Kryeministri Berisha shpreh keqardhjen për mosvotimin nga opozita të tre ligjeve në Parlament
Kryeministri Berisha shprehu sot, keqardhjen, për mosvotimin nga opozita të tre ligjeve me shumicë të cilësuar në parlament, një kërkesë e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat, ndërsa i drejtoi sërish thirrjen kryetari të Partisë Socialiste për t’i votuar ato.
Duke folur në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri tha: “Natyrisht, ato mund të votohen edhe më vonë, mund të votohen nesër apo pas një muaji, por një afat i caktuar u shkel dhe kjo, vetëm e vetëm, që shqiptarët të mos mund të merrnin këtë raport pozitiv, që ata e meritonin në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit të tyre.”
Kryeministri, pasi informoi për tërheqjen e padisë së bërë, në lidhje me pretendimin e Partisë Socialiste për kryetarin e Këshillit të Qarkut Fier, e konsideroi atë “një intrigë të turpshme në kurriz të shqiptarëve” dhe “një kalkulim politik fatal”.
Lidhur me këtë çështje, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Kryetari i Partisë Socialiste, me një qëllim jashtëzakonisht absurd, jo të përgjegjshëm, bllokoi votimin e tre ligjeve që ishin kërkuar nga Komisioni Europian të votoheshin deri në datën 20 nëntor, në mënyrë që Komisioni të bënte shtojcën e raportit, në rekomandimin përfundimtar pozitiv për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.
Zoti Rama, në një kalkulim, do të thosha, politik fatal, duke besuar se kjo do t’i jepte kredenciale të mëdha qeverisë, i bllokoi duke përdorur si pretekst një çështje lokale, pa asnjë lidhje me procesin e integrimit.
Unë dua të informoj qytetarët shqiptarë se pikërisht sot, një ditë pas 20 nëntorit, e fiksuar në raportin e Komisionit Europian, si një datë para së cilës duhet të votoheshin tre ligjet, në mënyrë që Komisioni të bënte raportin për Këshillin, zoti Edi Rama, në një intrigë e lojë të turpshme, të paimagjinueshme, në kurriz të çdo shqiptari, urdhëroi zotin Vangjel Ndreko të tërhiqet nga padia gjyqësore. Misioni u krye, ndaj nuk duhet më gjykimi. Ky është qëndrimi i kryetarit të Partisë Socialiste ndaj ligjit, ndaj pushtetit gjyqësor, ndaj procesit të integrimit të vendit.
Po të shohim historinë në këtë 100 vjetor, del njëqind herë e vërtetë ajo që ka thënë Faik Konica: Zoti e ruajt Shqipërinë, nga shqiptarët! Sado e hidhur të duket kjo, por kjo thënie e Konicës do të faktohej absolutisht një nga profecitë më të mëdha, për këtë komb. E them këtë, se atë që Enver Hoxha me regjimin e tij, ju bëri shqiptarëve, kur i zhveshi nga çdo lloj prone, nisur nga pulat e kumbullat në oborr dhe në çdo gjë tjetër, shqiptarët nuk e kanë përjetuar kurrë në historinë e tyre mijëravjeçare. Atë shtypje të egër që Enver Hoxha ju bëri shqiptarëve nuk ia kanë bërë atyre, regjimet më barbare. Kjo që ndodh tani është cinizmi dhe tallja më e madhe me ëndrrën fisnike të çdo shqiptari. Kjo që ndodh është një intrigë e përmasave makbethiane, në kurriz të shqiptarëve ndershëm.
Sot, zoti Rama urdhëroi zonjën Ndreka të mos i lëshojë më raport mjekësor zotit Ndreka, por ky të dalë e të tërheqë padinë ndaj shumicës. Pretendimin se ishte ai, kryetari i Këshillit të Qarkut, nuk e ka më. Por kjo i duhej vetëm për t’i krijuar zotit Rama, pretekstin e bllokimit, pretekstin e një vendimi absurd.
Sado që ky përbën një lajm të hidhur për çdo shqiptar në prag të 100 vjetorit të pavarësisë, sërish thirrja ime është të qëndrojmë me durim në vlerat e demokracisë, t’i realizojmë e jo të fajësojmë të tjerët. Faktikisht, kjo që ndodh me ne, nuk ndodh me një komb tjetër. Edhe këta që bënë këtë, janë shqiptarë. Nuk na kanë ardhur nga jashtë të na bllokojnë. Këta që bllokuan dy vite, le të bllokojnë edhe një vit tjetër. Këta që u zotuan pas disfatës në zgjedhjet lokale se nuk do të bllokojnë më, nuk mbajnë fjalë e premtim. Por sërish ata janë shqiptarë dhe kanë mbështetës, të cilët duhet respektuar dhe ne i respektojmë. Ndaj, edhe një herë, unë shpreh keqardhjen më të madhe për një qëndrim të tillë.
Me tërheqjen e Vangjel Ndrekos, zoti Rama kërkon të lajë duart pas krimit. Mund ta bëjë, cinizëm është. Por duhet t’u thotë shqiptarëve se me çfarë logjike e urdhëroi zotin Ndreko të shkojë në gjykatë dhe me çfarë logjike e urdhëroi të tërhiqet nga gjykata, një ditë pasi kaloi afati i shkruar në raportin e Komisionit Europian dhe i shpallur nga komisioneri për Zgjerimin, data 20 nëntor. Natyrisht, ato mund të votohen edhe më vonë, mund të votohen nesër apo pas një muaji, por një afat i caktuar u shkel dhe kjo, vetëm e vetëm, që shqiptarët të mos mund të merrnin këtë raport pozitiv, që ata e meritonin në 100 vjetorin e pavarësisë së vendit të tyre.
Në fakt mund të them vetëm se, në qoftë se ke qenë ndonjëherë koleg, kësaj here zoti Rama je treguar më shumë se kurrë, sikur të ka nxjerrë prej hunde një persekutor i inteligjencës teknike shqiptare, një terrorist i vërtetë dhe ti nuk po bën gjë tjetër, vetëm po mbron ideologjinë e tij dhe qëndrimin që ai ka mbajtur bashkë me bllokmenët e tjerë 45 vite në pushtet, kur ishte i fundit që në vitin ‘90 bëri thirrje për gjak dhe mos dorëzim pushteti pa dhunë.”
21/11/2012