“Kryeministri Berisha, personi i duhur për Shqipërinë, ai ka mbështetjen tonë të plotë”

Kreu i popullorëve evropianë të Austrisë, Ernst Strasser
Popullorët evropianë shprehin edhe njëherë mbështetjen e tyre për kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha dhe Partinë Demokratike, në qeverisjen e vendit dhe përmbushjen e aspiratave të integrimit Evropian. Reagimi më i fundit ka ardhur nga kryetari i delegacionit austriak në grupin e Partive Popullore Evropiane, Ernst Strasser, i cili duke iu referuar ngërçit politik, tha se mungesa e konsensusit dëmton integrimin.
“Situata politike në Shqipëri është e dëmshme për vendin dhe e dëmshme për perspektivën europiane të Shqipërisë”, është shprehur Ernest Strasser, Kryetar i Delegacionit austriak në Grupin e PPE dhe anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme. Strasser shprehu mbështetjen e tij të vazhdueshme për qeverinë e Kryeministrit Sali Berisha, duke u shprehur se është njeriu i duhur për Shqipërinë.
“Unë shpresoj sinqerisht se Shqipëria do të marrë të gjitha masat e nevojshme për ta drejtuar vendin drejt anëtarësimit në BE. është koha për Shqipërinë t’i bashkohet familjes europiane, dhe familja politike e PPE do të jetë aty për ta mbështetur dhe ndihmuar atë”, tha kreu i popullorëve të Austrisë, Ernst Strasser.
Ai mirëpriti kthimin e opozitës në parlament dhe i kërkoi të qëndronte atje për të përmbushur rolin e saj si një opozitë demokratike që merr përgjegjësitë e saja si legjislator dhe përfaqësues i njerëzve seriozisht.
“Unë gjithashtu mirëpres të gjitha masat e marra nga qeveria për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe e inkurajoj të vazhdojë atë punë dhe ta përforcojë atë”, vazhdoi Strasser.
“Shqipëria duhet të kapërceje të gjitha vështirësitë dhe të punojë bashkë në parlament për një të ardhme më të mirë. Kryeministri Berisha është njeriu i duhur në vendin e duhur dhe ka mbështetjen time të plotë”, u shpreh më tej, Strasser.
Reagimi i Partive Popullore Evropiane ka qenë gjithmonë prezent dhe me nota optimizmi, në mënyrë që politika shqiptare, opozita në veçanti, t’i japë fund sjelljes së papërgjegjshme politike. Ngërçi politik është interpretuar nga PPE-të si një mangësi e theksuar dhe një ndëshkim që i bëhet aspiratave integruese të vendit. Përpos reagimeve të ndërkombëtarëve, opozita ende nuk ka dhënë asnjë shenjë ‘jete’ se mund të ndërgjegjësohet për mungesës e efektshmërisë së saj.