E Diel, 1 Nëntor 2026

“Reforma në Drejtësi, me konsensusin e politikës”

Kreu i delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmut Lohan

Shefi i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, u shpreh dje se reforma në sistemin e drejtësisë mbetet e rëndësishme dhe se kjo duhet të implementohet në saj të bashkëpunimit politik të mazhorancës dhe opozitës.
Sipas Lohan, konsensusi politik do të sjellë ecjen përpara të ligjeve dhe sistemit të drejtësisë në tërësi.
“Studimi i ligjit duhet të vijë nga një vizion i gjerë dhe rregullat të vendosen nga një konsensus politik. Shqipëria duhet t’i përmbahet të gjitha kushteve të vendosura nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. Strategjitë për reformat në sistemin e drejtësisë duhet të synojnë transparencën. Një gjyqësor i tillë kërkon konsensus të gjerë politik”, theksoi Lohan.
Këto deklarata kreu i delegacionit të KE-së, i bëri gjatë ceremonisë së mbylljes së misionit EURALIUS në Tiranë.
Lohan ka nënvizuar se reformat janë të nevojshme, por se ato duhet të bëhen me një strategji gjithëpërfshirëse, pasi sipas tij, shteti i së drejtës kërkon një vizion të plotë. “Reformat në sistemin e drejtësisë nuk duhet të bëhen në bazë të vendimeve të rastësishme, të copëtuara. Shteti i së drejtës kërkon vizione të plota dhe strategji gjithëpërfshirëse”, deklaroi kreu i delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmut Lohan.
Më tej Lohan i bëri thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve të punojnë me kurajë dhe mos të punojnë sipas bindjeve politike.
Ndërkohë duke iu referua misionit Euralius Lohan theksoi se asistenca e këtij misioni ka përmirësuar legjislacionin shqiptar.
Sipas tij misioni Euralius ka sjellë ekspertizë nga vendet e Bashkimit Europian duke shtuar se BE-ja ka investuar 4.5 milionë euro.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›