E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha:Buxheti i vitit 2009 do ti japë përgjigjen e duhur, përcaktimeve të programit qeveritar

- Kryeministri theksoi se buxheti i vitit që vjen do të mbështesë fuqishëm projektet për zhvillimin infrastrukturor të vendit

 Në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar, Kryeministri Berisha foli gjerësisht për buxhetin e ri të vitit 2009, i cili do ti japë përgjigjen e duhur, përcaktimeve të programit qeveritar.

“Së pari duhet tu bej me dije se ky është buxheti më i madh në historinë e këtij vendi, rreth 1 miliard dollarë më shumë se ky që është në vazhdim. Ky buxhet jep te gjitha mundësitë qeverisë sime të mbajë plotësisht premtimin e dhëne për 800 mijë familje shqiptare. Rritjen e pensioneve ne fshat me 20 %, rritjen e pensioneve ne qytet me 10 %, dyfishimin  e rrogave të mësuesve, infermiereve, rritjen thelbësore te ndihmës ekonomike dhe rrogave të tjera përveç atyre të larta.”

Kryeministri u shpreh se në sajë të ndjekjes së politikave të duhura fiskale, tashmë Shqipëria ka ndryshuar përsa u përket rrogave dhe pensioneve.

“Ne nuk jemi më vendi me rrogat apo pensionet minimale më të ulëta. Ne kemi kaluar dhe vende te tjera, të cilat janë shumë përpara nesh, por jo në këtë aspekt. Rroga mesatare e shqiptarëve në sektorin publik sot është 502 dollarë. Mendoj se përafërsisht e njëjtë dhe me nje devijim jo të madh është dhe në sektorin privat.”

Kryeministri theksoi se me zhvillimet e dy viteve të fundit, Shqipëria doli nga orbita e vendeve me të ardhura të ulëta, duke u pozicionuar në vendet me të ardhura mesatare.

“Ajo që ne shpallëm si skemë të kafshatës, u ironizua jo pak nga ata që kanë, të cilët natyrisht e kanë të vështirë tua besojnë atyre që  nuk kanë. Por ne e bëmë realitet këtë, jo për 100 apo 200 mijë familje por për 800 mijë familje.”

Kryeministri u  ndal në mënyrë të veçantë në përdorimin e buxhetit për përfundimin e një sërë veprave të rëndësishme infrastrukturore, të cilat janë në ndërtim e sipër, ose në procesin e studimit. “Buxheti i vitit 2009 është buxheti i përfundimit dhe vazhdimit të rreth 820 km autostrada dhe  rrugë kombëtare në të katër anët e vendit. Do të përfundojë rruga Durrës- Morinë, si dhe një seri rrugësh të tjera kombëtare, të rëndësishme. Do të nisin të tjera autostrada. Do të përfundojë rruga Korcë-Qafë Pllocë, Bllacë- Bulqizë, nis rruga e Arbërit nga Bulqiza dhe nga Tirana në dy drejtime, si dhe do të nisë rruga Qafë-Pllocë, Qaf Thanë.

Më pas, duke bërë një shqyrtim të detajuar të rrugëve në ndërtim dhe atyre në studim e sipër, Kryeministri sqaroi:

“Dua tu informoj se ka nisur një studim për të shqyrtuar në se mund të shkurtohet distanca dhe të dilet në Quks. Projekti Qafe –Pllocë – Qaf Thanë është i gatshëm . Plani për të filluar ka qenë fillimi i vitit 2009. Njëri nga këto do të fillojë. Ose do të finalizohet studimi dhe do të shohim nwse është kusht të ndërrmirret ky shkurtim , përndryshe do të vazhdojë Qafë Pllocë-Qaf Thanë, i cili ka meritën se nuk është me  lartësi dhe zbritje, por ecën në një trajektore thuajse të shpeshtë dhe del shumë më shpejt në Qaf Thanë. Mbron nga trafiku i rëndë liqenin, një mbrojtje kjo e domosdoshme.

Një kompani serioze po bën fizibilitetin e dytë për boshtin e Jugut. Unë e kam deklaruar. Ajo është fizibël, ajo nuk mund të mos jetë fizibël .Një rrugë që afron Sarandën së bashku me Kardhiqin mbi 100 km dhe po të kemi parasysh se nuk kemi asgjë më të çmuar se Saranda në potencialin tonë zhvillimor turistik. Shto këtu faktin që ka hyrje nga Kakavija dhe komunikimin kryesor me Greqinë në atë aspekt. Përvec këssaj edhe dy pika të tjera doganore, Qaf Bota dhe  tre urat e kanë më të përshtatshme. Uroj dhe shpresoj që ky studim i dytë të dalë fizibël.

Ky bosht përbën një përparësi të madhe për ne. Kalon në një zonë nga Berati deri në Tiranë shumë të populluar dhe i jep një shtytje të madhe zhvillimit të gjithë kësaj zone. Po zhvillohet studimi për aksin Fierzë-Koman , i cili është i shkurtër rreth 34 km , por i vështirë sepse terreni është i tillë, por ne po i bëjmë dhe studimin, edhe projektin. Është për të nisur rruga Shkodër-Hani i Hotit. Tani në vjeshtë fillon rruga Levan-Tepelenë. Po studiojmë dhe njëherë nga e parë by –pass-in e Fierit sepse të dhëna të reja dëshmojnë se Apolonia është e shtrirë thellë deri në fushë poshtë. Nuk është  e dëshirueshme që të biem në gjetje arkeologjike sepse ajo do te na vendosë para të një papriture, do të na bllokojë ndërtimin. Në këtë mënyrë po bëjmë studimin që të dalim në krahun tjetër për by-pass-in e Fierit. Apolonisë nuk ia di njeri kufijtë në mënyrë të saktë, por disa studime të arkeologëve dhe të instituteve përkatëse flasin për një shtrirje shumë herë më të madhe nga cishte menduar për këtë qytet  të lashtë. Në rast se buxheti do të mbështesë projektet e mëdha te rrugëve kombëtare, buxheti do të mbështese fuqishëm zhvillimin e qëndrueshëm rural të vendit.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›