Kryeministri Berisha përuron ambientet e reja të kampusit
Sot, në ambientet e kampusit të Universitetit Kristal në Tiranë u zhvillua ceremonia e përurimit të ambienteve të reja universitare. Ambientet e reja të Universitetit Kristal janë vizituar nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Në ceremoninë e organizuar me rastin e përurimit të këtyre ambienteve akademike, Berisha ka vlerësuar investimin që ka bërë Kompania Arsimore Kristal, duke e konsideruar arsimin e lartë si të një rëndësie parësore në krijimin e profesionistëve të së ardhmes. Ai e ka cilësuar këtë investim si shumë serioz dhe si një kontribut i drejtpërdrejtë në përmirësimin e standardeve në arsimin universitar. Gjithashtu, Berisha ka përgëzuar kontributin dhe punën e bërë nga stafi i Universitetit Kristal në formimin dhe përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes. Pas përurimit të ambienteve të reja është organizuar ceremonia e shpërndarjes së diplomave për studentët që kanë mbyllur ciklin e studimeve universitare pranë këtij universiteti këtë vit. Studentët e sapodiplomuar, të cilët tani janë gati të përballen të sigurt me tregun e punës, të pajisur me njohuritë e duhura, janë të degëve Drejtësi, Infermieri dhe Farmaci. Diplomat u dorëzuan nga rektori i Universitetit, prof. Mareglen Spiro, dekani i Fakultetit të Drejtësisë, dr. Ilir Berhani, dekani i Fakultetit të Infermierisë, prof. asc. Andrea Gudha dhe dekani i Fakultetit të Farmacisë dr. Enver Mustafaj. Në emër të Universitetit Kristal studentët e diplomuar i uroi rektori i Universitetit Kristal, prof. Mareglen Spiro, i cili u ka uruar suksese në të ardhmen e tyre si profesionistë të fushave ku janë diplomuar. Ai ka vlerësuar seriozitetin dhe përkushtimin e treguar prej tyre, që bëri të mundur edhe diplomimin e tyre në këtë ditë. Vetë Universiteti Kristal, për të rritur cilësinë e edukimit universitar dhe për t‘i ofruar studentëve sa më shumë mundësi për zhvillimin e aftësive profesionale, ka vendosur lidhje me shumë organizma shtetërore dhe ndërkombëtare. Një pjesë e mirë studentëve të diplomuar sot kanë zhvilluar praktikat mësimore pranë këtyre institucioneve dhe organizatave. Në këtë mënyrë Universiteti Kristal i prezanton studentët, që gjatë procesit të edukimit me tregun e punës, duke i njohur me pjesën praktike të njohurive të marra në auditorë, si edhe i krijon lidhje e kontakte me punëdhënësit. Ajo që Universiteti Kristal i ka ofruar studentëve të cilët janë diplomuar dhe të gjithë studentëve të këtij universiteti ka të bëjë me krijimin e të gjitha kushteve për përfitimin maksimal të përgatitjes akademike. Universiteti Kristal është i strukturuar në shtatë Fakultete dhe 14 degë, duke i ofruar studentëve një mori zgjedhjesh bazuar në qëllimet që i kanë vënë ata vetes për të ardhmen. Studentëve dhe atyre që duan të bëhen studentë të këtij universiteti i ofrohen mundësi të shumta: nga Shkencat e Komunikimit, Infermieria, Farmacia, Stomatologjia, Drejtësia, Shkencat Politike, Psikologjia, Administrimi i Biznesit, Administrimi Publik e deri te Shkencat Inxhinierike. I pajisur me një kampus universitar modern, studentëve u krijohen të gjitha mundësitë që jo vetëm të studiojnë, por edhe të ndihen si në shtëpinë e tyre, duke krijuar edhe miqësi të reja. Ambientet e kampusit dhe të universitetit janë menduar që t‘i ofrojnë studentëve një sërë shërbimesh cilësore si biblioteka, interneti falas, konvikt me kushte optimale, ambiente çlodhëse, etj. Universiteti Kristal tashmë nuk gjendet vetëm në Tiranë, por edhe në Korçë e Fier, duke u bërë një ndër universitetet private më të mëdha në vend.