Kryeministri Berisha takon një grup përfaqësuesish të investitorëve të projektit të madh të turizmit të Gose Island, Kavajë
Kryeministri Berisha takoi sot një grup përfaqësuesish të investitorëve të projektit të madh të turizmit të Gose Island, në Komunën Gosë, të rrethit të Kavajës, të kryesuar nga Mike Wilson. Grupi i madh i investitorëve, që operojnë në fusha të zhvillimit të biznesit ndërkombëtar, të kontraktimit të pasurive të paluajtshme, të hotelerisë, arkitekturës ambjentale dhe planifikimit urban, inxhinierisë civile detare, si dhe bankave e tregjeve financiare gjendet në një vizitë në Tiranë, për të lancuar projektin e një resorti turistik me energji të riciklueshme, me impakte të mëdha ekonomike dhe në punësim, për të gjithë rajonin.
Destinacioni i ri turistik do të krijohet duke u mbështetur në ekspertizën ndërkombëtare dhe së fundmi, të resortit të Cape Verde. Në këtë projekt, do të angazhohen partnerë prestigjiozë në arenën ndërkombëtare, të tillë si Extreme Hotels, Capita Lovejoy, European Golf Design, Metro Urbe, Real Estate Capital Group etj..
Kryeministri Berisha falënderoi pjesëmarrësit për prezantimin e një projekti të tillë ambicioz dhe siguroi investitorët për mbështetjen e qeverisë.
08/07/2010