E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet takimin e Shoqatës së Komunave, për prezantimin e botimit “ABC-ja e Bashkimit Europian për njësitë e pushtetit vendor”

Katër-pesë vite më parë, ne vendosëm së bashku, një partneritet, që do ta konsideroja të shkëlqyer, që ka ndërruar cilësisht jetën në komunat tuaja.

Ne do të rindërtojmë së bashku një infrastrukturë të re dhe do të shkëputemi nga ajo trashëgimi mijëvjeçare që sundon në mënyrë të pamerituar, në shumë pjesë në infrastrukturën e vendit.

Ne, së bashku duhet të ndërmarrim një betejë të madhe dhe më fisniken, betejën kundër varfërisë.

Sa më shumë zhvillohet vendi, aq më e dhimbshme bëhet varfëria, aq më e padurueshme bëhet ajo, aq më e madhe bëhet përgjegjësia jonë e përbashkët. Ndaj le të vendosim së bashku për një kapitull të ri dhe një luftë të ashpër e të vendosur kundër varfërisë.

Kryeministri Berisha përshëndeti sot takimin e Shoqatës së Komunave të vendit, për prezantimin e botimit “ABC-ja e Bashkimit Europian për njësitë e pushtetit vendor”.

Kryeministri Berisha e cilësoi këtë botim një udhërrëfyes për standardet, normat dhe rregullat e Bashkimit Europian, për t’u zbatuar në veprimtarinë e qeverive vendore. Roli dhe veprimtaria, standardet tuaja qeverisëse, u shpreh Kryeministri, janë jetike dhe vendimtare për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi partneritetin e suksesshëm të qeverisë me qeveritë vendore, duke veçuar disa nga arritjet thelbësore të këtij partneriteti, si decentralizimi i plotë dhe transferimin e pyjeve, kullotave, ujësjellësve, kanalizimeve, taksave njësive të qeverisjes vendore, shumëfishimi i granteve konkurruese, asfaltimi i rrugëve që lidhin fshatrat me qendrën e komunës dhe këtë të fundit me rrugën nacionale, duke gjallëruar tregjet dhe ndryshuar cilësisht jetën e banorëve të tyre. Kryeministri siguroi se përpjekjet e qeverisë, në bashkëpunim me qeveritë vendore, do vazhdojnë për ndërtimin e plotë të një infrastrukturë të re dhe moderne.

Kryeministri Berisha kërkoi veçanërisht një përqendrim më të madh të vëmendjes në luftën kundër varfërisë, duke theksuar se kjo duhet të jetë edhe axhendë prioritare në punën e tyre dhe duke i garantuar se qeveria do t’i mbështesë fuqishëm në këtë objektiv. Kryeministri tha se komunat e vendit kanë potenciale të mëdha të pazhvilluara dhe të pashfrytëzuara ende, ndaj duhet të shfrytëzohet maksimalisht çdo burim dhe potencial që ato kanë, për të rritur prodhimin, për të nxitur artizanatin e për të gjallëruar tregun.

Kryeministri Berisha u bëri gjithashtu thirrje drejtuesve vendorë të komunave të vendit, për ta shndërruar në çështje prioritare mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit.

Më gjerë, në fjalën, Kryeministri Berisha u shpreh:

“është një nder dhe kënaqësi e madhe për mua t’ju përshëndes në këtë ngjarje shumë të rëndësishme, paraqitjes së këtij libri, i cili përbën një ndihmë të jashtëzakonshme, një udhërrëfyes të të gjitha qëndrimeve tuaja, në interesin më të mirë të qytetarëve që ju kanë votuar dhe ju i qeverisni.

Ky libër ju njeh me të gjitha standardet e qytetarëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, me të gjitha normat që duhen respektuar dhe zbatuar në të gjithë procesin e veprimtarisë së qeverive vendore, në interesin e tyre më të mirë. Në këtë kontekst, në përpjekjen tonë të përbashkët, të shndërrimit në realitet të ëndrrës europiane të qytetarëve shqiptarë, të këtij projekti, më i madhi për këtë shekull, për shqiptarët, ky libër ju jep një ndihmesë të madhe e të çmuar, zgjon vetëdijen tuaj për një qëndrim të ri në të gjithë territorin e komunës dhe fqinjësinë e saj, zgjon vetëdijen tuaj për një qëndrim të ri ndaj qeverisjes së qytetarëve. E vërteta është se roli dhe veprimtaria juaj, standardet tuaja qeverisëse janë jetike dhe vendimtare për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Ndaj unë dua të falënderoj Agjencinë Suedeze të Zhvillimit, ambasadën për këtë ndihmë të çmuar dhe këtë dhuratë të mrekullueshme që ju kanë bërë juve sot, për të cilën unë kam bindje se ju do ata përdorni në interesin më të mirë të qytetarëve që qeverisni.

Zonja dhe zotërinj drejtues të komunave të vendit,

Unë dua t’ju përgëzoj për progresin që keni bërë dhe t’ju garantoj se qeveria shqiptare qëndron fuqishëm në mbështetje të plotë e të gjithanshme tuajën. Ne jemi të vendosur t’ju mbështesim, së pari, duke ju dhënë të gjitha kompetencat që duhet të ushtroni dhe meritoni dhe kjo është ndihma më e madhe që qeveria qendrore mund t’u japë qeverive vendore. Në këtë kontekst, jeni dëshmitarë të një përpjekjeje madhore të bërë gjatë katër viteve, jo vetëm me decentralizimin e plotë dhe transferimin e pyjeve, kullotave, ujësjellësve, kanalizimeve, taksave, rentës në masën 25 përqind në ligjin e fundit, por jeni dëshmitarë edhe të faktit se ne kemi 4-5-fishuar grantet konkurruese për ju dhe grantin tjetër. Katër-pesë vite më parë, ne vendosëm së bashku, një partneritet, që do ta konsideroja të shkëlqyer, që ka ndërruar cilësisht jetën në komunat tuaja. Unë mund t’ju kujtoj se 4 vite më parë kanë qenë jo dhjetëra, por qindra e qindra komuna pa asnjë metër rrugë të asfaltuar në vend. Mund të niseshe nga Valbona dhe të përfundoje në Librazhd dhe përveç dy segmenteve të rrugës kombëtare, nga Kruma në Kukës dhe nga Peshkopia në Bulqizë, nuk gjeje një kilometër rrugë të asfaltuar. Mund të udhëtoje 45 kilometra, nga Tirana në rrethin e Peqinit dhe nuk shihje qoftë një kilometër rrugë të asfaltuar. Ndërsa sot, kam kënaqësi të madhe se vij tek ju dhe jeni të shumtë që raportoni se nuk ka mbetur më rrugë e paasfaltuar në komunën tuaj dhe për këtë, ju keni një meritë të madhe, sepse u treguat investitorë shumë të mirë, të përgjegjshëm, se ju bëtë projektet. Ju garantoj edhe ju të tjerëve se kjo politikë do të vazhdojë dhe ne do të bëjmë që Shqipëria të ketë një nga infrastrukturat më moderne të rajonit dhe Europës, do të bëjmë së bashku, që gjatë këtyre tre viteve, nga çdo fshat, cilido dhe kudo qoftë ai, të arrihet në qendër të komunës me rrugë të mirë, për një kohë jo më shumë se 20-25 minuta dhe nga çdo qendër komune të arrihet në aksin kombëtar rrugor për një kohë jo më shumë se 20-30 minuta. Ne do të rindërtojmë së bashku një infrastrukturë të re dhe do të shkëputemi nga ajo trashëgimi mijëvjeçare që sundon në mënyrë të pamerituar, në shumë pjesë në infrastrukturën e vendit.

Ne, së bashku duhet të ndërmarrim një betejë të madhe dhe më fisniken, betejën kundër varfërisë. Shqipëria ka arritur rezultate të mëdha në këtë fushë. Asnjë vend tjetër nuk mund të dëshmojë rezultatin e Shqipërisë. Nga një vend me 204 dollarë për frymë, në vitin 1992, sot është një vend që është shkëputur përfundimisht nga grupi i vendeve të varfra. Nga një vend, që 5-6 vite më parë e kishte varfërinë rreth 25 përqind, sot e ka zbritur atë në 11-12 përqind. Nga një vend, i cili pak vite më parë kishte një mjerim që arrinte edhe 8 përqind, sot e ka atë 1.3 përqind. Por dua të ndalem në një moment. Sa më shumë zhvillohet vendi, aq më e dhimbshme bëhet varfëria, aq më e padurueshme bëhet ajo, aq më e madhe bëhet përgjegjësia jonë e përbashkët. Ndaj le të vendosim së bashku për një kapitull të ri dhe një luftë të ashpër e të vendosur kundër varfërisë.

Të dashur kryetare e kryetarë komunash, askush nuk e ka më shumë në dorë se ju këtë betejë dhe unë ju garantoj se qeveria do të qëndrojë fuqishëm prapa jush. Ju e njihni mirë territorin e komunave tuaja dhe unë e njoh. Kudo që shkoj, në çdo vend, unë konstatoj potenciale të mëdha të pazhvilluara, potenciale të mëdha të pashfrytëzuara. Unë e kuptoj se komunat e Librazhdit kanë pak tokë, por komunat e Librazhdit mund të shndërrohen në plantacionet e mëdha të arrave jo në Shqipëri, por në rajon dhe në fakt, të tilla kanë qenë. Kush është nga Librazhdi dhe luginën e Shkumbinit e ka të qartë këtë. Unë mora shembull Librazhdin, për t’ju bërë thirrje që të bëjmë çdo përpjekje për shfrytëzimin maksimal të traditës aty, ku është dhe kudo, në çdo komunë ka diçka më të zhvilluar, diçka më të arrirë, më të mirë, sesa në një territor tjetër. Ne, së bashku kemi investuar në rrugë, në ura, ujësjellës, kanalizime që, sigurisht, janë të domosdoshme, por le të mendojmë tani si të shfrytëzojmë çdo potencial në komunë, për të rritur prodhimin, për të luftuar varfërinë. Ju jeni këtu nga zonat, ku është edhe harta e varfërisë së vendit, por në secilën prej komunave tuaja, në rast se vëmë përballë këtë armik të qytetarëve tanë, mundësitë janë shumë më të mëdha e me shpejtësi shumë më të madhe për të rritur prodhimin, për të nxitur artizanatin, për të gjallëruar tregun. Ne së shpejti do të shpalosim një rrjet mikrokrediti, i cili ju mungon, apo ai që është, është në formë rudimentare dhe që juve ju duhet dhe ne do ta bëjmë. Por edhe ju duhet të mendoni që ne të shfrytëzojmë çdo burim, çdo potencial. Shqipëria nuk është për të pasur të varfër. Absolutisht jo. Njerëzit nuk duhet të rrinë të varfër. Përgjegjësinë e ka qeveria. Duhet të bëjmë çdo gjë, që aty, ku janë t’i ndihmojmë të dalin nga varfëria. Rrugët janë një ndihmë e madhe për tregun dhe të gjithë investimet e tjera, por nuk duhet të harrojmë se, në rast se nuk përqendrohemi tek burimet, nuk realizojmë dot një zhvillim të qëndrueshëm.

Të dashur kryetare e kryetarë komunash,

duke ju përshëndetur, do ta mbyll me një apel, të shënojmë një kapitull të ri në mbrojtjen e mjedisit. Një vend që ka dalë e del nga varfëria, nuk mund të them se ka pasur një mundësi për të qenë i përqendruar sa duhet në çështjen e mjedisit. Por sërish, për disa rrethana, ne i kemi disa tregues të mjedisit ndër më të mirët në Europë dhe lëmë mbrapa një seri vendesh anëtare të BE-së. Do të kërkoja nga ju që në axhendën tuaj, në trashëgiminë tuaj, mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i tij të jetë përparësia më madhore. Ka një agresion të papërmbajtur ndaj mjedisit. Para se të vij këtu pashë një statistikë, sipas së cilës, janë 80 lavatriçe në trupin e mrekullueshëm të Vjosës. Mund të mos jenë 80, ndofta më pak, por ato e gërryejnë dhe e shkatërrojnë lumin. Ndaj mbroni me të gjithë forcën e ligjit pasuritë që ju keni. Lumenjtë, pyjet, kullotat janë pasuri mahnitëse e juaja dhe e qytetarëve tuaj. Unë mora një aspekt. Ne po ecim drejt Bashkimit Europian dhe do të integrohemi në BE, por duhet të integrohemi si një vend me standardet më të mira të jetesës për qytetarë tanë.

Edhe një herë shpreh falënderimin tim për të gjithë punën që keni bërë dhe bëni. Ju garantoj se qeveria është e vetëdijshme për një mijë e një halle, me të cilat ju përballeni në jetën tuaj të përditshme, por, nga ana tjetër, ne nuk përkulemi, sepse ne jemi njerëzit e një mijë e njëqind mundësive. Ne operojmë me mundësitë që kemi dhe së bashku ndryshojmë atë realitet, në interesin më të mirë të qytetarëve tanë. Faleminderit”.


29/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›