e tregut. Në qoftë se do të bëhej një përkujdesje shumë e mirë për artizanët atëherë do të kishim shumë mundësi për hapjen e vendeve të punës. Me një përllogaritje të vogël del se nga 5 milion shqiptarë që janë jashtë shtetit, sikur 1 milion prej tyre të blinin një suvenir prej 10 eurosh këtu, atëherë do të përfitonim një shifër prej 10 milion eurosh nga ky treg. E përkthyer kjo në vende pune, 60 % e produktit artizanal është fuqi punëtore. Këtu nuk kemi llogaritur turistët që hyjnë në Shqipëri, pasi siç dihet produkti më i shitur është ai artizanal, pra është produkti më i mirë i tregut turistik. Unë si drejtore e Fondacionit tradita popullore kam disa strategji, të cilat i kam zbatuar. Në qoftë se ne do të shkojmë në vende të ndryshme të botës dhe të paraqisim punimet artizanale me projekte, me panaire të mëdha, me konferenca të ndryshme promovimi, atëherë do të kemi mundësi të mira të hapjes së vendeve të punës. Kam dy kërkesa, e para që punimet artizanale shqiptare të certifikohen me markë. Duhet që qeveria certifikatat e artizanëve ti paraqesë edhe në programet europiane, në mënyrë që të kemi mundësi që punimet artizanale të tregtohen në botë. Në qoftë se më lejohet dua të bëj një kërkesë dhe të shtroj një problem që është për të gjithë banorët e Kasharit në tërësi. Kam ndërtuar shtëpi në tokën e vjehrrit së bashku me bashkëshortin dhe familjen time, por akoma nuk po e gëzojmë atë shtëpi sepse nuk kam letrat kryesore.
Kryeministri Berisha: Të falënderoj shumë për problemin që ngrite dhe të garantoj që jam shumë i vetëdijshëm për potencialin shumë të madh që ne kemi në artizanat, prodhimet e tij dhe punësimin e qytetarëve tanë në këtë fushë. Diskutime kemi bërë shumë, kemi përcaktuar disa rregulla plotësuese. Unë mendoj se ne detyrimisht duhet që këtë që bëjmë me bujqësinë me grantet, këtë duhet të bëjmë edhe me artizanatin. Japonezët shumë dekada më parë organizuan mbështetjen e tyre për vende të tjera të bazuar në një parim “Çdo fshat prodhon diçka që është më e mirë se kudo tjetër në botë” dhe e vërteta është se sado që mund të duket e habitshme e ka një të vërtetë të padiskutueshme brenda. Pra, ideja është që të nxisësh në fshat dhe në komunitetin përkatës, atë që ata prodhojnë ose bëjnë më mirë. Dhe kjo është faktuar një nismë shumë e suksesshme në punësimin, në luftën kundër varfërisë për krijimin e të ardhurave modeste sepse një artizan i pasur nuk bëhesh, por normalizon jetën e tij. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka për të vendosur sistemin e granteve për punët e artizanatit. Së shpejti, do të organizoj një takim me ju dhe të marrim mendimet se ku mund të ndërhyjmë dhe si tu ndihmojmë më shumë. Potenciali është i jashtëzakonshëm. Sot ka prodhime artizanale që janë bërë të famshme në mbarë botën. Ai që prodhon maskat veneciane është bërë numri 1 në Venecia dhe kudo për maskat. Ai qendrën e ka në Shkodër por maskat i tregton në të gjithë botën. Ajo që tha ju është shumë e vërtetë, diaspora është shumë vlerësuese ndaj çdo prodhimi të traditës popullore, por turistët gjithashtu janë thellësisht të interesuar. Ne do të bëjmë gjithçka për ta thelluar dhe konsoliduar më tej këtë traditë.
-Duhet kualifikimi i brezi të ri për artizanatin. Ne kemi një përparësi, pasi mosha e tretë e njeh shumë mirë artizanatin dhe duhet që moshën e tretë ta sensibilizojmë që ti afrohet brezit të ri ti tregojë punimet artizanale në mënyrë që ato të zhvillohen dhe të mos vdesin në popull. Qendrat e kualifikimit janë emergjente, ndërsa të tjerat si bërthamat profesionale pasojnë njëra tjetrën.
Kryeministri Berisha: Jam plotësisht dakord me ju. Për sa i përket qendrave të kualifikimit, këto janë një nga mundësitë më të parat tonat. Ne kemi fonde të cilat ministria e punës i destinon vetëm për kualifikim dhe do ti kërkoj që një pjesë të tyre ti zhvendosë drejt artizanatit. Artizanati, përveçse përbën një potencial shumë të madh punësimi, por është dhe një krijim popullor artistik, jashtëzakonisht i çmuar. Po të shkosh në Gramsh, të duket sikur je në një Republikë të veçantë, pasi habitesh me larminë e kostumeve të një rrethi relativisht të vogël, por si Gramshi është e gjithë Shqipëria.
-Se çfarë është bërë në komunën tonë dhe në të gjithë Shqipërinë e shohin të gjithë. Por ne si fshat i kemi disa probleme. Problemi i parë që na shqetëson ne është problemi i legalizimit, pasi fshati ynë është më i madhi në komunën e Kasharit me ndërtime informale dhe të pa legalizuara. Ne mendojmë se ky proces është zvarritur. Ashtu siç thatë ju zoti kryeministër për hipotekat, ne mendojmë që edhe procedurat për legalizimet të afrohen sa më afër komunës që ne të jemi edhe më të lehtësuar dhe më të sigurtë që ky proces të shkojë mirë. Një problem tjetër është që kemi dy linja të tensionit të lartë që ne na janë bërë shumë pengesë aty dhe duam të na hiqen. Një problem tjetër është dhe rruga dytësore që ne na krijon shumë probleme për të ardhur në qendër të komunës. Ka disa vite që ky është një shqetësim.
Kryeministri Berisha: Për sa i përket problemit të parë, mbrëmë kemi qenë në një mbledhje me kryetarin, ministrin dhe zyrtarë të tjerë. Kryetari mori përsipër dhe na siguroi se ka të gjitha kapacitet teknike në komunë për ta bërë vetë komuna të gjithë legalizimin e shtëpive në këtë komunë, pra ajo që ju kërkuat. Ne do ta mbështesim edhe me personel po të jetë nevoja, e vërteta është që ka kapacitete shumë të mira, ndaj dhe do të bëjmë gjithçka që duke filluar nga java tjetër, procesi të fillojë në komunë dhe të përfundojë në komunë.
Unë do ti kërkoj OST që të shqyrtojë çështjen e shtyllave të tensionit të lartë, por legalizimi me praninë e tyre nuk ka asnjë lidhje dhe të garantoj për këtë.
Së treti, për rrugën unë do ti kërkoj ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit që të gjykojë me përparësi çështjen e rrugëve tuaja.
-Kam një shqetësim. Në linjën urbane të Vorës dhe Kasharit nuk na njihet libreza e invaliditetit. Ndërsa për sa i përket shërbimit mjekësor të ofruar, mund të them se ditën e dielë nuk gjejmë një mjek që na bëjë injeksionet ose tu përgjigjet nevojave tona shëndetësorë.
Kryeministri Berisha: Ju faleminderit për shqetësimin që ngritët. Kryetari më thotë se duhet një rregullim ligjor për sa i përket çështjes së udhëtimit në këto linja dhe ne do ta bëjmë këtë rregullim dhe do të bëjmë gjithçka që tu krijojmë ato lehtësira që mund tu krijohen. Ne njëfarë problemi e kemi me shoqatën pasi ata kërkojnë të rrisin çmimet. Nuk them se nuk mund të kenë të drejtë. Por llogaritë do të bëhen dhe në qoftë se kjo është e domosdoshme, ne do të bëjmë ndërhyrjet e duhura që kjo të mos rëndojë xhepat e qytetarëve. Do të gjejmë mënyrën që kjo të mos ndikojë, pasi ne çmimet i lëmë të lira, por bëjmë gjithçka aty ku mundemi që të jenë sa më të lira.
Përsa i përket ndihmësmjekut do ti kërkojmë drejtorisë përkatëse që të garantojë një shërbim, pasi kjo është shumë e padrejtë. Ky është qyteti i 9 i Shqipërisë dhe ju takon të keni shërbim urgjence të pandërprerë. Ju jeni një komunitet shumë i madh dhe nuk mund të mungojë ky shërbim.
-Zoti kryeministër, ju përgëzoj për sukseset e arritura në këto 8 vite dhe ju uroj që të fitoni edhe në këtë mandat me arritje dhe suksese të reja. Unë kam mbaruar universitetin e Mjekësisë, Zonja e Këshillit të Mirë, një universitet i standardeve evropiane. Jam i diplomuar në degën e fizioterapisë dhe do të kisha shumë dëshirë që në programin tuaj të ardhshëm të përfshinit edhe shërbimin e fizioterapisë sepse spitalet rajonale e vuajnë këtë mungesë të shërbimit. Pra të kompletohej i gjithë stafi shëndetësor nëpër rrethe.
Kryeministri Berisha: Ju falënderoj për ndërhyrjen tuaj. Ju e keni ngritur këtë problem edhe më parë dhe është absolutisht e domosdoshme fizioterapia si një nga procedurat më të rëndësishme të rehabilitimit, të riaftësimit, të mjekësisë shëruese dhe riaftësuese. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta përfshirë plotësisht në të gjitha procedurat e spitaleve tona.
-Ne kemi një biznes polivalent, jemi prodhues birre, por jemi edhe konsumatorë të gjithë fermerëve, pasi kemi një resort polivalent, i cili shfrytëzon mishit, zarzavatet dhe të tjerat. Pas falënderimit unë do doja të flisja fjalë të mira për zotin Besnik i cili ka qënë një mbështetje shumë e madhe për ne. Do të doja të ngrija një problem që kemi ne me biznesin. Në krye të mandatit tuaj vutë një objektiv të tolerancës zero ndaj çdo lloj problematike të karakterit. Përveç tolerancës zero ka patur dhe subjektivizma, të cilat kontrolli është mbivendosur në mënyrën subjektive, e cila ka krijuar një vështirësi nga një kontroll normal ligjor, i cili i mbështetur në vetëdeklarimin që është sistemi më pozitiv ka një devijim kontroll pas kontrolli që ne humbasim sistemin e vetëdeklarimit dhe mbesim në grepin e marrëdhënieve subjektive. Është një problem tjetër, kur zona e Kasharit do të kthehet në bashki?
Kryeministri Berisha: Unë ju falënderoj shumë për problemet që ngritët dhe jam plotësisht dakord me ty. Çështja e kontrolleve ka problemin e vet të padiskutueshëm. Në tërësi ne gjetëm se kontrollet i grabisin biznesit 45 ditë në vit. Dhe ne ndërmorëm një reformë shumë të thellë të sistemeve të inspektimit, në të cilat inspektimet nuk do të mund të jenë më shumë se 12 ditë në vit, nuk do të mund të jenë asnjëherë pa gjurmë. Do të bëjmë gjithçka që ti disiplinojmë. Koncepti im është absolutisht identik me biznesin. Ai ka të drejtë të vijë dhe të kontrollojë. Por ai duhet të përgjigjet shumë për rikontrollin që bën për shkak se kontrollin e parë nuk e bëri dot si duhet. Për këtë ai duhet të mbajë përgjegjësi dhe duhet të mbajë përgjegjësi të padiskutueshme. Nuk mund të ecet në një praktikë ku kontrolli sjell kontrollin. Të jeni të sigurtë se këtë mesazh unë ja u përcjell autoriteteve përkatëse dhe unë persistoj në atë që them. Natyrisht, njeriu nuk i realizon dot gjërat menjëherë, por të garantoj se unë në atë që është e drejtë qëndroj me të gjithë vendosmërinë time. Ne bëjmë gjithçka për një klimë miqësore ndaj biznesit. Biznesi është ai që gjeneron mirëqenien, gjeneron prodhimin. Biznesi është ai që gjeneron të ardhurat, gjeneron zhvillimin. Edhe ato investime që bëjmë ne janë taksa të qytetarëve dhe të biznesit që ne i kthejmë në investime. Ky është koncepti ynë, luftojmë informalitetin para së gjithash dhe në interes të biznesit që të ketë liri tregu të vërtetë. Autoriteti tatimor duhet të vazhdojë reformimin e thellë. Ky autoritet ka bërë hapa të jashtëzakonshme, ka vendosur sistemin e kasave më të avancuar që ekziston kund. Ka vendosur sistemin e serverëve, ka vendosur taksën mobile. Pra janë suksese shumë të mëdha. Por sistemi duhet të përsoset detyrimisht në të gjithë praktikën dhe procedurën që ndjek. Është interesi i tij më i mirë, është interesi i vendit. Ky është qëndrimi im.
-Jam banor i katundit të ri. Kemi prej 50 vjetësh këtu , kemi marrë toka sipas ligjit, asnjë copë tokë nuk e kemi , janë të gjitha me mbivendosje. Si do të zgjidhet problemi i tokave.
Kryeministri Berisha: Ky është një nga problemet më themelore dhe është ky problem në themel që ka ngadalësuar shumë procese të tjera. Ne po bëjmë regjistrin dixhital të tokës. Kemi hartat më të mira, janë kompani ndër më të mirat në evropë, të cilat po punojnë non stop dhe kemi bindjen më të thellë që brenda këtij viti do të përfundojë regjistri dixhital i tokës, i cili pas regjistrit dixital të gjendjes civile është regjistri themelor i shtetit. Ky regjistër i jep fund problemit të superpozimeve . Ky regjistër përcakton me saktësi vendvendosjen e parcelave dhe kufizimeve të tyre. Ky regjistër do të jetë i mundshëm të kontrollohet nga çdo fermer, kudo që ndodhet ai në portalin e Zyrës së regjistrimit të pasurive. Ndaj dhe do të përfundojë brenda këtij viti. Ndaj dhe janë marrë të gjitha burimet njerëzore, të gjitha burimet teknologjike janë garantuar që ne të kemi nga fundi i këtij viti regjistrin më modern të tokës. Pas tij merr fund çështja e superpozimeve në tërësi. Ato nuk ekzistojnë më.
-Ju urojmë mirëseardhjen në shtëpinë tonë dhe shpresoj të keni këmbën e mbarë. Unë kisha një ankesë që desha të theksoj duke qenë se është një problem shumë i madh. Janë vetëm 150 m rrugë dytësore përbri autostradës, që është bërë prej disa vitesh gangrenë si për bizneset dhe për banorët. Edhe ju besoj kur keni ardhur i keni bërë nga 6 km më tepër, ndërkohë që po të ishte rruga dytësore nuk do të ndodhte kjo. Ne sërish ju japim fjalën se ashtu si vite më parë, edhe tani do e rrisim numrin e votave për PD.
Kryeministri Berisha: Në radhë të parë ju falënderoj për bujarinë dhe për mundësinë që na krijove për tu mbledhur në këtë lokal të mrekullueshëm, në këtë takim që unë e konsideroj shumë të dobishëm. Ju garantoj se çështjen e rrugës do ta shqyrtoj me shumë përparësi bashkë me kryetarin e komunës dhe ministrinë e Punëve Publike.
Në përfundim Kryeministri u shpreh: Edhe njëherë një mirënjohje të thellë për të gjithë ju, për të gjithë banorët e Kasharit dhe zotimin tim para jush se do të bëj gjithçka për tu dhënë përgjigjen më të mirë problemeve aktuale dhe perspektive të Kasharit, i cili është bashkia e 9-të sot e Shqipërisë, dhe në qoftë se nuk është shpallur, kjo jo se nuk e meriton, pasi e meriton plotësisht, por kemi një njeri që nuk di asgjë tjetër veçse të bllokojë dhe kënaqet për çdo bllokim që bën sepse aty kërkohet ndryshimi me 3/5 të ligjit të pushtetit vendor dhe ne jemi jashtëzakonisht të interesuar. Ju e meritoni, Paskuqani e meriton, por janë dhe një seri qendrash të tjera që e meritojnë plotësisht. Ndaj le të shkojmë drejt 23 qershorit me besimin se shqiptarët do të krijojnë të gjitha mundësitë e tyre për të mos patur më bllokime në rrugën e ecjes përpara, drejt Shqipërisë së zhvilluar, Kasharit të zhvilluar .
Edhe njëherë ju falënderoj,
Përpara!
11/04/2013