E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha drejtoi mbledhjen e radhës të Komiteti të Planifikimit të Strategjive

- Viti 2011 do të fillojë me një agresivitet të madh, në ndërtimin e rrugëve drejt të gjitha zonave malore të vendit, qoftë edhe me qëllimin e vetëm turistik. Ndërkohë krahas projektit kombëtar të ullirit, do të funksionojë projekti kombëtar i vaditjes

Kryeministri Berisha drejtoi sot mbledhjen e radhës të Komitetit të Planifikimit Strategjive. Duke folur para ministrave të pranishëm, kryeministri Berisha u ndal në çështjen e monitorimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim. Hartimi i strategjisë për periudhën 2007-2013 u cilësua si një arritje shumë e rëndësishme nga Kryeministri Berisha, e ndërtuar në një vizion të qartë për zhvillimin dhe reformat në cilat duhej të përfshihej vendi. Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se çdo ministri duhet të bashkëpunojë ngushtë me Departamentin e Hartimit, Koordinimit dhe Monitorimit të Strategjive në Këshillin e Ministrave. Në këtë mënyrë, projektet e strategjisë të përcaktuar, do të bëhen eficente, duke i hapur kësisoj rrugën edhe një planifikimit të një strategjie tjetër zhvillimi për vitet 2014-17.

Një pikë tjetër, në të cilën kryeministri Berisha u ndal, ishte edhe mënyra se si do të shpërndahen fondet e IPA-s, të cilat kapin një vlerë prej 95 milionë eurosh. Duke e cilësuar drejtësinë dhe çështjet e brendshme si një fushë prioritare, kryeministri Berisha theksoi se duhet rishikohen pagat e gjyqtarëve. Po në këtë kuadër, kryeministri Berisha theksoi se një tjetër fushë mjaft e rëndësishme për zhvillimin e vendit është edhe bujqësia, e cila duhet të meritojë një përkujdesje shumëplanëshe duke filluar që nga sistemet e vaditjes, kullimit, cilësisë së farërave dhe deri në krijimin e kushteve për një treg të volitshëm për fermerët shqiptarë, ujësjellës e kanalizime.

Gjithashtu kryeministri Berisha theksoi se pas përfundimit të të gjithave rrugëve që zbresin drejt detit, brenda viti 2010, do të nisë menjëherë një strategji shumë agresive për ndërtimin e të gjitha rrugëve që të çojnë zona e thella malore turistike, por që deri tani nuk janë shfrytëzuar për shkak të mungesës së infrastrukture. Kryeministri Berisha e cilësoi këtë objektiv, si një përparësi për qeverinë e tij.

Në këtë mbledhje, kryeministri Berisha vuri në dukje gjithashtu se duhet të përcaktohen mirë dhe qartë modalitet për funksionim, analizimin dhe realizimin e projekteve të përfshira në IPA, në mënyrë që secila ministri të ketë përgjegjësitë e saj, pasi zbatimi i këtyre projekteve është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Më gjerësisht në fjalën e tij kryeministri Berisha u shpreh:

Përshëndetje!

Në mbledhjen e sotme të Komitetit të Planifikimit Strategjik do të trajtojmë disa çështje shumë të rëndësishme. Së pari, çështjen e monitorimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim për viti 2007 - 2013. Atëherë, kur u hartua kjo strategji, ishte mandati i parë dhe ju jeni dëshmitarë për këtë. Shqiptarët vendosën me votën e tyre të lirë që ne që e hartuam, ne edhe ta zbatojmë. Dhe nga viti 2012, do të hartohet strategjia 2014-2017 dhe kjo do të ndodhë, “perpetum mobile”.
Hartimi i strategjisë ishte një arritje shumë e rëndësishme. Strategjia, në themel të zhvillimit dhe të reformave, është një dokument bazë themelor. Por ka një kusht po kaq themelor, monitorimin e zbatimit të saj. Asgjë nuk ka më të pavlerë se sa dokumentet që nuk jetësohen. Ndaj dhe zotërinj ministra të ngrihet dhe do të funksionojë mekanizmi i monitorimit të hollësishëm të strategjisë dhe zbatimit të saj. Kjo do të thotë se ngjitur me Kushtetutën, në zyrat tuaja, në tavolinën tuaj të punës, ju do të mbani dhe strategjinë kombëtare për zhvillim dhe integrim. Kjo përbën një kusht absolut për përmbushjen e misionit tuaj. Në strategji janë përcaktuar vizioni, shtyllat mbi të cilat është i vendosur ky vizion. Strategjia edhe mund të modifikohet, por kjo vjen pikërisht si rezultat i përqendrimit mbi zbatimin e saj, kur konstaton se ka nevojë për retifikime, për përmirësime, siç po bëjmë ne tani me strategjinë e të pranuarve nga vendet e tjera, në kuadrin e heqjes së vizave. Për problematikën e krijuar pas heqjes së vizave në disa vende përreth, u bë e domosdoshme që kjo strategji të amendohet dhe po amendohet në mënyrën më serioze, po amendohet duke përcaktuar objektiva konkrete për t’u realizuar. Në Këshillin e Ministrave ekziston një departament i cili është Departamenti i Hartimit, i Koordinimit dhe i Monitorimit të Strategjive. Ky koordinon, nuk është dhe nuk do të jetë absolutisht eficent, në rast mekanizmi i monitorimit të strategjisë nuk funksionon në çdo ministri, i drejtuar nga sekretari i përgjithshëm, i përkujdesur në mënyrë konstante nga ministri. Mendimi strategjik, është mendimi kryesor që duhet të ketë politik-bërësi. Ndaj dhe ju zotërinj ministria duhet ta trajtoni, ritrajtoni, shqyrtoni, duhet ta lexoni, ta përvetësoni këtë dokument bazë të zhvillimit në fushën tuaj.

çështja e dytë ka të bëjë me IPA-n për vitin 2011. Janë 84.3 milionë euro, ndërkohë po të marrim edhe komponentin e dytë, shkojnë në 95 milionë euro për vitin 2011. Fushat më prioritare janë drejtësia dhe çështjet e brendshme, mbështetje kjo e komisionit për funksionalitetin e shtetit ligjor, standardeve demokratike. Eshtë një rast për të falënderuar komisionin në mënyrë shumë të përzemërt për ndihmën e jashtëzakonshme që ka dhënë për këtë sektor. Gjithashtu është rasti për të theksuar këtu se edhe buxheti i shtetit duhet të njohë detyrimisht rritje për këtë sektor.
Në mbledhjen e kaluar të qeverisë, ne diskutuam për pagesat e gjyqtarëve. Ne duhet të diskutojmë në mënyrën me serioze dhe të marrim vendimet më serioze për çështje të tjera që lidhen në mbështetje të këtij sistemi. Ka nevoja të mëdha.
Fusha e dytë ku adresohen këto ndihma është bujqësia. Bujqësia përbën një nga potencialet më madhore të këtij vendi. Dhe për fat të keq gjer para 3-4 vjetëve ka qenë tërësisht e skajuar në investime. Problematikat në këtë fushë janë të mëdha, potencialet janë absolutisht ndër më të rëndësishmet për vendin. Bujqësia shqiptare ka nevojë për një përballje të shumanshme. Ajo vuan për një treg, jo edhe aq të organizuar, për një komunikim konstant midis tregut dhe prodhuesit. Ka probleme serioze me vaditjen, ka probleme me cilësitë e farërave, e kullimin, ndaj edhe qeveria ka vendosur që ta shpallë përparësi. Krahas projektit kombëtar të ullirit, do të funksionojë projekti kombëtar i vaditjes. Nuk ka tokë më pjellore se toka shqiptare, absolutisht është e cilësive më të larta. Por ka nevojë për disa përkujdesje, që janë të domosdoshme. Janë zona të tëra në të cilat mund të prodhohet tri herë në vit, në qoftë se ne u ofrojmë disa nga shërbimet më të nevojshme. Ndaj dhe unë mendoj se kjo përparësi është përcaktuar shumë me vend.
Përparësi të tjera janë ujësjellës, kanalizime, rrugë rurale, rrugë dytësore, dhe by-pass. Ne vazhdojmë në mënyrën më të fuqishme përfundimin në Shqipëri të një infrastrukture moderne. Eshtë një qëndrim konstant. Gjatë këtij viti ne do të përfundojmë asfaltimin e të gjithë rrugëve që zbresin drejt detit dhe kjo do ta kthejë kombin me sy nga deti. Nuk do të thotë se do të kthehemi me shpinë nga mali. Menjëherë pas kësaj do të përqendrohemi me të gjitha potencialet tona në rrugët që të çojnë në zonat turistike malore. Në qoftë se Shqipëria është një Zvicër me det, nga pikëpamja natyrore të tillë nuk e bën deti, e bëjnë malet e saj dhe deti bashkë. Dhe dua ta kuptojnë shumë mirë politik-bërësit e këtij vendi, duhet ta kuptojnë zyrtarët e të gjitha niveleve se ekuilibri i saj, janë deti dhe malet. Malet fshehin në vetvete pasuri përrallore turistike dhe të tjera. Gjer më sot ato janë absolutisht mollë e ndaluar, ose janë ashtu siç kanë qenë në shumë aspekte edhe të paktën 4 mijë vjet më parë. Që kur doli hekuri dhe u bë sanxhaku i parë. Ne duhet t’i nxjerrim nga kjo situatë. Ne duhet të bëjmë që ato të zhvillohen, t’i duan shqiptarët dhe të kuptojnë se çfarë pasurish të mëdha fshehin ato në vetvete. Ndaj edhe infrastruktura pas këtij viti, është një infrastrukturë e cila do të synojë zonat malore për zhvillimin e turizmit të tyre dhe për t’i bërë disponibël ato. Katër vjet më parë, unë vizitova Sllovakinë. Kryeministri i asaj periudhe Dzurinda, gjatë drekës, gjysmën e kohës më foli për malin Tatra, ndërkohë që ne kemi të paktën 50 male si mali Tatra. Por prapë se prapë, unë nuk i flisja dot për ndonjërin prej tyre. Prandaj edhe ne duhet të kemi një koncept shumë të qartë. Duhet të jemi shumë ambicioz. Njerëzit shkojnë në Dajt, por kaptina e Martaneshit është një mrekulli e vërtetë natyrore dhe nuk shkojnë dot sepse nuk të çon rruga. Kështu që viti 2010 do të mbyllë rrugët e detit. Viti 2011 do të fillojë me një agresivitet të madh, ndërtimi rrugëve drejt të gjitha zonave malore të vendit, qoftë edhe me qëllimin e vetëm turistik. Nuk është se nuk po ecën, pasi nga çajupi gjer në Valbonë rrugët po ecin, por duhet të ecin në mënyrë më agresive. Se ka mundësi që këtë vit të dalim në majë të çajupit, të shkojmë në Valbonë e me radhë, po ecim drejt Steblevës, po ecim drejt Shpatit, Shirgjanit në Elbasan, po shkojmë drejt Bogovës në Tomorr. Pra nuk është se rrugët nuk po ecin, në një kohë që kryeministri zemrën e ka në male dhe shpirtin në det.

Pika e fundit, është që të shqyrtojmë analizimin e IPA-s, si kemi zbatuar dhe si janë zbatuar projektet. Një mbledhje të tillë e bëmë edhe para 6 javësh. Gjatë kësaj periudhe është bërë një punë e lavdërueshme, pasi unë kam marrë informacion të vazhdueshëm nga zonja Kuko për të gjithë ecurinë e atyre projekteve që diskutuam. Tani sërish do të diskutojmë. Kërkuam në atë mbledhje që zv/ministri të ketë përgjegjësi direkt për të gjitha projektet IPA-s. Në dijeninë time, ministrat kanë përcaktuar dhe ato çfarë janë përcaktuar, duhet t’i japin fund menjëherë. Ministri ka të drejtë dhe është i detyruar që të shqyrtojë të gjitha çështjet në spektrin e ministrisë, për IPA-n do të ngarkojë zv/ministrin, që do i raportojë periodikisht. Por serioziteti i zbatimit të këtyre projekteve është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Faleminderit!


12/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›