E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillohet mbledhja e radhës e task forcës për ekonominë

- Task forca për ekonominë shqyrtoi dhe vendosi të propozojë për në Këshillin e Ministrave projektligjin “Për krijimin dhe organizimin e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve”

Nën drejtimin e Kryeministri Berisha u zhvillua dje mbledhja e radhës e radhës e task forcës për ekonominë. Në vazhdimësi të reformave ekonomike, konkretisht të atyre që kanë të bëjnë me nxitjen, mbështetjen dhe shërbimet ndaj investimeve të huaja dhe vendase, task forca shqyrtoi dhe vendosi të propozojë për në Këshillin e Ministrave një projekt ligj të ri.

Qëllimi i propozimit të këtij projektligji është krijimi i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Me anë të këtij projektligji rregullohet e organizimi, funksionimi dhe veprimtaria e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve.

Kryeministri Berisha paraqiti situatën ekonomike, nën kontekstin e së cilës është bërë domosdoshmëri drejtimi institucional i investimeve të huaja dhe vendase, si dhe orientimi e shërbesa ndaj tyre. Reforma rregullatore në fazën e sotme më të zhvilluar adreson probleme të mbështetjes institucionale të investimeve dhe sipërmarrjes në Shqipëri, në aspekte shumëdimensionale. Në këtë kuadër, qeveria shqiptare i ka dhënë dhe do të vazhdoje t`i japë një rendësi shumë të madhe tërheqjes së Investimeve të Huaja Direkte, si dhe rritjes së konkurueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

Në institucionalizimin e kësaj pjese të reformës rregullatore, roli i Agjencisë Shqiptare për Investimet e Huaja dhe Konkurueshmërinë është esencial. Kjo agjenci është fryt i punës së bashkëpunimit të ngushtë të qeverisë shqiptare përfaqësuar nga METE, me ekspertizën e huaj dhe vendase, të kontraktuar nga Banka Botërore. Krijimi i kësaj agjencinë u arrit duke u bazuar në modelin e agjencive të tilla të ngjashme të suksesshme të vendeve të rajonit, por edhe më gjerë se kaq. Agjencia AIDA do të riorganizohet jo vetëm në varësinë e saj, por edhe në strukturën e saj të brendshme, duke iu përshtatur më mirë objektivave të qeverisë shqiptare, në këtë fazë zhvillimi, prioriteteve të shpallura prej saj në fushën ekonomike, si dhe stadit të sotëm të zhvillimit të investimeve të huaja e vendase në Shqipëri.

Ky projektligj vjen si rezultat i konsultimeve të gjera me të gjitha institucionet dhe grupet e interesit. Për këtë arsye u ngrit një grup pune me Urdhrin e Kryeministrit, i kryesuar prej tij, nr.190, dt 31.12.2009, i cili së bashku me konsulencën përgatiti këtë projekt-akt. është pikërisht ky projekt ligj që u miratua në mbledhjen e Task Forcës dt. 28.06.2010, në të cilën u diskutua gjerë e gjatë në lidhje me këtë problem. Në këtë projektligj u reflektuan të gjitha sugjerimet e dala nga kjo mbledhje.

Sipas tij, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) është person juridik, publik, buxhetor, i cili drejtohet nga Bordi Drejtues dhe përbëhet nga përfaqësues të sektorit publik dhe të sektorit ekonomik privat.

Veprimtaria e Agjencisë përqendrohet kryesisht në këto drejtime:

a) Lehtësimi dhe mbështetja e investimeve të drejtpërdrejta në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet identifikimit dhe promovimit të mundësive për investime, duke i ofruar shërbime dhe mbështetje investitorëve ekzistues ose potencialë.

b) Rritja e aftësisë konkurruese të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, duke mundësuar rinovimin dhe përmirësimin e produkteve dhe shërbimeve, si dhe teknologjisë që ato përdorin, nëpërmjet ofrimit të mekanizmave që bazohen tek rritja e kapaciteteve teknike dhe aftësive rinovuese.

c) Nxitja dhe ndihma ndaj eksporteve të mallrave dhe shërbimeve nëpërmjet ofrimit të shërbimeve mbështetëse dhe dhënies së asistencës financiare për shoqëritë eksportuese dhe promovimin e eksporteve.


29/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›