Kryeministri Berisha përshëndet hapjen e punimeve të Forumit Ekonomik të Crans Montanës, në Tiranë
Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite ne hapjen e punimeve dyditore të Forumit Ekonomik të Crans Montanës, organizuar në mjediset e Tirana International.
Kryeministri Berisha falënderoi përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit dhe shprehu mirënjohjen e tij për organizimin e këtij forumi, duke e konsideruar atë një ngjarje shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Kryeministri siguroi se tashmë Shqipëria është një vend mikpritës për investimet e huaja dhe siguroi se qeveria do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje që projektet dhe investimet në Shqipëri, të jenë një histori suksesi.
Nga ana e tij, Presidenti i Forumit Crans Montana, z. Zhan Pol Karteron theksoi se suksesi që përfaqëson sot ekonomia shqiptare, integrimi i saj në NATO dhe ecuria e integrimit në Bashkimin Europian, janë për investitorët e huaj garancia e vërtetë që ata mund të kërkojnë në kuadrin e zhvillimit të sipërmarrjeve të tyre në Shqipëri. Ai iu referuar edhe raportit të vitit 2009 të Bankës Botërore që e klasifikon Shqipërinë në 10 vendet të cilat e kanë reformuar dhe zhvilluar më mirë dhe më shpejt ekonominë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, do të doja t’ju falënderoja përzemërsisht dhe t’ju shprehja mirënjohjen time të thellë për pjesëmarrjen tuaj në këtë forum, që është vërtetë një ngjarje shumë e rëndësishme për vendin tim.
Forumi Crans Montana është bërë tashmë një institucion i vërtetë i cili e ndihmon shumë këtë vend për ta kthyer valën, nga një vend, dikur jo shumë i preferuar për investimet e huaja, në një vend vërtetë tërheqës për këto investime. Ndër të gjitha vendet në rajon, të gjitha vendet në kontinent e më gjerë, Shqipëria ishte, është dhe do të vazhdojë të jetë, një vend në nevojë për investime të huaja, sepse është një vend unik, i veçantë, ku investimet e huaja kanë qenë dikur të ndaluara me kushtetutë, një vend unik i cili, për shumë vite me radhë, më shumë se 35 për qind të buxhetit të tij u përdor për të ndërtuar tunele dhe bunkerë.
Qeveria ime ishte shumë e vendosur për të bërë çdo përpjekje për ta kthyer vendin tim në një vend tërheqës për investitorët e huaj. U bënë gati 4 vjet që ne punojmë shumë në dy drejtime kryesore, së pari, heqja e pengesave burokratike, aq sa ishte e mundur, për investitorët. Në këtë proces, ne jemi shumë të gëzuar që sot Shqipëria është një vend ku biznesi juaj mund të regjistrohet për gjysmë ore, krahasuar me 42 ditë që duheshin për këtë procedurë para 4 vitesh, mund të regjistroni biznesin tuaj për vetëm 1 euro, në krahasim me koston që ishte para 4 vitesh. Këto lehtësi janë krijuar në bazë të një bashkëpunimi me USAID, në projektin “One Stop Shop” për biznesin, si dhe krijimin e “One stop Shop” për licencat dhe lejet.
Gjithashtu, qeveria ime vendosi që për çfarëdo investimi, administrata ime do të administronte të gjitha procedurat në më pak se 45 ditë. Në këto kushte, “heshtja është pranim”, ky do të jetë parimi që do të kufizojë fuqinë e qeverisë dhe pengesat burokratike.
Ne mendojmë shumë për ta shndërruar Shqipërinë në vendin që ka barrierat më të ulëta fiskale në botë. Unë, personalisht, besoj në politikën e taksave të ulëta, sepse për mua paraja ka vlerë më shumë në llogaritë e sipërmarrësve sesa në llogarinë e funksionarëve publikë. Për këtë arsye, ne nisëm politikën e një uljeje progresive të taksave. Shqipëria është një vend unik ku mund të gjesh mundësinë për investime në fushën industriale apo turistike për vetëm një euro.
Ne kemi modernizuar sistemin tonë fiskal, kemi hartuar dhe miratuar një legjislacion të ri për sistemin e taksave. Në një situatë krize energjetike, ne kemi ulur me 10 për qind çmimin e energjisë elektrike për bizneset.
Qeveria ime ka trashëguar një sistem infrastrukturor shumë të dobët në vend, që duhej rinovuar dhe ndërtuar, por falë politikave tona fiskale për konsolidimin e zhvillimit fiskal dhe falë inkurajimit të bizneseve, të ardhurat e këtij vendi u rritën çdo vit me 22 për qind dhe, në qershor të çdo viti ne i kemi paraqitur Kuvendit për miratim një buxhet suplementar, që do të thotë se për 3 vite ne kemi pasur 5.2 milion dollarë më tepër sesa para tre vitesh. Nëse kësaj shifre i shtojmë edhe shifrën e dalë nga ulja drastike e shpenzimeve operative të administratës, që janë ulur nga 3.2 për qind e GDP-së, në 2 për qind, si dhe të ardhurat e përfituara nga sistemi i prokurimeve, pasi ne ndaluam procedimin e prokurimeve të drejtpërdrejta dhe në Shqipëri ka vetëm prokurime elektronike, një projekt ky prej 4.2 milionë dollarë i realizuar nga donatorët amerikanë, pra nëse shtojmë dhe të gjitha këto të ardhura, këto para, shohim janë ato që u përdorën pikërisht për rinovimin dhe ndërtimin e infrastrukturës, në rritje rrogash dhe pensionesh, dyfishimin e buxhetit për arsimin, etj. Qeveria ime është shumë vendosur në rritjen e rrogave, rrogat në Shqipëri gjatë këtyre katër viteve janë rritur me 68 për qind, një pjesë e madhe e pensioneve janë dyfishuar, ndërkohë që të tjerat janë rritur me 45 deri në 70.
Në këtë krizë ekonomike botërore, ne jemi mirë, ne jemi të shëndetshëm. Kemi vështirësi të vogla buxhetore, por unë besoj, jo për hir të krizës, por për hir të politikave që jemi të detyruar të ndjekim, se bonusi ynë fiskal, investimet tona në infrastrukturë, ku ne kemi investuar 10 për qind të GDP-së në infrastrukturë një vit më parë, pra të gjitha këto hapa, ishin ndihmë për ekonominë e këtij vendi.
Disa institucione të rëndësishme ndërkombëtare parashikojnë që Shqipëria ka rritjen më të lartë në Europë këtë vit dhe unë uroj të jetë kështu, por këto janë parashikime dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm që t’i ndjekim këto parashikime. Ka një rënie të ulët, me më pak se 2 për qind në eksporte, sepse remitencat nga jashtë do të kenë ndikim. Por çfarë po bën qeveria për këtë? Ne po mundohemi të ecim përpara fuqishëm, me anë të investimeve. Ne kemi nënshkruar, në dhjetor të vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti më shumë se 3.5 miliardë euro kontrata, kemi krijuar baza shumë të forta në fushën energjetike, që e kanë kthyer këtë vend, i cili ka 30 vjet që vuan ndërprerjet e energjisë, në një superfuqi të vogël rajonale për energjinë elektrike. Pra, në dhjetor dhe në janar të këtij viti, kemi nënshkruar mbi 3 miliardë dollarë kontrata në fushën energjetike, për ndërtime TEC-esh dhe për të ndërtuar terminalin me të madh në Europë, projekt ky mes qeverisë shqiptare dhe një kompanie norvegjeze e austriake. Por, të gjitha këto së bashku, që përbëjnë më shumë se 50 kontrata, janë tashmë të nënshkruara dhe 20 prej tyre do të fillojnë punë gjatë këtyre javëve dhe muajve. Ka një interes shumë i madh për të investuar në fushën e energjisë në vendin tonë, një vend me këtë gjeografi, me këtë vijë bregdetare, krijon platforma shumë të mira për të prodhuar energji nga era.
Turizmi është potenciali më i mirë dhe më i madh i këtij vendi. Bregdeti ynë ka plazhe me rërë e shkëmbinj të mrekullueshëm, ka disa kompani serioze që planifikojnë të investojnë shumë miliardë euro në bregdetin Adriatik dhe Jon.
Ne mbështesim projektet tuaja në këtë vend.
Dua ta mbyll fjalën time duke ju falënderuar edhe njëherë për pjesëmarrjen. Dua t’ju siguroj se, unë personalisht dhe qeveria ime, do të bëjmë gjithçka që projektet dhe investimet tuaja në Shqipëri të jenë një histori suksesi, ku të gjitha palët të jenë të përfituara.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO rrit në mënyrë marramendëse sigurinë për investimet tuaja, për vendin dhe rajonin. Ne jemi tashmë prezentë pothuajse në të gjitha misionet ushtarake të NATO-s.
Së shpejti do të fillojmë procesin e aplikimit për vend kandidat në Bashkimin Europian. Të gjitha vendet e Bashkimit Europian e kanë ratifikuar tashmë Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit.
Edhe një herë, faleminderit shumë dhe punë të mbarë në punimet e forumit”.
* * *
Pas cemonisë së hapjes së punimeve të Forumit Ekonomik të Crans Montanës, Kryeministri Berisha dha një pritje, në Pallatin e Brigadave, në nder të pjesëmarrësve në këtë forum.
Në fjalën e tij mikpritëse, Kryeministri tha:
“Jam shumë i lumtur që organizojmë sot këtë pritje për nderin tuaj. Me këtë rast, ju siguroj se prania juaj këtu në Shëipëri është e një rëndësie shumë të madhe dhe sjell më shumë shpresë në vendin tim.
Gjatë këtyre dy ditëve, ju do të keni rastin që të shihni dhe të njihni më mirë potencialet e Shqipërisë, mundësitë e Shqipërisë në të gjitha fushat. Kjo është arsyeja përse unë besoj se, për ata që vijnë për herë të parë këtu, kur të largohen nga ky vend do të ikin me “sindromën Shqipëri”. “Sindroma Shqipëri” ka të bëjë me faktin se nëse ti e viziton një herë Shqipërinë, ti ke dëshirën e fortë të vish sërish këtu dhe, sa herë që të vish, do të jesh shumë i mirëpritur. Faleminderit”
25/03/2009