E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistë e Presidentit Topi dhënë për gazetën "InfoPress".

26 qershor 2010

Gazetari, Beadin Syla: Z. Topi, Prizreni do të jetë takimi i radhës në kuadër të mini-samiteve të katër presidenteve të rajonit, ku siç dihet edhe ju keni konfirmuar pjesëmarrjen. Çfarë prisni nga ky takim?

Presidenti Topi: Kënaqësia e pjesëmarrjes në këtë takim lidhet në radhë të parë me kontekstin historik të qytetit të Prizrenit. Natyrisht një takim i tillë ka rëndësi të veçantë në kontekstin e bashkëpunimit politik e veçanërisht në atë rajonal midis vendeve tona, sidomos pas njohjes së shtetit të Kosovës nga vendet fqinje. Ky takim, që pason atë të Vlorës, është dëshmia më e mirë se vendet tona si pjesë e Evropës Juglindore janë të gatshme për të vazhduar me më shumë vendosmëri drejt integrimeve euroatlantike, duke liberalizuar lëvizjen e qytetarëve të tyre, duke shtuar nivelin e bashkëpunimit politik e ekonomik dhe duke e thelluar akoma më tej shkëmbimin tregtar.

Shqipëria i përmbahet qëndrimit se bashkëpunimi rajonal do të jetë më i plotë, më i qëndrueshëm dhe më i dobishëm në procesin e integrimit, duke mos mbetur vetëm në rrafshin e dialogut politik dhe në frazat për fqinjësinë e mirë. Ndaj, besoj se këto takime, i japin shtysë të mëtejshme këtij bashkëpunimi.

Gazetari: Cili është roli i këtyre takimeve dhe a është ndonjë rezultat që mund të theksohet i dalë nga takimet e kaluara në Vlorë dhe Ohër?

Presidenti Topi: Në takimin e parë, atë të Vlorës më 24 e 25 qershor të vitit të kaluar, synimi ka qenë jo vetem forcimi institucional i bashkëpunimit, i cili i kombinuar edhe me një marrëdhënie të mirë personale, sjell një koordinim të prioriteteve e aspiratave tona të përbashkëta. Më tepër akoma takimi i Vlorës përbën takimin e parë, tryezen e parë, samitin e parë rajonal ku Kosova merrte pjesë duke i shërbyer në mënyrë të padiskutushme jo vetëm realitetit të ri politik por edhe njohjeve të reja që e pasuan nga vende të tjera. Vlora provoi sërisht vullnetin e vendeve tona për të qenë së bashku në të gjitha sfidat me të cilat na përballin zhvillimet gjeopolitike, jo vetëm rajonale.

Unë besoj se ky takim i afron më tej vendet tona, drejt një integrimi më të konsoliduar rajonal. Dhe është fakt që vendet tona, të gjitha besojnë se nxitja e integrimit rajonal i shërben krijimit të kushteve të favorshme për liberalizimin e tregtisë, nxitjes së investimeve, afrisë së popujve tanë, pra, i shërben thjesht zhvillimit të vendeve tona në përgjithësi.

Gazetari: Mini-samiti i Prizrenit pason atë të Vlorës dhe Ohrit, me idenë e kujt filloi kjo nismë?

Presidenti Topi: Siç e përmenda, Shqipëria ka qenë iniciuesja dhe takimi i parë është zhvilluar në qytetin e Vlorës më 24 e 25 qershor 2009, një qytet që kontekstin historik e ka të shkrirë natyrshëm me atë turistik. Inkurajimi i përfshirjes për herë të parë e Kosovës, ka qenë në funksion të krijimit të një klime bashkëpunimi në realitetin e ri të krijuar me pavarësinë e Kosovës, pavarësi që u ka dëshmuar edhe më pas, vetëm progres e stabilitet shteteve të rajonit. Duke e kuptuar këtë realitet, mund të krijojmë të gjithë së bashku ura bashkëpunimi dhe integrimi të vendeve tona, por edhe si rajon. Kjo iniciativë është një mesazh i qartë se vendet tona kanë hyrë në një fazë të qëndrueshme bashkëpunimi.

Gazetari: Presidenti serb nuk është ftuar as në takimin e Prizrenit, e keni ftuar ju atë në takimin e Vlorës, dhe a mund të cilësohen jo të plota këto takime, kur dihet se në to nuk merr pjesë i tërë rajoni?

Presidenti Topi: Takimi i parë në Vlorë, u iniciua si një takim me vendet e Ballkanit Perëndimor, fqinjë të Shqipërisë, për vetë natyrën e specifikave të bashkëpunimit për shkak të kufijve të përbashkët. Por kjo nuk do të thotë që takime të tilla të jenë të mbyllura për vende të tjera.

Zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe me Serbinë është një element që zë vendin e vet në politikën rajonale të Shqipërisë. Shqipëria, këto marrëdhënie i sheh nën vizionin e perspektivës për të ardhmen.

Kushdo është i mirëpritur në funksion të bashkëpunimit pasi të gjitha vendet e rajonit që kanë të njëjtën aspiratë, integrimin euroatlantik, mund t’i bashkohen këtyre interesave.

Gazetari: Bashkëpunimi rajonal do të jetë temë kryesore edhe e këtij mini-samiti. A ka bashkëpunim në nivel të duhur rajonal, apo proklamimi i këtij bashkëpunimi më shumë është deklarativ?

Presidenti Topi: Nuk do e konsideroja aspak të tillë. Në mbarim të takimit të Vlorës, bashkë me homologët e Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi kemi identifikuar e rënë dakord për tri pika kryesore për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve tona: përmirësimi i infrastrukturës, rritja e sigurisë në rajon dhe impenjimi i përbashkët në integrimin e vendeve tona në strukturat euro-atlantike, të cilat janë konkrete e përtej kuadrit të thjeshtë deklarativ. Bashkë me kolegët kemi parë si parësore lëvizjen e lirë të qytetarëve në vendet tona, të biznesit e të gjitha aktiviteteve të tjera. Secili vend ka përpjekje pozitive e të dukshme në këtë drejtim. Në Shqipëri për shembull ka një përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës, ndërsa ka vijuar sinkronizimi i interesave me vendet e tjera për një rritje të turizmit reciprok me standarde të përmirësuara. Heqja e vizave midis vendeve tona ka qenë pjesë e diskutimeve të samitit të parë si një hap shumë pozitiv i procesit të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimit.

Gazetari: Janë dy shtete me shumicë absolute shqiptare në rajon. Shqiptarët e Maqedonisë, po shprehin shqetësimin për mos trajtim të barabartë me popullsinë shumicë në këtë vend. Sa janë duke bërë Shqipëria dhe Kosova, që të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, të arrijnë nivelin e merituar?

Presidenti Topi: Politika shqiptare ka ruajtur gjithnjë qëndrime konstruktive për zhvillimet në Maqedoni, duke mbështetur sovranitetin, integritetin dhe stabilitetin e saj.

Shqipëria i konsideron shqiptarët e Maqedonisë si një faktor shumë i rëndësishëm stabiliteti në këtë vend. Ajo ka inkurajuar në vazhdimësi gjatë takimeve të ndryshme dhe të shumta me palën maqedonase, zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si një element kyç për mirëkuptimin e mirëbesimin e brendshëm në vend dhe si mënyra më e mirë e bashkëjetesës konstruktive në funksion të përmbushjes së aspiratave euroatlantike të popullit maqedonas, dhe do ta vijojë të vazhdimësi dhe me përgjegjësi këtë inkurajim.

Shqiptarët i kanë të gjitha mundësitë për të dhënë një kontribut të çmuar në këtë drejtim.

Gazetari: A do të preket kjo temë në takimin e Prizrenit më 26 dhe 27 të këtij muaji?

Presidenti Topi: Çdo temë që i kontribuon përmirësimit të performancës së vendeve tona, të rritjes së standardeve për të ecur përpara, natyrisht që do jetë e pranishme.

Gazetari: Z. Topi si e vlerësoni ecjen e shtetit të Kosovës, në dy vitet e ekzistimit të tij?

Presidenti Topi: Do thoja se po bëhet dhe është bërë vërtetë shumë. Aktualisht Kosovën e kanë njohur 69 shtete. Në dy vitet e ekzistencës së shtetit të ri të Kosovës po bëhet më shumë se ç’është bërë në dekada pasi ka pasur një kombinim të të gjithë faktorëve me faktorin ndërkombëtar, roli i të cilit ka qenë i jashtëzakonshëm. Institucionet e Kosovës dhe Ministria e saj e Jashtme po punojnë në drejtimin e duhur. Duhet theksuar se shtetet që e kanë njohur deri tani Kosovën janë mjaft të rëndësishme gjeopolitikisht dhe ekonomikisht, kjo duhet parë si arritje.

Republika e Kosovës ka bërë një progres të dukshëm që nga shpallja si shtet i pavarur. Progres në ndërtimin e shtetit ligjor, konsolidimin e institucioneve demokratike, kristalizimin e politikave të brendshme e të jashtme, afirmimin në arenën ndërkombëtare, (politike e ekonomike - FMN, Banka Botërore), përfshirjen graduale në nismat rajonale, plotësimin e angazhimeve ndaj integrimeve euroatlantike, si dhe është e angazhuar në vazhdimësi në procesin e njohjeve, etj., etj. A nuk janë këto fakte reale të progresit të saj?

Gazetari: Kosovën deri tash e kanë njohur 69 shtete, por ka pasur një ngecje të ritmit të njohjeve, cili është roli dhe kontributi i Shqipërisë në këtë mes?

Presidenti Topi: Procesin e pakthim të njohjes së Republikës së Kosovës, nuk e shoh si “ngecje”, por si një sfidë për t’u përballur, kapërcyer e lënë pas. Dhe si çdo sfidë, ka vështirësitë e luhatjet e veta. Siç e thashë, impenjimi i Institucioneve të Kosovës është i lavdërueshëm dhe Shqipëria nga ana e saj po luan rolin e vet. Më konkretisht, nuk ka tryezë a Samit ku Shqipëria merr pjesë, të mos trajtohet tema e Kosovës dhe domosdoshmëria e pranimit të realitetit të shtetit më të ri të rajonit tonë. Sa për t’ju sjellë një shembull të freskët, unë sapo jam kthyer nga Samiti i Kryetarëve të Shteteve e Qeverive të Evropës Juglindore që u mbajt në Stamboll, e ku shtrova si një domosdoshmëri të natyrshme praninë e Kosovës në nisma të tilla për të kompletuar gjeografinë e impenjimit tonë të përbashkët.

Kosova, e njohur nga 69 shtete, po dëshmohet si anëtare e rëndësishme dhe e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare, një e treta e tyre anëtare e BE-së, ku i tërë rajoni ynë po punon intensivisht për t’u integruar. Kosova është njohur gjithashtu edhe nga shumica e vendeve tё Ballkanit Perëndimor, me të cilat ka vendosur marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh.

Gazetari: Institucionet e Kosovës po përballen me sfida të mëdha rreth përmbushjes se kritereve për liberalizim të vizave dhe integrim në strukturat euro-atlantike, sipas jush sa është afër Kosova në përmbushjen e këtyre sfidave?

Presidenti Topi: Liberalizimi i vizave dhe integrimi në strukturat euroatlantike janë procese politike dhe teknike. Janë dy sfida të përbashkëta të gjithë vendeve tona. Ne të gjithë në rajon, jemi të angazhuar në realizimin e këtyre proceseve dhe i kemi prioritete të përbashkëta të politikave të jashtme. Për asnjë nga vendet e rajonit këto procese, që kërkojnë kohë e impenjim, nuk janë të lehta. Unë konstatoj me kënaqësi se edhe pse në nivele të ndryshme, vendet tona gjenden më pranë BE-së se disa vite përpara dhe me rritme të qëndrueshme të ecjes përpara.

Gazetari: Kosova për pak muaj po ngel i vetmi vend i rajonit, i izoluar sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve për në Bashkimin Evropian, si e vlerësoni ju këtë?

Presidenti Topi: Unë nuk e shoh aspak të “izoluar” Kosovën, siç thoni ju. Kosova është një shtet i ri, që ka hedhur themele të shëndosha e po forcohet në vazhdimësi, qoftë në planin e brendshëm duke konsoliduar demokracinë e shtetin e së drejtës, qoftë në atë të jashtëm duke u përkrahur nga miqtë në rajon e më gjerë. Kosova po ecën. Dhe ky është një fakt. Në përgjithësi, lëvizja e lirë është një ndër procese e sfida të tjera që ky shtet dy-vjeçar duhet të realizojë në rrugën e tij drejt rritjes. Ndërsa, në veçanti, lëvizja e lirë përbëhet nga elementë teknikë, afati kohor i plotësimit të të cilëve është faktori që kushtëzon implementimin e saj.

Gazetari: Shqipëria tanimë ka dorëzuar edhe kandidaturën për anëtarësim në BE, kur prisni që vendi të fitojë statusin e vendit kandidat?

Presidenti Topi: Aktualisht, Shqipёria ёshtё në një proces të rëndësishëm dhe konstruktiv me Bashkimin Evropian pas hyrjes në fuqi më 1 prill 2009 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe aplikimit për statusin e vendit kandidat, si dhe në një periudhë intensive të plotësimit të kërkesave për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.

Institucionet e Shqipërisë janë të përkushtuara maksimalisht në përmushjen e kritereve të kërkuara për realizimin e këtyre dy synimeve shumë të rëndësishme për shqiptarët. Unë besoj, se nëse punohet me përkushtim për realizimin e angazhimeve, statusi apo, pse jo, dhe anëtarësimi i plotë mbetet çështje kohe.

Gazetari: Ju faleminderit Z.President!

Presidenti Topi: Faleminderit juve dhe suksese!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›