Prezantohet programi për qeverisjen lokale të Dibrës
Shqipëria është paraqitur me sukses në Ditët Evropiane të Zhvillimit, një takim vjetor i nivelit të lartë të BE-së, në Strasburg. Mbi 3000 pjesëmarrës nga e gjithë bota reflektuan mbi dimensionin lokal të bashkëpunimit për zhvillimin e qëndrueshëm dhe zbatimin e Objektivave të Mijëvjeçarit. Shqipëria paraqiti në këtë forum rastin e programit trevjeçar që po zbatohet në Qarkun e Dibrës, për forcimin e qeverisjes lokale. Ky program ka nisur në 2007-ën dhe mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë dhe Organizata holandeze për Zhvillim SNV. Sipas programit, Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta do të financojë një shumë prej 3.6 milionë eurosh për investime në bashkitë dhe komunat e Qarkut të Dibrës, që dëshmojnë aftësi për të zbatuar planet e tyre strategjike të hartuara në bashkëpunim me banorët. Sesioni ku u paraqit rasti shqiptar u drejtua nga Luisa Morgantini, zv.presidente e Parlamentit Evropian, ndërsa në panel ndodhej Koos Richelle, drejtor i përgjithshëm i agjencisë "EuropeAid". Sipas Lindita Manges, këshilltare e SNV-së në Peshkopi, interesi i audiencës për rastin shqiptar erdhi nga fakti se ai ilustron sesi arrihen Objektivat e Mijëvjeçarit në terren. "Zakonisht, ne priremi të flasim për gjëra të mëdha, duke harruar se Objektivat e Mijëvjeçarit janë për njerëzit e thjeshtë. Rasti nga Shqipëria tregon sesi qeverisja e mirë lokale çon në të ardhura më të larta, papunësi më të ulët, shërbime bazë më të mira. SNV-ja mbështet këtë qasje, duke forcuar kapacitetet e qeverisjes lokale", - shpjegon Lindita. Ndërsa Courtney Bickert, drejtore rajonale e SNV-së në Ballkan thotë se paraqitja e rastit nga Shqipëria ishte një mundësi e mirë për të sjellë në vëmendjen e vendimmarrësve evropiane përpjekjet pozitive të Shqipërisë në fushën e zhvillimit ekonomik lokal.