E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet punimet e konferencës shkencore për dhunën ndaj fëmijëve në Shqipëri

Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e konferencës shkencore me temë “Dhuna kundër fëmijëve në Shqipëri; Si e parandalojnë dhunën kundër fëmijëve, sistemi i mbrojtjes sociale dhe shërbimet sociale në Shqipëri”, e organizuar nga ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, mbështetur nga UNICEF dhe Komisioni Evropian.

Kryeministri Berisha përshëndeti organizatorët për mbajtjen e kësaj konference, e cila trajton çështje të një rëndësie shumë të madhe për familjen dhe shoqërinë. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se duhet të bëhet gjithçka për të promovuar në mbarë shoqërinë shqiptare një qëndrim më të qytetëruar dhe më njerëzor ndaj fëmijëve. “Ne duhet të bëjmë çdo gjë që të qartësojmë prindërit, motrat dhe vëllezërit e tyre më të rritur se trysnitë e pamerituara ndaj fëmijës i dhunojnë atij shtyllat më kryesore të personalitetit, ndikojnë në suksesin dhe në jetën e tij”, u shpreh Kryeministri Berisha. Duke theksuar se është bërë një progres i ndjeshëm, Kryeministri nënvizoi të drejtat e fëmijëve duhet të ekzistojnë edhe në të gjitha tekstet e edukatës qytetare, si kapitulli më i rëndësishëm.

Kryeministri Berisha garantoi se qeveria është e vendosur të mbështesë çdo iniciativë, e cila ka si qëllim kryesor garantimin e lirive dhe të drejtave të fëmijëve shqiptarë.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Së pari dëshiroj të falënderoj përzemërsisht organizatorët e kësaj konference për këtë çështje të një rëndësie shumë të madhe, të një rëndësie specifike për familjen dhe shoqërinë, qëndrimi ndaj fëmijëve dhe dhuna ndaj tyre. Nuk ka dhe nuk mund të ketë temë më të rëndësishme dhe çështje më të dhimbshme e problematike sesa dhuna ndaj fëmijëve. Dua të theksoj se dhuna ndaj fëmijëve është disa herë më e madhe se ajo që ne imagjinojmë. Fëmijët janë subjekt i një agresioni psikologjik të përditshëm. Ata nuk marrin nga prindërit e tyre vetëm çokollatat apo puthjet, por kanë një problem shumë më thelbësor, zëri i tyre nuk dëgjohet. Kushti më themelor për ta trajtuar vogëlushin apo të riun me dinjitetin e tij është t’i dëgjosh atij zërin, është të arsyetosh me të.

Zonja dhe zotërinj,

Qëniet njerëzore, në tërësinë e tyre, në çdo moshë, reflektojnë trashëgiminë genetike në bashkëveprim me tërësinë e faktorëve që veprojnë mbi të. Asnjë nuk ndikon më shumë te burri dhe te gruaja sesa ndikimet në psikologjinë e tij në vitet e hershme të fëmijërisë. Ne nuk duhet të harrojmë se alfa e suksesit të njeriut është guximi. Nuk ka sukses pa guxim. Pikërisht këtë dhunti ua ndrydhim me paternalizmin apo maternalizmin e tepruar që në vitet më të hershme. Duhet të bëjmë gjithçka për ta parandaluar. Ne ligjet i kemi shumë të mira, edhe konventat i kemi. Kemi bërë shumë mirë me to, por do t’i forcojmë edhe më tej. I një rëndësie kapitale është promovimi në mbarë shoqërinë shqiptare për një qëndrim më të qytetëruar dhe më njerëzor ndaj fëmijëve. Ne kemi bërë progres të madh dhe kjo është e pamohueshme. Familja shqiptare, në tërësinë e saj, nëse do të përdornim metrin e sakrificave për fëmijët, absolutisht, do të dilte ndër më të parat në raport me ndonjë komb tjetër, por është çështja e qëndrimit, e ashpërsisë, e brutalitetit dhe e mosdëgjimit. Ndaj, do të ishte e domosdoshme një nismë që zërin e fëmijës duhet ta dëgjojë e gjithë familja. Qeveria do të bëjë gjithçka për të përmirësuar sistemin social të ndihmës për fëmijët, për të përmirësuar çerdhet dhe kopshtet. Rreth 84 përqind e fëmijëve që shkojnë në klasë të parë kalojnë të paktën një vit në kopsht. Ne do të bëjmë çdo gjë që kjo shifër të arrijë në 90 - 95 përqind. Këto janë të dobishme, por këto nuk e zëvendësojnë një qëndrim më të hapur në familje. Ne duhet të bëjmë çdo gjë që të qartësojmë prindërit, motrat dhe vëllezërit e tyre më të rritur se trysnitë e pamerituara ndaj fëmijës i dhunojnë atij shtyllat më kryesore të personalitetit, ndikojnë në suksesin dhe në jetën e tij.

Së dyti, zëri i një fëmije duhet të dëgjohet në të gjithë shkallën, në të gjithë komunitetin dhe në të gjithë shoqërinë. Ai nuk mund të rrihet dhe nuk mund të keqtrajtohet. Po të bëhet një analizë e agresionit fizik ndaj tyre, përsëri problemi kryesor qëndron te prindërit, te mungesa e zhvillimit të tyre, te superzemërimi i tyre i pamotivuar, te mospërkushtimi në shkallën e duhur ndaj problemeve dhe shfaqjeve të fëmijës. Nuk është fëmija fajtori. Duhet ta kemi shumë të qartë, po qe se shkojmë në këtë linjë, se fajtorë janë ata që janë përgjegjës për fëmijën. Ndaj duhet një sistem në mbarë shoqërinë që të mbrojë fëmijët, të njoftojë dhunën ndaj tyre dhe të imponojë masa të rrepta në rastet e abuzimeve. Kodet e vendit duhet të amendohen për të përcaktuar sanksione të qarta ndaj atyre që i lejojnë vetes abuzime fizike apo terror psikologjik ndaj fëmijëve tyre. Askush nuk ka të drejtën të dhunojë të drejtat e tjetrit. Kjo është e vërtet për fëmijën, për gruan dhe për të gjithë shoqërinë. Ndaj dhe uroj që të bëjnë një punë shumë më të madhe. Është bërë një progres i ndjeshëm. Një nga arritjet më të mëdha sot është ulja e vdekshmërisë foshnjore. Arritje të madhe përbën lufta kundër analfabetizmit. Sot është nën një, drejt zeros. Arritje e madhe është rritja progresive e pjesëmarrjes në arsimin parashkollor, por këto janë të gjitha arritje të diktuara nga projekte dhe nuk zëvendësojnë kurrë një punë shumë intensive që duhet të bëjmë. Të drejtat e fëmijëve duhet të ekzistojnë në të gjitha tekstet e edukatës qytetare, si kapitulli më i rëndësishëm. Fëmijët i lexojnë vetë ato, t’ua lexojnë edhe prindërve. Të bëhen vetë ata avokatë të të drejtave të tyre. Ju garantoj se qeveria është e vendosur të mbështesë çdo iniciativë, e cila ka si qëllim kryesor garantimin e lirive dhe të drejtave të fëmijëve shqiptarë.

Faleminderit!’


21/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›