E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e përurimit të shtatores së Presidentit të SHBA, Thomas Woodrow Willson

Nën tingujt e himnit amerikan dhe atij shqiptar, kryeministri Berisha dhe ambasadori i SHBA në Tiranë Arvizu, kanë zbuluar shtatoren e presidentit Thomas  Woodrow  Willson, e cila do të qëndrojë në sheshin Willson në kryeqytet, shtatore e cila u realizuar nga arkitekti Gentian Tabaku. Në këtë ceremoni të veçantë, në kuadër të 100 Vjetorit të Pavarësisë së vendit, qeveria shqiptare ka nderuar me vendosjen e shtatores Presidentin e shquar dhe mikun e popullit shqiptar, i cili pati një rol thelbësor në pavarësinë e Shqipërisë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe  Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha, ministri i TKRS Aldo Bumçi dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë, ambasadorë të akredituar në vendin tonë si dhe shumë qytetarë.

Në fjalën e tij përshëndetëse kryeministri Berisha u shpreh se për Tiranën kryeqytetin e Shqipërisë, për Shqipërinë, por dhe kombin shqiptar në trojet e tij dhe kudo që ndodhen sot, kjo e sotmja është një ditë shumë e shënuar pasi sot inaugurohet shtatorja e presidentit shpëtimtar të Shqipërisë së Pavarur, Presidentit Woodrow Willson.

Kryeministri u shpreh se, me vendosjen e kësaj shtatoreje, nderohet ëndrra e të gjithë atyre burrave, grave dhe asaj gjenerate, të cilët në një moment kritik për veprën e tyre, pavarësinë e vendit, gjetën një mbështetje shpëtimtare nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara Woodrow Willson. “Që nga ajo kohë dhe në dekada, kjo shtatore që kemi sot këtu kaq e bukur, ka qenë e gdhendur në zemrat e mijëra e mijëra, miliona shqiptarëve, në kujtesën e tyre, në mirënjohjen e tyre. Ndaj dhe ne po realizojmë një detyrim madhor, ndaj të gjithë shqiptarëve atdhetar dhe patriotë”, u shpreh kryeministri.

Duke nënvizuar  mbështetjen përcaktuese të presidentëve të SHBA-ve, të qeverisë amerikane dhe kombit amerikan që kombi shqiptar ka patur në momentet më kritike të tij, kryeministri u shpreh se kjo pasuri e madhe në historinë e Shqipërisë, është një përgjegjësi e madhe për shqiptarët dhe se,  “mënyra më e sigurtë, më e mirë për të shprehur mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara dhe rolit të tyre të jashtëzakonshme në historinë e lirisë së shqiptarëve është të ndërtojmë dhe konsolidojmë ato vlera të mëdha, të cilat kanë bërë vendin tuaj vendin më të madh të lirisë mbi tokë, vendin lider të qytetërimit të sotëm perëndimor dhe të njerëzve të lirë kudo në botë”.

Gjatë fjalës së tij me rastin e inaugurimit të shtatores së Presidentit Willson, kryeministri u shpreh:

I nderuar zoti Ambasador i SHBA, Aleksandër Arvizu

I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë, Lulzim Basha

I nderuar zoti Ministër, Bumçi

Të nderuar të pranishëm

Për Tiranën kryeqytetin e Shqipërisë, për Shqipërinë, por dhe kombin shqiptar në trojet e tij dhe kudo që ndodhen sot, kjo është një ditë shumë e shënuar. Sot ne inaugurojmë sëbashku, shtatoren e Presidentit Woodrow Willson, presidentit shpëtimtarë të Shqipërisë së Pavarur, burrit të madh, të cilin Fan Noli, qo ta quante “një lis të madh, në të cilin kombet e vogla kanë ndërtuar foletë e lirisë”.

Ne sot, nderojmë ëndrrën e të gjithë atyre burrave, grave, asaj gjenerate, që në një moment kritik për veprën e tyre, pavarësinë e vendit, gjetën një mbështetje shpëtimtare nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara Woodrow Willson. Që nga ajo kohë dhe në dekada, kjo shtatore që kemi sot këtu kaq e bukur, ka qenë e gdhendur në zemrat e mijëra e mijëra, miliona shqiptarëve, në kujtesën e tyre, në mirënjohjen e tyre. Ndaj dhe në një aspekt, ne po realizojmë një detyrim madhor, ndaj të gjithë shqiptarëve atdhetar dhe patriotë.

Të nderuar zotërinj

Zoti ambasador

Shqiptarët kanë një histori që i shëmbëllen një kalvari. Për shekuj pas Skënderbeut, ata ishin një komb pothuaj jetim. Në tërësi historia ka qenë një njerkë jo e dashur për ta, por dhe shekullin e kaluar përjetuam drama e copëtime, diktatura, të cilat kanë qenë të egra për kombin shqiptar. Gjatë gjithë atij shekulli, në momente më kritike të kombit, ata kanë patur fatin e madh, bekimin e Zotit, të kenë mbështetjen përcaktuese të presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të qeverisë amerikane dhe kombit amerikan.

Në vështirësitë tona të kaluara, që sigurisht ato kanë rënduar dhe rëndojnë edhe sot mbi ne, por sot jemi një komb i lirë, kudo që jetojmë dhe këtë liri më shumë se kujtdo tjetër  jua detyrojmë krahas përpjekjeve tona, mbështetjes përcaktuese të vendit tuaj të madh të lirisë, të qeverisë suaj.

Shqiptarët do të jenë mirënjohës përjetë për ndihmën e madhe që qeveria juaj dhe aleanca antifashiste, ju dha atyre në luftën çlirimtare në koalicion me ju. Shqiptarët do t’ju jenë përjetë mirënjohës për mbështetjen e palëkundur që dha për shembjen e perdes së hekurt në Shqipëri dhe sigurisht në Europë.

Ju mbetemi mirënjohës Presidentit George Bush dhe Presidentit Bill Clinton, për vijën e kuqe që i vendosen diktatorit të Beogradit, lidhur me Kosovën. Mbetem përjetë mirënjohjes Presidentit Bill Clinton, që udhëhoqi me vendosmërinë më të madhe Aleancën e Atlantikut të Veriut në çlirimin e Kosovës në një nga momentet me kritike të historisë se ekzistencës së kombit shqiptar, kur regjimi barbar i Beogradit synonte shfarosjen e shqiptarëve. Mbështetja dhe ndihma e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti George W Bush dhe Presidentit Obama, kanë qenë përcaktuese për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Kjo është një pasuri e madhe në historinë e Shqipërisë, është një përgjegjësi e madhe për shqiptarët dhe gjithnjë kam qenë dhe mbeten i bindur se, mënyra më e sigurtë, më e mirë për të shprehur mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara dhe rolit të tyre të jashtëzakonshme në historinë e lirisë së shqiptarëve është të ndërtojmë dhe konsolidojmë ato vlera të mëdha, të cilat kanë bërë vendin tuaj vendin më të madh të lirisë mbi tokë, vendin lider të qytetërimit të sotëm perëndimor dhe të njerëzve të lirë kudo në botë.

Sot ne nderojmë Presidentin Woodrow Willson, këtë reformator të madh të politikës dhe diplomacisë botërore. Pas një shekulli që fuqitë e mëdha kishin trajtuar vendet dhe kombet e vogla në përputhje me ambiciet e tyre kolonialiste dhe të tjera, ky burrë i madh i kombit tuaj, shpalli në vitin 1918 platformën e reformimit të politikës dhe diplomacisë botërore, të vendosje së saj mbi baza të reja morale, mbi bazën e të drejtës së kombeve për vetëvendosje, të drejtës së tyre për të jetuar në paqe dhe stabilitet. Kjo platformë pati një rëndësi të jashtëzakonshme për popujt në mbarë botën, por një rëndësi jetike vendimtare për shqiptarët, të cilët ishin parashikuar të shuheshin tërësisht nga harta politike e Europës. Kjo platformë bëri të mundur, që shqiptarët të jetësojnë pavarësinë e tyre dhe bëri të mundur, që ata sot, të jenë aleatët tuaj në Aleancën më të madhe të lirisë së kohërave, Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Dhe njëherë mirënjohjen më të thelle ndaj kombit dhe vendit tuaj.

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidentin Barak Obama.

Zoti i bekoftë shqiptarët, flamurin e tyre në këtë 100 vjetor.


21/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›