E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet lançimin e programit MASTER në Universitetin POLIS

Kryeministri Berisha përshëndeti sot lançimin e programit Master në Universitetin POLIS në Tiranë. Gjatë fjalës së tij kryeministri përshëndeti këtë iniciativë dhe shprehu angazhimin e qeverisë për të mbështetur Universitetet private në Shqipëri. Kreu i qeverisë vlerësoi vendimin e Universitetit POLIS që studimet e masterit të zhvillohen në gjuhën angleze dhe tha se qeveria shumë shpejt do të kalojë ligjin që do ta bëjë testin TOEFL të detyrueshëm për master. Duke u ndalur tek reforma në arsim si një ndër prioritet e qeverisë, kryeministri deklaroi se së shpejti do të përfundojë mekanizmi financiar për arsimin e lartë.

Më tej vijon fjala e plotë e Kryeministrit Berisha:

"I nderuar Z. Ministër, Z. Ambasador, i nderuar Z. Frensis, Z.Shutina,
Të nderuar miq, të dashur studente dhe studentë

Së pari dëshiroj t’ju falënderoj përzemërsisht për ftesën që më bëtë, dhe t’ju siguroj se në këtë vizitë të shkurtër në Universitetin POLIS dhe në Institutin CO-PLAN mbeta jashtëzakonisht i kënaqur dhe më shumë se kaq, me arritjet tuaja në një nga fushat më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare dhe të shoqërisë njerëzore në tërësi. Ndaj dhe gjej rastin t’ju përgëzoj shumë përzemërsisht, për këto arritje, të falënderoj me shumë mirënjohje ambasadorin e Holandës, qeverinë e tij, Universitetin Erasmus për ndihmën dhe mbështetjen e tyre shumë të çmuar në të gjitha fushat, por dhe në këtë fushë me një ndershmëri shumë të veçantë.

Po të bëjmë një analizë të shpejtë të Shqipërisë, çfarë do të gjejmë , një nga zhvillimet e saj më historike më të mëdha të këtyre 20 viteve. është ekspansioni i qyteteve të saj, një ekspansion i pa përmbajtshëm, i egër, një ekspansion, i cili është jetik për kombin, zhvillimin dhe të ardhmen e tij. Një ekspansion, i cili bëri dhe bën të mundur shndërrimin e shpejtë dhe progresiv të popullatës shqiptare në popullatë qytetare. Një ekspansion, i cili bën të mundur rolin udhëheqës të epiqendrave në rajone dhe në vend, një ekspansion, i cili sjell energji të mëdha fizike dhe mendore dhe i shpalos ato në një mënyrë pakrahasimisht më të dobishme. Por, e gjitha kjo siç është dhe siç ka ndodhur në të gjitha rastet analoge në historinë e zhvillimit, ka njohur ritme shumë më të shpejta sesa mundësitë e planifikimeve. Kështu është, një herë të udhëheqin, një herë udhëheq dhe në këtë rast është ky ekspansion i madh, i pa përmbajtshëm, i cili ka bërë më jetike, më përcaktuese, më të rëndësishme, një politikë me agresive në menaxhimin dhe planifikimin e territorit.

Ndaj dhe unë dua të falënderoj qeverinë holandeze, që ka zgjedhur këtë fushë me prioritet, por ka zgjedhur edhe këta partnerë të shkëlqyer. Për ne ka një rëndësi të jashtëzakonshme të zhvillojmë dhe konsolidojmë planifikimin dhe menaxhimin territorial. E vërteta është se impakti në jetën e njeriut është ndër më kryesorët. Impakti në zhvillimin e qytetit është ndër më kryesorët, impakti në zhvillimin e vendit është përcaktues.

Duke ardhur tek ju, njëri nga pedagogët tuaj, më foli për kodin gjenetik të qytetit. Në një nga sallat e tjera pashë me shumë kënaqësi se ku studiuesit dhe studentët tuaj gjejnë frymëzimin në përcaktimin e hapësirave. Pra, ajo që është e ngurtë, ajo në të vërtetë ka brenda të gjitha ndjenjat e njeriut. Ka brenda të gjithë kimizmin e tij, ka brenda të gjithë nevojat e tij, ndaj dhe duhet tu garantoj se për qeverinë, planifikimi dhe menaxhimi urban, do të përbëjnë një nga përparësitë më madhore dhe ne llogarisim shumë në mendjen tuaj në krijimet tuaja.

Shumë e shumë vite me parë, në shekuj, Viktor Hygo do të shkruante ose një personazh i tij Frollo do të thoshte se ky këtu, e kishte fjalën për librin dhe pas shpikjes së shtypshkronjës, do të vrasë atë atje ! Fjala ishte për katedralen. Frollo gaboi , Hygo gaboi! Libri dhe arkitektura janë nga gjuhët më të bukura, me të cilën njeriu shpreh ndjenjat dhe gjenialitetin e tij krijues.
Unë dua gjithashtu t’ju përgëzoj ju si universitet privat dhe të gjitha universitetet private të vendit. T’ju garantoj se do të punoj me përkushtim si Qeveri, që të zvogëlojmë gjithnjë diferencat e trajtimit publik privat.

Konstatoj me shumë kënaqësi se ky universitet me 260 studentë, ka një nga raportet më të shkëlqyera student- pedagog, nga i cili duhet të frymëzohen të gjitha universitetet publike dhe universitetet e tjera. Sipas statistikave që unë kam këtu, ju keni rreth 50 pedagogë të brendshëm dhe 260 studentë, raporti më i mirë në Shqipëri. Nuk po ndalem në analizën e punës së tyre, por u gëzova shumë, kur pashë këtu arkitektë, ekspertë, të ardhur nga të gjitha shkollat e mëdha të botës. Në këtë universitet punojnë dhe të tjerë në kuadrin e Brain Gain, siç ishte rasti i Z.Shpuza.

Pra Universiteti juaj ka bërë dhe bën përpjekje serioze për të shfrytëzuar të gjitha potencialet njerëzore shqiptare kudo që janë, por dhe të huaja. Një pjesë e ekspertëve janë të huaj dhe kjo është e domosdoshme. Ne nuk duhet të njohim asnjë lloj kufizimi që të mund tu sjellim studentëve profesorët më të shquar, të mundshëm. Duhet të bëjmë çdo përpjekje për t’i frymëzuar, sepse absolutisht asgjë nuk është më përcaktuese sesa pasioni i tyre për zhvillimin e këtij vendi. Në pasionin e tyre për degët për shkencat që studiojnë përcaktohet imagjinata, përcaktohet e ardhmja e projekteve dhe e zhvillimit të vendit.
Dua t’ju përgëzoj dhe gëzohem shumë që ju keni vendosur Masterin në anglisht. është jashtëzakonisht e rëndësishme të dashur studentë dhe studente. Në këto kohë do të kalojmë ligjin dhe do ta bëjmë TOEFL-in të detyrueshëm për Master. Ne e bëjmë këtë, dhe ju garantojmë ju, se Masteri në tërësinë e tij nuk është më i rëndësishëm se TOEFL-i.

Vërtet ju në Master elaburoni një temë, por me TOEFL-in, ju krijoni mundësi të elaburoni një univers të pafund. Ne jemi vend i vogël dhe çfarëdo që të bëjmë ne në botime, ne nuk do të arrijmë kurrë të plotësojmë nevojat e imagjinatës suaj, të dëshirave dhe projekteve tuaja. Ndaj dhe unë gëzohem shumë që ju keni përcaktuar zhvillimin e tij në anglisht. Unë nuk mund të them se ne do të diktojmë që të zhvillohen mësimet në anglisht, por absolutisht nuk humbet asgjë sikur lëndë të tëra të zhvilloheshin në anglisht, në të gjitha fakultetet dhe në kemi një lehtësi të madhe që është një gjuhë kaq e pasur me bashkëtingëllore dhe zanore, saqë nuk ka asnjë vështirësi shqiptimi.

Këto javë ne do të përfundojmë mekanizmin e financimit të Arsimit të Lartë. Do të vendosim një mekanizëm të ri financiar nga i cili ju garantoj se do të përfitojnë dhe universitetet private. Pra, në tërësi jemi me fillime pozitive, por reforma nuk duhet të njohë të ndalur, sepse janë plotësisht dakord me zotërinjtë që ne jemi në fillime. Zotëria e kishte fjalën për planifikimin urban, por unë flas këtu për reformën në Arsimin e Lartë. Asgjë nuk është më serioze për kombin sesa arsimi, ndaj dhe ne sëbashku do të bëjmë që të rrisim cilësinë dhe kam kënaqësinë që është shtuar numri i studentëve, do të shtohet sërish numri i tyre. Askush nuk duhet të trembet nga shtimi i numrit të studentëve, prapë do ta rrisim. Do të bëjmë që çdo i ri t’i ketë të hapura dyert dhe të eci mbi bazën e meritës, por jo mbi bazën e pengesës burokratike zyrtare, apo mbi bazën e vështirësisë ekonomike, këto nuk do të ndodhin më.”


08/07/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›