E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Hapja e degëve të informatikës, në universitete të vendit, përpjekje konkrete për të ecur me shpejtësi drejt Shqipërisë dixhitale

- Kryeministri Berisha u shpreh se nuk duhet të reshtim së nxituri, me çdo çmim, zhvillimin e shpejtë të sektorit të IT, i cili ecën me shpejtësi të madhe. Kryeministri vlerësoi se vendimi i qeverisë për të përgjysmuar taksën për këtë fushë është një vendim i rëndësishëm, i cili duhet të pasohet nga masa të tjera, për të krijuar të gjitha lehtësirat e mundshme.

- Kryeministri theksoi se Shqipëria duhet së paku të trefishojë pa asnjë lloj druajtje, numrin e studentëve në fakultetet e IT, duke përmirësuar cilësinë, si dhe duhet të procedohet me shkollat e mesme profesionale, me drejtim teknologjinë e Informacionit.

- Kryeministri u shpreh se është e domosdoshme të krijohet qyteti i ICT. Për këtë qëllim, kryeministri kërkoi që në bashkëpunim me autoritetet vendore, në një nga zonat përreth kryeqytetit të zgjidhet territori dhe të krijohet me përparësi dhe të gjitha lehtësirat qyteza e ICT.

Kryeministri Berisha, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave cilësoi shumë të rëndësishme vendimet për hapjen, në disa universitet të vendit, të degëve të informatikës, si në universitetin e Vlorës, Durrësit dhe në universitet të tjera. “Ne vendosim për të hapur katër fakultete për përgatitjen e specialisteve, ekspertëve, në fushën e teknologjisë së informacionit. Ky përbën një vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm.”

Duke përgëzuar universitetet, për marrjen e një vendimi të guximshëm, si dhe Ministrinë e Arsimit për hartimin e vendimit, Kryeministri u shpreh se kjo është një mënyrë konkrete për të ecur me shpejtësi drejt objektivit të Shqipërisë digjitale.

Kryeministri theksoi se Shqipëria duhet së paku, të trefishojë, pa asnjë lloj druajtje, numrin e studentëve në fakultetet e IT. Gjithashtu, kryeministri kërkoi nga Ministria e Arsimit që të procedohet edhe me shkollat e mesme profesionale, me drejtim teknologjinë e Informacionit, duke sjellë si shembull shkollën e mesme “Maringer” në Shkodër.“Zoti Ministër duhet të procedojmë me shkolla të tipit Maringer, si ajo që është në Shkodër, qoftë duke biseduar direkt me palën austriake dhe ti krijojmë kështu, të gjitha lehtësitë dhe mundësitë, që kjo shkollë e shkëlqyer në këtë fushë, si shkollë e mesme, të funksionojë mundësisht dhe në qarqe të tjera të vendit, si në Fier, në Tiranë, Korçë, Elbasan, etj.”

Kryeministri u shpreh se kjo përbën një domosdoshmëri të madhe, për t’iu përgjigjur sa më mirë nevojave që ka tregu për specialistë në këtë fushë.

Kryeministri tha se është shumë e rëndësishme që përpjekjet për shumëfishimin e studentëve, në universitet e vendit, si dhe për hapjen e shkollave të mesme profesionale, në këtë fushë duhet të ecin paralelisht me përpjekjen e madhe, për garantimin dhe ruajtjen e cilësisë së përgatitjes.

kjo e fundit nuk është e thjeshtë, është më e vështirë se sa e para, sepse e para bazohet në një vendim , në një parapërgatitje dhe në një buxhet përkatës. Dhe e dyta kërkon buxhet, kërkon përqendrim të madh dhe reforma të thellë, reforma e cila duhet të fillojë me kurikulën e këtyre fakulteteve. Ne mund të kërkojmë që ky kurrikul të jetë i njëjtë për shkollat publike dhe private të vendit. Rektorët, ministria të ulen së bashku me ta dhe të nisë menjëherë puna për kurrikulin më tëmirë të mundshëm në këtë fushë.

Ndër të tjera, kryeministri theksoi se është shumë e domosdoshme që fakulteteve të reja që krijohen tu vihen në dispozicion të gjitha fondet, për laboratorët, kabinetet që atyre u nevojiten, për të zhvilluar, në këtë mënyrë, veprimtarinë e tyre normale.

Gjithashtu, kryeministri shtoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që me përparësinë më të madhe të nxitet kërkimi shkencor dhe inovacioni në këtë fushë. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi se ëhstë i domosdoshëm akordimi i fondeve, për të angazhuar të rinjtë në bërjen e softeve. “është e domosdoshme që zoti Ministër I Ekonomisë që fondet e SME-ve tu adresohen para së gjithash me mbi të gjitha këtyre sipërmarrjeve, me destinacion të caktuar prodhim softesh dhe programesh në tërësinë e vet.”

Kryeministri u shpreh se është e domosdoshme të krijohet qyteti i IT. Për këtë qëllim, kryeministri kërkoi që në bashkëpunim me autoritetet vendore, në një nga zonat përreth kryeqytetit të zgjidhet territori dhe të krijohet me përparësi dhe të gjitha lehtësirat qyteza e ICT.

Duke theksuar se fakultetet e kësaj fushe duhet të shndërrohen në qendra të fuqishme të kërkimit shkencor, Kryeministri u shpreh se fakultetet duhet të kontratojnë edhe ekspertë të huaj në rast se u nevojiten. “Fakultet e vendit dhe në mënyrë të veçantë fakultetet e teknologjisë së informacionit duhet të kontratojnë ekspertë të huaj në rast se u nevojiten. Kjo është e domosdoshme. Duhet të bëhen takime të veçanta, të shqyrtohen mirë se kush do të mbulojë lëndë, sikundër kontratojë kundrejt kushteve dhe pagesës profesorë nga universitetet e huaja. Ne duhet të bëjmë çdo gjë për dyfishimin e këtyre fakulteteve. Këto fakultete duhet të shndërrohen në qendra të fuqishme të kërkimit shkencor. Duhet të inkurajohen që me prodhimet e tyre të hyjnë direkt në treg. Duhet të inkurajohen të krijojnë sipërmarrje të vogla në përputhje me të gjitha ligjet dhe kushtet e vendit, të nxiten maksimalisht ambiciet e tyre.”

Kryeministri u shpreh se megjithëse masat e qeverisë për të nxitur këtë fushë nuk mungojnë, nuk duhet reshtur për të krijuar të gjitha lehtësirat e tjera të mundshme. “Vendimi i qeverisë për të përgjysmuar taksën për këtë fushë është një vendim i rëndësishëm, por ne nuk duhet të reshtim për të krijuar të gjithë lehtësirat e tjera të mundshme. S’duhet të reshtim së nxituri me çdo çmim zhvillimin e shpejtë të këtij sektor,i I cili ecën me shpejtësi të madhe, ecën në mënyrë të papërmbajtur. Koha dixhitale është koha më e shpejtë.

Pra duhet të bëjmë çdo përpjekje për të kapur një nivel, është i mundshëm , por i vështirë realisht dhe kërkon përqendrim të madh. Gjithçka në këtë vend mund të shkojë drejt programimit dixhital, nga vaditja në ara, tek sporteli I vetëm për qytetarin. Kështu që me këto katër fakultet ne bëjmë një hap përpara. Suksesi do të varet nga të gjitha masat e tjera. Ne duhet të bëjmë çdo gjë që kjo të ketë sukses. Duhet të bëjmë çdo gjë që fakultet ekzistuese të dyfishojnë kapacitet e tyre dhe të kenë sukses. Gjithashtu edhe universitet të tjera private të ngrihen, të ndihmohen, të lehtësohen dhe të kenë të njëjtin kurrikul.”


12/05/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›