E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Platforma e qeverisë për bujqësinë, është platforma e zhvillimit të qëndrueshëm rural

- Kryeministri Berisha theksoi se pa zhvillim rural, Shqipëria nuk mund të klasifikohet si një vend i zhvilluar.

- Kryeministri Berisha: Buxheti i vitit që vjen i jep një përgjigje të shkëlqyer, në mënyrën më serioze zhvillimit rural.

Kryeministri Berisha tha sot në mbledhjen e grupit parlamentar se platforma e qeverisë për bujqësinë, është platforma e zhvillimit të qëndrueshëm rural.

Kryeministri u shpreh se debatet e ndryshme lidhur me qëndrimin ndaj fshatit kanë qenë të frymëzuara nga motive politike ose koncepte shumë të ngushta për këtë sektor jetik të vendit.

“Ne nuk mundet dhe nuk do ta shohim ndonjëherë bujqësinë në një pamje të ngushtë, po në tërë kompleksitetin e saj. Zhvillimi i saj ose ky sektor ka zero të ardhme në se nuk bëhet në kuadrin e zhvillimit të qëndrueshëm rural dhe ky kuadër është më i kushtueshmi. Ne duhet të jemi të përgatitur për këtë,.ne po ecim dhe po e trajtojmë në mënyrën më serioze, por vetëm në këtë mënyrë ne do mund ta zhvillojmë ketë vend.” - tha Kryeministri.

Duke folur për vizitën e djeshme në rrethin e Korçës, Kryeministri i njohu deputetët me disa kërkesa të përfaqësuesve të pushtetit vendor, të cilat ndonëse në dukje elementare,  janë të domosdoshme  për tu siguruar banorëve një jetesë normale.

“Dje unë isha në Korcë. Në  këtë qark vizitova 7 komuna dhe Bashkinë e Bilishtit. Dua tu njoh këtu me kërkesat e dy fermerëve, Kryeplakut të Poncarit dhe kryeplakut të Panaritit. Kryeplaku i Poncarit ku ne inauguruam një vepër ujitëse shumë të rëndësishme që vadit rreth 700 ha në Devollin e Sipërm, pasi më falënderoi , më parashtroi një kërkesë. Ai më tregoi rreth 80 vila të reja, që sipas tij do të thotë që njerëzit duan të jetojnë aty, por ata kishin nevojë për sistemin e kanalizimeve , që të jetonin siç duhej. Kjo kërkese është më elementarja që mund të paraqesin, kurse kryeplaku i Panaritit duke më shprehur mirënjohjen që u bë e mundur shtrimi i asfaltit deri në Vithkuq, më kërkoi për shtrirjen e rrugës me 12 km , pasi Panariti ishte shumë larg. Panariti, Treska dhe disa fshatra të tjera që ai përmendi përbënin një komunitet që kishte dëshirë të jetonte aty, që nuk do të largohet.”

Duke shprehur mirënjohjen për projektin e Bankës Botërore për asfaltimin e rrugëve rurale, kryeministri informoi se projekti është aktivizuar dhe fillon gjatë këtij muaji me asfaltimin e një rruge në cdo qark, ndërsa gjatë tetorit dhe nëntorit do të fillojë me rrugët e dyta për qarqet.

Kryeministri informoi se gjatë këtyre tre vjetëve kanë përfunduar rreth 1000 km rrugë fshatrash dhe siguroi se do të realizohen të gjitha projektet për të lidhur çdo qendër komune me rrugën kombëtare dhe rrugët që lidhin fshatrat e mëdhenj me qendrën e komunës.

Kryeministri theksoi se zhvillmi i qëndrueshëm rural është çmimi më i madh që duhet të paguhet, por ky çmim ia vlen të paguhet për njerëzit e këtyre zonave , të cilët kanë një të kaluar të dhimbshme dhe të vuajtur.

Ndër të tjera Kryeministri u shpreh se buxheti i vitit që vjen i jep një përgjigje të shkëlqyer në mënyrën më serioze zhvillimit rural. “Po bëjmë të gjithë bilancin e investimeve që janë bërë në këtë sektor. Cilado qofshin ato shumë herë më tepër nevojiten . Pa këtë, Shqipëria nuk mund të jetë kurrë një vendi zhvilluar. Pa një zhvillim rural, Shqipëria nuk mund të klasifikohet si një vend i zhvilluar. Buxheti do të ruajë rritjen dhe stabilitetin makroekonomik."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›