Kryeministri Berisha takon raportuesin e posaçëm të OKB-së për të drejtat e njeriut për vrasjet jashtëgjyqësore, zotin Philip Alston
Raportuesi i posaçëm i OKB-së Alston e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe në veçanti për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe mbështetjen që i është ofruar nga të gjithë përfaqësuesit e qeverisë shqiptare gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
Zoti Alston vlerësoi shumë pozitivisht Shqipërinë, si një ndër vendet me më pak probleme për sa i përket numrit të vrasjeve jashtëgjyqësore, duke theksuar se Shqipëria lë pas edhe shumë vende të zhvilluara në këtë drejtim. Në këtë kuadër zoti Alston përshëndeti dhe vlerësoi faktin që në Shqipëri ekziston kuadri i plotë ligjor për krimet ndaj jetës së njeriut, si edhe vendosmërinë dhe rezultatet e qeverisë në luftën kundër krimeve ndaj jetëve njerëzore, përfshi edhe rastet krimeve për arsye të hakmarrjes, por edhe ndaj krimeve të tjera siç janë dhuna në familje, etj.
Kryeministri Berisha e falënderoi raporterin Alston për vlerësimet e tij dhe siguroi se lufta me zero tolerancë kundër krimit është dhe mbetet përparësi themelore e punës së qeverisë shqiptare dhe se e tillë kjo luftë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, si ndaj krimit të organizuar ashtu edhe atij ordiner. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha i bëri të ditur zotit Alston se si pasojë e kësaj lufte të vendosur, treguesit e indeksit të krimit në Shqipëri janë më të ultat se mesatarja e vendeve të BE-së. Gjithashtu Kryeministri Berisha e njohu zotin Alston me masat e rëndësishme te marra nga qeveria shqiptare, si ato financiare ashtu edhe të tjera kundër dhunës në familje si dhe për mbrojtjen dhe integrimin e viktimave të dhunës në jetën e përditshme.
Ndër të tjera, në këtë takim u diskutua edhe për iniciativën e qeverisë shqiptare për krijimin e institutit për krimet e komunizmit dhe ngritjen e task forcës për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të viktimave të komunizmit.
Raporteri Alston e falënderoi kryeministrin Berisha për përpjekjet e qeverisë për transparencën dhe dënimin e krimeve të komunizmit duke i shprehur Kryeministrit mbështetjen e plotë për iniciativën e qeverisë për zbardhjen e të gjitha krimeve të kryera nga regjimi diktatorial. “Shqipëria duhet të zbardhë të gjithë krimet e kryera gjatë periudhës së diktaturës komuniste dhe të bëjë transparencën e plotë për ngjarjet dhe aktorët.”, u shpreh zoti Alston.
22/02/2010