Kryeministri Berisha përshëndet punimet e Forumit Ndërkombëtar të Biznesit, organizuar në Tiranë nga kompania arsimore turke “Turgut Özal” dhe Universiteti "Epoka"
- Kryeministri garantoi se qeveria shqiptare është e vendosur të marrë çdo vendim, të zbatojë çdo ligj në mënyrë që të lehtësojë veprimtarinë e investitorëve të huaj dhe të kontribuojë në suksesin e historive të tyre të biznesit.
- Ministrja turke e shtetit, zonja Selma Aliye Kavaf vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në fusha të ndryshme, duke theksuar se reforma të tilla duhen përgëzuar.
Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e Forumit Ndërkombëtar të Biznesit, organizuar në Tiranë nga kompania arsimore “Turgut Özal” dhe Universiteti Epoka, në bashkëpunim me Konfederatën e Biznesmenëve dhe Industrialistëve Turq (TUSKON) dhe Shoqatën e Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur (HÜRSIAD). Për të ndjekur punimet e Forumit ishte pranishme edhe Ministrja turke e Shtetit Selma Aliye Kavaf, e shoqëruar nga 170 përfaqësues të kompanive të mëdha turke, anëtarë të parlamentit turk, kryetarë të bashkive dhe rektorë universitetesh në Turqi. Organizimi i këtij Forumi synonte identifikimin e mëtejshëm të mundësive për thellimin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, si dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis universiteteve dhe biznesit të të dy vendeve.
Duke marrë fjalën në këtë ngjarje të rëndësishme ekonomike, Kryeministri Berisha falënderoi me mirënjohje organizatorët e këtij Forumi për kontributin e tyre në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve dhe kombeve tona. “Dua të përshëndes në mënyrë të veçantë biznesmenë turq të cilët qenë ndër të parë që vendosën të shndërrojnë në realitet ëndrrat e tyre në Shqipëri.”
Kryeministri theksoi se Shqipëria dhe Turqia janë dy vende mike të lidhura me mijëra fije me të shkuarën e tyre, ndërsa sot synojnë të ardhmen e tyre të përbashkët në BE.
Duke e cilësuar kompaninë “Turgut Ozal” një kompani të suksesshme në Shqipëri, kryeministri vlerësoi edhe një sërë kompanish të tjera turke të cilat me kanë shënuar suksese të mëdha gjatë veprimtarisë së tyre në Shqipëri, në të gjitha fushat, si në ndërtimtari dhe infrastrukturë, në banka dhe telekomunikacion,në miniera dhe metalurgji, në agrobiznes. Dëshmi e kësaj, vijoi kryeministri është rritja brenda më pak se 5 vjetëve në afro 5 herë të investimeve turke në Shqipëri.
Duke ftuar investitorët turq që kjo rritje të vazhdojë edhe në të ardhmen, Kryeministri garantoi se qeveria shqiptare është e vendosur të marrë çdo vendim , të zbatojë çdo ligj në mënyrë që të lehtësojë veprimtarinë e tyre dhe ti kontribuojë suksesit, të përmasave nga projektet e vogla e deri në projektet më mëdha në Evropë. Kryeministri shprehu bindjen se arritjet e mëdha të kompanisë arsimore “Turgut Ozal”, të grupit “çalik”, “Kurum” dhe grupeve të tjera të mëdha turke janë gjithashtu një garanci e madhe për suksesin e investitorëve të tjerë në Shqipëri.
Kryeministri siguroi ndër të tjera se qeveria është e vendosur në reforma të thella dhe të gjithanshme, në reforma progresive, për të përmirësuar çdo muaj e çdo vit mjedisin për investimet e huaja në vend.
Duke marrë fjalën, Ministrja turke e shtetit, zonja Selma Aliye Kavaf vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në fusha të ndryshme, duke theksuar se reforma të tilla duhen përgëzuar. Zonja Kavaf vuri në dukje se falë një klime të favorshme për biznesin në Shqipëri, investimet turke janë rritur ndjeshëm, duke shënuar sot shifrën rreth 1 miliardë dollarë, krahasuar me 35 milion dollarë që kanë qenë në vitin 2002. Ministrja turke tha gjithashtu se investimet në telekomunikacion, energji, miniera, arsim, shëndetësi, etj, vazhdojnë të jenë në rritje.
Zonja Selma Aliye Kavaf u shpreh se të përbashkëtat historike dhe kulturore që ndajnë këta dy vende miq me njëri tjetrin, bëjnë që Turqia dhe Shqipëria të forcojnë akoma më shumë bashkëpunimin në fusha të ndryshme si ekonomike, kulturore, ushtarake, etj.
Në fjalën e tij, në këtë Forum, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari dëshiroj tu përshëndes përzemërsisht,të falënderoj me mirënjohje të thellë organizatorët e këtij forumi ndërkombëtar të biznesit, kompaninë arsimore, “Turgut Ozal” dhe universitetin “Epoka”, konfederatën e industrialistëve turk “Tuskon”, shoqatën e pavarur të industrialistëve dhe biznesmenëve HÜRSIAD, unionin e dhomave të tregtisë dhe industrisë për organizmin e këtij forumi, për kontributin e tyre në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy kombeve dhe vendeve tona. Dua të përshëndes në mënyrë të veçantë biznesmenë turq të cilët qenë ndër të parët që vendosën të shndërrojnë në realitet ëndrrat e tyre në Shqipëri.
Zonja dhe zotërinj,
Kompania arsimore “Turgut Ozal” hapi në Shqipëri, 17 vite më parë, shkollën e parë private dhe sot është kompania më e suksesshme në arsimin privat të të gjitha cikleve në vendin tonë, kompani që ka fituar reputacion të madh për kompetencën, disiplinën, seriozitetin, modernitetin e shkollave të saj në vendin tonë.
Prania juaj sot këtu është një lajm shumë i mirë, për të gjithë shqiptarët, por është një kontribut edhe i secilit prej jush në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve dhe kombeve tona, mes dy qeverive të vendeve tona, midis kryeministrit Recep Tayip Erdogan dhe Kryeministrit të Shqipërisë. Shqipëria dhe Turqia janë dy vende mike të lidhura me mijëra fije me të shkuarën e tyre imperiale. Në shekuj kanë qeverisur së bashku. Sot synojnë të ardhmen e tyre të përbashkët në BE. Sot vendet tona janë anëtare të Aleancës më të fuqishme që kohërat kanë njohur, NATO-s. Kombi mik turk i ka dhënë dhe i jep vendit tonë dhe kombit shqiptar një ndihmë jashtëzakonisht të shquar, që nga fillimi i rrugës së demokracisë, deri në ditët e sotme.
Zonja ministre, unë shfrytëzoj rastin për të falënderuar me përzemërsi qeverinë tuaj dhe kryeministrin Erdogan për ndihmën bujare që ju dhatë në rastin e përmbytjeve që ne patëm në zonën e veriut.
Kompania “Turgut Ozal” është një kompani suksesi, por suksese të mëdha dhe të qëndrueshme kanë në Shqipëri, një numër i madh kompanish turke, të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre, në të gjitha fushat, në ndërtimtari dhe infrastrukturë, në banka dhe telekomunikacion, në miniera dhe metalurgji, në agrobiznes. Nuk ka një fushë ekonomike në Shqipëri, që të mos ketë një apo më shumë suksese të biznesit turk. Dëshmi e kësaj është rritja brenda më pak se 5 vjetëve, në afro 5 herë të investimeve turke në Shqipëri.
Unë dua tu garantoj ju se qeveria ime ështe e vendosur të marrë çdo vendim, të zbatojë çdo ligj, në mënyrë që të lehtësojë në maksimum veprimtarinë tuaj dhe ti kontribuojë suksesit tuaj. Por unë shpresoj se arritjet e mëdha të “Turgut Ozal” , të grupit “çalik”, “Kurum” dhe grupeve të tjera të mëdha turke janë gjithashtu një garanci e madhe, për suksesin tuaj në këtë vend. Shqipëria, për investitorin turk është para së gjithash një vend mik, ku ai gjen një pritje vëllazërore. Së dyti, Shqipëria është një vend me barrën fiskale me të ulët në Evropë, së treti, Shqipëria është një vend me pengesat burokratike që shkojnë çdo ditë duke u zvogëluar, një vend me sportel unik për regjistrimin e biznesit, një vend me sportel unik për lejet dhe licencat, pasi dy të tretat e tyre janë hequr. Por, Shqipëria siç fakton prania e kompanive të mëdha turke është një vend që i ofron mundësi dhe potenciale të mëdha biznesit turk në të gjitha fushat. Në vizonin e qeverisë sime, në vitet që vijnë, Shqipëria do të jetë superfuqi energjetike rajonale. Në këtë vend janë për tu ndërtuar mbi 440 HEC, të përmasave nga të vegjël deri në projektet më të mëdha në Evropë siç është kaskada e Devollit një investim prej 1 bilion eurosh nga Shttacraft dhe EVN, kaskada të tjera presin investitorë.
Shqipëria ka platformat e erës më të fuqishme në rajon. është vend plot diell. Shqipëria do të bëhet së shpejti një rrugë kalimi kryesore e gazit drejt Italisë dhe veriut të Evropës Juglindore. Me kryeministrin Erdogan jemi marrë vesh që të mbështesin gazsjellësin Transadriatik. Me qeverinë e Katarit kemi përparime të theksuara në ndërtimin,në Shqipëri, të njërit prej rigazifikatorëve më të mëdhenj në Evropë. Shqipëria është e hapur për ndërtimin e termocetraleve nukleare nga qymyri. Me pozicionin e saj gjeografik përballë njërit prej tregjeve më të uritura në Evropë për energji siç është tregu italian, ritmet e shpejta të zhvillimit ekonomik të rajonit i bëjnë investimet në energji, në Shqipëri, ndër më të sigurtat, më fitimprurëset.
Shqipëria ka një breg të mahnitshëm Jonian dhe Adriatik për tu zhvilluar. Vitin e kaluar ne kemi patur një rritje të turizmit prej 36 %. Gjithnjë e më shumë ky vend po bëhet një vend për tu zbuluar. Në qoftë se në rajone të tjera turistike krijohet dhe njëfarë lodhje, Shqipëria është veçse entuziazëm. Ndaj dhe jeni të ftuar të konsideroni me seriozitetin më të mëdh investimet në brigjet e Shqipërisë. Shqipëria është një vend me rezerva të mëdha natyrore minerare. Kompani turke prej vitesh punojnë me sukses në Shqipëri. Me strukturën e tyre mineralet e Shqipërisë, kromi, bakri, ferrokromi, nikeli, për shkak të afrisë gjeografike ka një afërsi të madhe strukturore, çka do të thotë se sipërmarrësit turq, të industrisë minerare mund të përshtaten me lehtësinë më të madhe me punën e tyre në Shqipëri.
Vendi është i tëri në rindërtim. Projekte të mëdha nga Jugu në Veri dhe Lindja në Perëndim janë në zhvillim e sipër. “Enka” dhe “Bechtel” ndërtuan një korridor, i cili realisht po ndryshon rajonin çdo ditë e më shumë. Akse të tjera, të mëdha rrugore janë në projekt dhe ndërtim e sipër. Në këto 4 vjet Shqipëria duhet të ndërtojë dhe rindërtojë rreth 7 mijë km rrugë. Në këtë 4 vjeçar qytetarët shqiptarë duhet të arrinë në kryeqytetin e tyre në një kohë dy herë më të shkurtër se gjatë këtyre 4 viteve. Ndërtuesit turq, kompanitë e mëdha të ndërtimeve në Turqi janë të mirëpritura. Ne jemi të vendosur që të ofrojmë si koncesione, ashtu dhe punë publike, direkt të financuara nga buxheti i shtetit.
Në Shqipëri janë në ndërtim e sipër 6 parqe industriale, me kushte nga më optimalet. Kompania konsulente e njohur Mekenzi ka bërë një studim pak kohë më parë, për luginën Tiranë-Durrës. Kompania konkludon se në këtë luginë mund të ngrihet një Shenxhen i dytë, evropian. Luginë e cila ka kushtet më të shkëlqyera infrastrukturore, hekurudhën, aeroportin, portin, autostradën dhe gjithçka tjetër. Përveç kësaj, një park industrial do të ndërtohet në zonën e Spitallës, i cili do të menaxhohet tërësisht nga kompani private. Shqipëria megjithë përpjekjet e mëdha, është vendi që në vitin 2009 pati një rritje të investimeve të huaja me 59 %, vendi që në vitin 2009 shënoi rritjen ekonomike më të madhe në Evropë,vendi që në kulmin e krizës financiare dhe ekonomike vazhdoi zbatimin e projekteve të buxhetit të saj pa ndonjë cenim nga kriza, vend i cili ndonëse ka ndjerë pasojat e krizës botërore, muajin që shkoi në janar ka patur dyfishim të eksporteve “Made in Albania”, krahasuar me janarin e vitit 2009. I përmenda të gjitha këto si dëshmi e një ekonomie të re dinamike, entuziaste, me një stabilitet makroekonomik.
Vendi im ka nevojë të madhe për investimet tuaja dhe investitorë nga mbarë bota. Vendi im nuk është parajsë dhe jam i bindur se krahas avantazheve ka dhe problematikat. Por për një gjë, ju siguroj, se qeveria ime është e vendosur në reforma të thella dhe të gjithanshme, në reforma progresive, të përmirësojë çdo muaj, çdo vit mjedisin për investimet tuaja.
Faleminderit
19/02/2010