Kryeministri Berisha: Domosdoshmëri hartimi i ndryshimeve ligjore që përcaktojnë dënimin përjetë ndaj të gjithë vrasësve të efektivave të policisë
- - Vrasja për gjakmarrje duhet të marrë ndëshkimin maksimal të parashikuar nga ligji, si një trashëgimi e egër, thellësisht negative për vendin
Kryeministri Berisha kërkoi sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave hartimin e ndryshimeve ligjore të cilat të përcaktojnë dënimin maksimal të parashikuar, ndaj çdo individi i cili kryen krimin e vrasjes ndaj anëtarëve të efektivave të policisë.
Duke marrë shkas nga akti i fundit kriminal i vrasjes së Shefit të Komisariatit të Policisë Shijak, Kryekomisar Adem Tahiraj, kryeministri u shpreh se ndryshimet e domosdoshme ligjore në këtë drejtim janë një mbështetje e madhe që policia e shtetit meriton dhe shprehu besimin e konsensusit të opozitës në këtë pikë.
Duke vlerësuar punën e policisë në drejtim të zbulimit të krimeve, si dhe të organeve të drejtësisë për dënimin e fajtorëve, kryeministri tha se megjithatë rastet e kompromentimit të thellë të këtyre institucioneve nga segmente të inkriminuara të politikës janë realitet dhe duhet të marrin përgjigjen e merituar nga ligji.
Gjithashtu, Kryeministri kërkoi hartimin e ndryshimeve ligjore të cilat do të përcaktojnë ndëshkimin maksimal për vrasjen për hakmarrje. “Nuk shkohet përpara me këtë trashëgimi thellësisht negative. Sot ata të cilët vrasin për hakmarrje dëshmojnë se udhëhiqen nga demonët të urrejtjes, egërsisë njerëzore. Prita që vrau vajzën në Dukagjin ishte pritë ndaj një shoqërie të lirë, ndaj dhe unë besoj se në këtë rast, si vend na takon që të kemi një dënim më të veçantë se të tjerët.”, u shpreh kryeministri
Më gjerësisht, Kryeministri Berisha u shpreh:
Zotërinj ministra, jemi po në këtë fushë. Këto ditë ndodhi një nga aktet më të shëmtuara kriminalë, një kryekomisar u vra në krye të detyrës, u vra se po bënte detyrën për të garantuar sigurinë, rregullin në zonën ku ai drejtonte komisariatin. Unë propozoj që të dërgojmë projektligjin në parlament, i cili të përcaktojë dënim për jetë ndaj çdo atentatori ose vrasësi të anëtarëve të efektivave të policisë. Ky ndryshim është i domosdoshëm dhe unë besoj dhe shpresoj se opozita do të votojë këtë ndryshim. Të ngresh dorën dhe të ekzekutosh një njeri që po të kontrollon, nuk po të qëllon, një njeri që po bën detyrën, meriton ndëshkimin më maksimal. Ne nuk kemi ndëshkim kapital, por kemi ndëshkim për jetë. Ndaj dhe zoti ministër unë mendoj që ky nen duhet të dërgohet sa më parë në parlament dhe kjo është nga ana tjetër një mbështetje e madhe që policia e shtetit meriton dhe me këtë rast unë i shpreh edhe njëherë asaj mbështetjen më të plotë më të fuqishme dhe vlerësimin më maksimal të kësaj qeverie.
Unë dua ti informoj shqiptarët se shkalla e zbulimit të krimit nga policia shqiptare sot është absolutisht e niveleve me te larta që mund të ekzistojnë, ajo është e niveleve më të larta të vendeve më të konsoliduara. Kjo shkallë goditje flakë për flakë është e niveleve më të larta. Nuk them se është 100% , por është e niveleve më të larta. Policia para së gjithash dhe mbi të gjitha vlerësohet me shkallën e reagimit të saj, vlerësohet me respektin që ajo ju bën lirive dhe të drejtave të njeriut gjatë reagimit të saj, vlerësohet me shkallën e zbulimit. Natyrisht një problem madhor dhe i tmerrshëm është krijuar gjatë këtyre viteve të fundit në raste të caktuara, nga organet e drejtësisë. Duke shprehur vlerësimin tim të palëkundur për gjykatën e krimeve të rënda, pa punën e së cilës, pa vendosmërinë e gjykatësve të këtij sektori, Shqipëria nuk do të kishte mundur të realizonte asnjërën prej objektivave madhore që ka mundur të realizojë, as shpartallimin e mbi 260 bandave në një hark kohor 18 mujor, as anëtarësimin në NATO, as procese të tjera integruese, as vizat. Këta kanë qenë një grup gjyqtarësh dhe prokurorësh të cilët kanë bërë maksimumin për të zbatuar ligjin. Por raste të tjera , jo aq të pakta të komprometimit të thellë të këtyre institucioneve nga segmente të inkriminuara të politikës janë realitet.
Vrasësi i kryekomisarit rezulton se ishte liruar me kërkesë të drejtuesit të KLD-së, të Topit dhe faqeziut të tij dhe a e dini pse? Se i duhej për të kërcënuar kushërinjtë e tij , për tua u bllokuar ndërtimet në pronat e tyre se nuk i merrte dot pasurinë që si takonte. I duhej që ta mbante bandit, ndaj dhe thërriste gjykatësit dhe i vinte nën presion për të liruar një njeri të dënuar disa herë. Gjykatësi tjetër kishte liruar të dënuarin me 20 vjet për vrasje për të vrarë dy vëllezër të tjerë dhe shpërblehej me emërimin e ri në sektorë të Topit dhe faqeziut të tij në KLD. Unë kam besim të madh dhe bëj thirrje që raste të tilla atë mos përlyejnë dhe të mos përbaltin sistemin e drejtësisë. Ndiqeni këtë rast. Prokurori ka qëndruar. Ai ka qëndruar pavarësisht nga kërcënimet që ka marrë nga një kriminel. Ai ka dëshmuar ndërgjegje profesionale. Nuk ka kërkuar eskortë, ka patur mburojë ligjin, por hanxharët e KLD kishin urdhëruar mos zbardhjen e vendimit. Nuk ka rast më të shëmtuar. Janë tre fëmijë që humbën babain e tyre. Efektivat e policisë humbën një nga kryekomisarët më të ndershëm, më të vendosur sepse balozët e krimit me pushtet duhet të rekrutonin vrasësin. Beteja më krimin është betejë kryesore. Policia ka të gjithë mbështetjen, të gjithë vendosmërinë e saj për ti dhënë përgjigjen e merituar.
Së fundi zoti ministër i drejtësisë, vrasja për hakmarrje duhet të marrë ndëshkimin maksimal. Nuk shkohet përpara me këtë trashëgimi thellësisht negative. Sot ata të cilët vrasin për hakmarrje dëshmojnë se udhëhiqen nga demonët të urrejtjes, egërsisë njerëzore. Unë dua të informoj shqiptarët se në qoftë se ka një fakt shumë domethënës në këtë vend është mbidyfishimi i popullatës së burgjeve. Në 2005 në burgjet e vendit ishin 1800 të burgosur, tani janë 5 mijë, pra ligji po zbatohet, drejtësia po bën ligjin , ndëshkimet ligjore po zbatohen dhe po zbatohen dhe më me rreptësi. Por të dalësh në pritë dhe të vrasësh një vajzë 16 vjeç, atëherë ti vret një shoqëri të tërë, por të kishe mundësi ti fusje në shënjestër. Ne kemi patur një ligj të vjetër, i cili ka funksionuar në kohën kur nuk ka patur ligj tjetër, por sot ka kode penale të bazuara në Konventën e të drejhtave të njeriut. Ai ligj i kundërvihej ligjit të pushtuesit, ai ligj nxirrte jashtë territorit ligjet e pushtuesit. Tani janë ligje të reja, janë ligje evropiane, ndaj dhe ne shpresoj dhe opozita ta votojë ka një rënie drastike, shumë të madhe të hakmarrjes, të vrasjes për gjakmarrje, por qoftë dhe rastet më të vetmuara janë raste tmerrësisht lënduese. Prita që vrau vajzën në Dukagjin ishte pritë ndaj një shoqërie të lirë, ndaj dhe unë besoj se në këtë rast, si vend na takon që të kemi një dënim më të veçantë se të tjerët.19/09/2012