E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet punimet e konferencës vjetore të Tranpsarency International për Evropën dhe Azinë Qendrore

- Kryeministri Berisha: I garantoj organizatat e luftës kundër korrupsionit se do të jenë nga më kryesoret në përfitimin e fondit për shoqërinë civile me qëllim që ato të qëndrojnë të ashpra dhe transparente kundër korrupsionit në sektorin publik

Kryeministri Berisha përshëndeti sot fillimin e punimeve të konferencës vjetore të Tranpsarency International për Evropën dhe Azinë Qendrore. Kjo konferencë katër ditore organizohet nga Transaparency International, qeveria e shqiptare dhe Transaprency International Albania.

Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha mbajtur në këtë aktivitet:

I dashur zoti Miklos Marschall,

Zotërinj ministra,

Zoti Erhard Busek,

Të nderuar ambasadorë,

Miq dhe të ftuar,

Së pari dua të falënderoj përzemërsisht Transparency Internacional për kontributin që kjo organizatë jep në luftën kundër korrupsionit në botë. Dëshiroj të falënderoj drejtorin rajonal të Transparency International për Evropën dhe Azinë Qendrore zotin Miklos Marschall, për organizimin e kësaj konference rajonale për një nga çështjet më themelore të shoqërisë shqiptare dhe më gjerë. Nuk dua të ndalem këtu në doktrinën e antikorrupsionit. Këtu kemi think tank-un ndër më të mirë të planetit dhe sigurish që këto ditë do të jenë ditë që do të debatohet gjerësisht.

Po shpreh disa mendime të miat. Së pari, korrupsioni është një defekt gjenetik i qenies njerëzore. Ai i ka rrënjët në genet e tij. Genet që drejtojnë tentimin dhe babëzinë janë genet pantothenike, të cilat gjenden në çdo qenie njerëzore. Sigurisht, korrupsioni ka një kompleks faktorësh, por në themel janë genet. Këtë do ta ilustroj vetëm me një shembull. Mendoj se janë genet, sepse korrupsioni ka ekzistuar në të gjitha kohërat dhe kur them këtë nuk dua ta bëj fatalitet. Unë e them këtë se kurrë nuk mund të luftohet korrupsioni nëse nuk e nis këtë beteje nga vetja jote. Kushti i parë i luftës kundër korrupsionit, këtij armiku, është të bësh një betejë të vazhdueshme me babëzinë tende, me tentimin tënd. Babëzia është baza e të gjitha mëkateve.

Shembulli im është ky: në vitet ’90 Shqipëria njohu krizën e madhe të skemave piramidave, një nga krizat më të rënda në historinë e saj. Njëri, ndërtues i saj, quhej Vehbi Alimuça. Ndërsa në vitin 2009 njohu piramidrinë më të madhe të të gjitha kohërave, ndoshta më të mëdha se në kohërat e inkuigjencave. Njeri prej këtyre quhej Matt Ridley, president i Northern Rock. Që të dy këta drejtuan nga një piramidë respektive në vendin e tyre. Matt Ridley me bankën e tij i lejoji vetes të kreditoje në thyerje flagrante të çdo rregulli bankar, të rregullit më të artë të bankave që nuk të lejojnë te kreditosh më shumë se 86 për qind të depozitave. Babëzia dhe genet e bëjnë këtë të kreditojë 342 për qind. Pra të lëshojë falsitete 3 – 4 herë më të mëdha, sesa ishin depozitat. I pari ishte një kapter i shkolluar diku pas kodrave të Zallherit, gjatë regjimit të Enver Hoxhës. I dyti vinte nga elitat, një nga elitat më të zhvilluara të botës. Ishte një pasardhës i cambridge- ve apo harvard- ve. I pari operoi në një vend ku nuk kishte ligje për të mbrojtur nga anomalitë e tregjeve financiare jo bankare. I dyti operoi në prani të qindra ligjeve, të cilat ndalonin një veprimtari të tillë. Në të dyja rastet ishte geni i babëzisë që rrafshoi ligjet, që shfrytëzoi vakumin e ligjeve dhe që ndërtoi të njëjtën gjë, ndërtoi të njëjtën piramidë korrupsioni.

U ndala në këtë rast për të argumentuar mendimin tim se kjo është gjenetike dhe se rregulli i dytë, në opinionin dhe mendimin tim, është që në luftën kundër korrupsionit do të mund të kesh sukses vetëm më një kusht: të injorosh oborrin e të tjerëve dhe të merresh me oborrin tënd. Në rast se përdor atë çfarë sheh në oborrin e tjetrit, e bën këtë për lehtësuar dhe për të justifikuar veten tënde. Ndaj, të dashur miq, kjo është hera e parë dhe e fundit që më dëgjoni të merrem me korrupsionin në vende të tjera, sepse kam kaq shumë për tu marrë me vendin tim.

Në të vërtetë korrupsioni është mater matrix i të gjitha të këqijave. Nuk mund të gjesh ndonjë emërues të përbashkët, më solid dhe më të fuqishëm, sesa korrupsioni për të këqijat e një shoqërie, të një individi. Liria, pas tiranisë, nuk ka armik më të egër sesa korrupsioni. Korrupsioni është armiku më i egër i lirive të njeriut, i të drejtave të tij. Ai është gjenerator kryesor i krimit, i sëmundjeve, i varfërisë, i rrënimit. Korrupsioni është një produkt gjenetik, por që mund të luftohet dhe që mund të kurohet. Kurrë nuk mund të çrrënjoset. Njëlloj si një kancer që lëshon metastaza në rast se nuk e mjekon në mënyrë të vazhdueshme, edhe korrupsioni lëshon metastaza e tij në mënyrë të përditshme në qoftë se nuk qëndrohet ndaj tij.

Cila është praktika dhe përpjekja jonë në këto katër vite në luftën kundër korrupsionit? Së pari janë reformat si rruga më kryesore për parandalimin dhe zvogëlimin e tij. Së dyti është penalizmi. Pa penalizim gjithçka shndërrohet në iluzion. Ndërsa reformat janë fondamentale, janë kapitale në rëndësinë e tyre për luftën kundër korrupsionit. Administrata e vogël është një kusht i domosdoshëm për të luftuar korrupsionin. Mendoj se në tërësi sa më madhe të jetë sipërfaqe shtetërore në shoqëri aq më i madh është potenciali i korrupsionit.

Të nderuar zotërinj,

Një nga aktet e para të kësaj qeverie, katër vjet më parë, ka qenë shkurtimi me 33 për qind i administratës shtetërore. U bënë privatizime masive. Ne mblidhemi sot në këtë konferencë në një kohë kur Shqipëria ka dy herë më pak punonjës publik për kapita se secili vend i Ballkanit, ka dy herë më pak se Maqedonia.

Së dyti, qeveri dhe administratë në dietë. Shumë e vështirë, por jo e pamundur. Nën moton “Të luftojmë korrupsionin duke filluar nga zyrat tona” ne vendosëm disa kritere, të cilat bëjnë transparente shpenzimet publike dhe nuk lejojnë që ato të bëhen për qëllime private apo personale. Unë mund t’ju them ju se vetëm nga disiplinimi më i mirë i shpenzimeve për telefoninë, dietat, udhëtimet, ceremonitë abuzive, etj., shpenzimet operative të administratës zbritën nga 3 % të GDP-së në 2 % të GDP-së dhe sot ka rënie tjetër më të madhe. Pas reformës që bëmë për transportin e zyrtarëve, ne u shkëputëm nga një praktikë që vinte direkt nga thellësitë e diktaturës komuniste. Në atë diktaturë çdo zyrtar i mesëm dhe i lartë dispononte një veturë, por, natyrisht, nuk e dispononte asnjë qytetar. Një shofer i kushtonte taksapaguesve shqiptarë 19 500 dollarë, më shumë se një ministër. E tëra kjo ishte abuzivitet. Zgjidhja ishte heqja e të gjitha automjeteve, veturave publike për zyrtarët, përveç se 33 prej tyre që janë drejtues të institucioneve kushtetuese të vendit apo të agjencive më të rëndësishme të tij.

Kjo bëri të mundur një shkurtim të mëtejshëm të shpenzimeve operative. E tërë administrata u nxor nga konflikti i interesit. Një nga aktet e para të kësaj qeverie, katër vjet më parë, ishte mendimi i ligjit për konfliktin e interesit. Në administratën shqiptare nuk ka dhe nuk mund të ketë njeri me konflikt interesi, cilido që të jetë është i detyruar të largohet automatikisht. Megjithatë, unë dhe ligjin kundër nepotizmit e konsideroj të nevojshëm aq sa dhe ligji i konfliktit të interesit. Ky ligj u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, e cila mori për bazë praktika të tjera botërore, por unë mendoj se nuk ishte i drejtë rrëzimi. Nuk mendoj kurrë se nuk është burim korrupsioni nepotizmi në administrate apo edhe rastet fatkëqija kur burri i lëshon gruas vendin e punës apo qoftë edhe postet më të larta deri në Presidencë. Për fat të keq kjo është një praktikë korruptive botërore, një praktikë nga e cila secili duhet të shoh të gjejë mënyra të mbrohet. Të gjitha bordet u nxorën nga konflikti i interesit. Shqipëria kishte borde që cilat përcaktonin rrogën e drejtorit dhe vetë paguheshin me përqindjen e asaj rroge. Kjo praktikë mori fund. Një rrogë e përcaktuar, ekuivalente me sekretarin përgjithshëm apo drejtorin e përgjithshëm të një ministrie dhe drejtorët e bordit merrnin përqindjen e saj.

Mendoj se në të gjitha këto masa dhe në një ligj të vyer, ligji i shpërblimit të informatorëve të korrupsionit, mbrojtja e tyre si dëshmitarët e krimeve të rënda dhe shpërblimi me 6 % të vlerës së sjellë ka krijuar një klimë të re. Edhe në drejtim të imunitetit, meqenëse nuk u mblodhën dot votat në Parlament për shkak se opozita mendoi se kjo e bënte vulnerabil atë, mazhoranca adaptoi një rregull sipas të cilit çdo kërkesë e Prokurorisë së Përgjithshme apo Gjykatës që ka lidhje me korrupsionin do të plotësohet automatikisht. Kjo ka ndodhur. Ligji i ri i Prokurorisë ka hequr imunitetin për prokurorin. Me imunitet mbeten gjyqtarët dhe deputetët, por deputetët kanë marrë këtë zgjidhje. Unë do të dëshirojë që një praktikë të tillë të merrte edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Konferenca e Gjyqtarëve, që të mos njihnin imunitet për sa i përket veprës së korrupsionit, duke lehtësuar kështu hetimin e këtij fenomeni.

Katër vite më parë raportet e Bankës Botërore faktonin se në Shqipëri 1. 4 miliardë dollarë përfundonin në xhepat dhe kontot bankare të zyrtarëve nga taksat dhe doganat e vendit, të evazorëve dhe kontrabandistëve. Një transformim rrënjësor iu bë sistemit të taksave dhe tatimeve. Me ndihmën e USAID-it dhe në kuadër të Millenium Challenge Corporation Threshold, ne ndërmorëm gjithashtu programin e taksës elektronike, të doganave elektronike, së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në themel të luftës kundër evazionit dhe informalitetit vendosëm luftën kundër korrupsionit. Që të tria këto janë absolutisht bimë të korrupsionit, janë degë të tij.

Ne bëmë një ulje të madhe taksash. Rezultati i tyre është kompleks dhe nuk mund t’ju them se 100 % lidhen me luftën kundër korrupsionit, por ju them se pa luftën kundër korrupsionit ky rezultat nuk do të mund të arrihej kurrë. Rezultati është 5.2 miliardë më shumë në krahasim me katër vite më parë, duke pasur një barrë fiskale 50 për qind më të ulët. Mendoj se kjo është një histori suksesi. Nuk mund t’ju them se sistemi ynë tatimor dhe doganor janë jashtë korrupsionit. Jo, sepse jashtë tij nuk ekziston asgjë. Ai është gjenetik. Por, ka luftë inkurajuese dhe të suksesshme.

Prokurimet publike janë një tjetër fushë, të cilat 4 – 5 vite më parë, në masën 60 – 70 për qind ishin direkte dhe të hapura. Pothuajse nuk ekzistonte garë e hapur. Akti i parë i qeverisë time ishte ndalimi i prokurimeve direkte dhe në kuadër të Millenium Challenge Corporation Threshold, në fund të vitit 2007 dhe në fillim të vitit 2008, ne nisëm projektin e prokurimeve elektronike. Të dhënat e para ishin dekurajuese. Në vjeshtë të vitit 2008 - të vendosëm që nga janari i vitit 2009-të të mos kishte më asnjë prokurim manual, veçse elektronik. U trajnuan të gjitha autoritetet kontraktuese të vendit. Viti 2009 – të ishte viti i prokurimeve elektronike. Unë mund t’ju them se kishte një ulje të ndjeshme të kostos mbi 15 për qind dhe një dyfishim të plotë të pjesëmarrësve, krahasuar jo me periudhën e prokurimeve direkte, por me periudhën e prokurimeve të hapura. Sistemi funksionon, natyrisht jo pa të meta, por është vlerësuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si sistemi më transparent. Kjo edhe për faktin se në dijeninë time Singapori dhe Shqipëria janë të vetmet vende që kanë prokurime direkte 100 për qind.

Ndalem tek ajo që theksoi zoti Miklos se kushti me themelor në luftën kundër korrupsionit është vullneti politik. Në prani të këtij vullneti korrupsioni luftohet. Në Bruksel kam takuar nga themeluesit e Transparency International. Ai u njoh me këtë projekt. Tani ai inicion një nismë tjetër, po me transparencën, por në një fushë krejt tjetër. Ai e vlerësoi shumë atë që ne kemi bërë. Në radhë të parë e vlerësoi si vullnet politik dhe u shpreh se “edhe kryetari i Bashkisë time, nëse do të donte, do i kish bërë prokurimet elektronike 10-të herë përpara Shqipërisë”.

Për sa i përket koncesioneve, ne kemi miratuar një ligj me të cilin qeveria nuk lejohet të japë direkt koncesione. Ky ligj ka sjellë përmirësime të ndjeshme. Nuk them se ka përsosur, por ka përmirësime shumë të ndjeshme në procedurat kundër korrupsionit dhe ka rritur shumë transparencën.

çlirimi i klimës së biznesit nga korrupsioni ka qenë një nga qëllimet më kryesore. Në qoftë se më parë një biznes në Shqipëri regjistrohej për 42 ditë dhe me 4 mijë euro, sot ky biznes regjistrohet për 30 minuta dhe së shpejti online vetëm me 1 euro. Meqenëse jam tek 1 euro, dua të them se një nga veprimet energjike ka qenë heqja e një numri shumë të madh tarifash, të cilat në të vërtetë sillnin dhjetëra milionë euro në buxhetin e shtetit, por që binin edhe qindra e mijëra raste korrupsioni për shkak të ryshfetit të vogël. Qeveria vendosi ti heqë ato tarifa. Nuk ka humbur, buxheti është shtuar, të ardhurat në të janë rritur. Ne nuk kemi pasur rënie të të të ardhurave. Ndaj, besoj se për vende si ne duhet që bëhet ç’të jetë e mundur që folezat e vogla të korrupsionit ti zhdukim. Ne hoqëm 2/3 e lejeve dhe licencave. Edhe ato janë foleza korrupsioni. Ne i shndërruam ato në vetë deklarim. Ato që mbeten i kemi grumbulluar në One Stop Shop. Kjo praktike, për lejet dhe licencat, nuk ka qenë e suksesshme kudo. Në Shqipëri është një sukses i plotë dhe i vërtetë. Këtë ne e ndërtuam në kuadrin e Millenium Challenge Corporation Threshold. Sot ka një klimë krejt tjetër dhe, faktikisht, investimet e huaja janë rritur disa herë krahasuar me disa vite më parë. Sërish, korrupsioni ekziston dhe është e domosdoshme të luftohet çdo ditë.

Zonja dhe zotërinj,

Për ne, problem për korrupsionin mbetet sistemi i shëndetësisë. Megjithatë në këtë sistem ne kemi nisur një betejë të fuqishme. Ne kemi vendosur çmimet e referencave në mënyrë që të ndalojmë parapagimin e pamerituar që bëjnë pacientet për vizitën që kryejnë. Ne po studiojmë të vendosim rrallën në procedurat mjekësore, një radhë kryekëput transparente. Po studiojmë çdo hallkë. Korrupsioni luftohet vetëm nëse e merr atë gur pas guri e hap pas hapi.

Ne kemi bërë progres dhe nuk ka më korrupsion në pranimet universitare, por ka korrupsion në provimet universitare. është e domosdoshme të ecim drejt procedurave dixhitale të provimeve. Le të shumohet kërkesa, por leverdia është e jashtëzakonshme, sepse heqim falsitetin nga arsimi dhe shkenca. Ne kemi probleme me korrupsionin në hipoteka dhe në Agjencitë e Kthimit të Pronave. Po bëjmë dixhitalizimin e plotë të tyre dhe në një moment të caktuar do të bëjmë outsource - in. Probleme serioze kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi, por në një shkallë më të vogël, me kontrollin e automjeteve. Tani ky proces është privatizuar.

Të gjitha korporatat e mëdha shqiptare kanë qenë trupa të vdekur koruptiv. Nuk kishte shërim përveç se privatizimit. Të gjitha janë sot janë privatizuar, Telekomi, OSSH-ja, sistemi i rafinerive të vendit dhe pothuajse po shkon drejt privatizimit të plotë Albpetroli. Mendoj se shkalla e korrupsionit publik ka një rënie shumë të madhe.

Të gjitha këto përpjekje, por edhe përpjekje të tjera, do të kishin rezultate iluzive në rast se nuk do të mund të shënohej një kthesë rrënjësore në çështjen e penalizmit ndaj korrupsionit. Një task forcë e krijuar në Tiranë, e kryesuar prokurorë, e përbërë nga policë të Policisë Kriminale, punonjës të shërbimeve të fshehta, punonjës të doganave dhe tatimeve, ka hapur një kapitull të ri në luftën kundër korrupsionit. Ka kaluar nga mosdënimi në dënim. Kjo task forcë ka një meritë të jashtëzakonshme, sepse në 4 vite, me guxim dhe kurajë, ka penalizuar mbi 200 zyrtarë të të gjitha niveleve. Gjatë këtij viti kjo task forcë po shtrihet në gjashtë qarqe ë mëdha të vendit dhe e vërteta është që sot korrupsioni në Shqipëri dënohet. Gjykatat kanë reaguar pozitivisht ndaj akteve dhe dosjeve të dërguara nga kjo task forcë.

Ne jemi të vendosur të vendosur të punojmë shumë më tepër me shoqërinë civile. Për fat të keq për korrupsionin flitet më shumë me pasione politike sesa me problemin e madh që krijon dhe që ka. është jashtëzakonisht e domosdoshme që qeveria të bëjë çdo përpjekje për aktivizimin e shoqërisë civile në rritjen e ndjeshmërisë dhe luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni nuk ekziston vetëm në Tiranë, por ekziston në çdo skaj të këtij vendi dhe të planetit. Universalizimi i luftës, angazhimi i shoqërisë civile kudo do të jetë një ngas objektivët më madhor të qeverisë time.

Ne jemi ndër ato qeveri që kemi përcaktuar një fond për shoqërinë civile. Unë i garantoj organizatat e luftës kundër korrupsionit se do të jenë nga më kryesoret në përfitimin e këtij fondi me qëllim që ato të qëndrojnë të ashpra dhe transparente kundër korrupsionit në sektorin publik. Në sektorin publik, sepse sa i përket korrupsionit në sektorin privat, të nderuar miq, ky është një kapitull tmerrësisht i vështirë. Ndonjëherë të krijon përshtypjen se kemi të bëjmë me raportin e liliputit me gjigandin, pasi edhe qeveritarë dhe qeveri ndër më të fuqishmet në botë përballen me vështirësi të jashtëzakonshme të korrupsionit në këtë sektor. Por edhe kjo luftë nuk është e pamundur. Edhe kjo është plotësisht e mundur. Unë jam i bindur se sikundër në historinë e njerëzimit në periudha të caktuara kanë dalë mendje të ndritura që kanë shpëtuar botën dhe qytetërimin tonë nga korrupsioni. I tillë ka qenë Martin Luter King. Ai ka themeluar një Doktrinë kristiane, ndërsa unë jam mysliman, por unë e admiroj atë, e kam një nga idhujt e mi, sepse e shkëputi botën nga inkuigjencat dhe e solli në realitet.

Unë jam i bindur se edhe sot kjo kohë, në kohën e cunamit financiar, do të nxjerrë Martin Luterët e vetë dhe me reforma të thella do t’i jepet përgjigja më e mirë parandaluese këtij fenomeni.

Faleminderit!”


12/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›