Kryeministri Berisha përuron fabrikën e riciklimit të mbetjeve të letrës në Porto Romano, investim privat me vlerë 17 milion euro
“Ky investim është një dëshmi tjetër e entuziazmit të ekonomisë shqiptare. Ekonomi që, siç u bë e ditur së fundi edhe nga Komisioni Europian, qëndron në krye të listës për funksionimin e saj dhe që në kohën më të vështirë të piramidrisë botërore qëndroi, garantoi rritjen dhe po shpejton ritmet”.
Kryeministri Berisha përuroi sot fabrikën e riciklimit të mbetjeve të letrës në Porto Romano, Durrës, një investim privat, në bashkëpunim me BERZH, me vlerë 17 milion euro. Fabrika përdor si lëndë të parë mbetjet e letrës, të grumbulluara në vend, duke e shndërruar atë në letër ambalazhi, karton dhe ambalazhe kartoni dhe letre, me kapacitet prodhimi prej 70-80 letër në ditë. Fabrika plotëson nevojat e vendit për këto produkte dhe një pjesë e konsiderueshme e prodhimit të saj është i destinuar për eksport.
Kryeministri Berisha e konsideroi inaugurimin e kësaj fabrike një ngjarje të rëndësishme për industrinë shqiptare, veçanërisht për industrinë e riciklimit të materialeve, duke rikthyer në 100 përqind të përdorshme të gjitha mbetjet e letrës në vend. Kryeministri Berisha veçoi një aspekt tepër të rëndësishëm të kësaj fabrike, me ndikim pozitiv në mbrojtjen e mjedisit, faktin se teknologjia që përdor fabrika është ndër më bashkëkohoret.
“Ky investim, - tha Kryeministri - është një dëshmi tjetër e entuziazmit të ekonomisë shqiptare. Ekonomi, që, siç u bë e ditur së fundi edhe nga Komisioni Europian, qëndron në krye të listës për funksionimin e saj dhe që në kohën më të vështirë të piramidrisë botërore qëndroi, garantoi rritjen dhe po shpejton ritmet”.
Kryeministri siguroi se qeveria është e angazhuar të bëjë çdo përpjekje për suksesin e bizneseve në Shqipëri. “Leksioni ynë i madh nga kjo krizë edhe rruga e vetme më e sigurt për t’u mbrojtur prej saj, - tha Kryeministri - është mbështetja e biznesit”.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria, me një kuadër të ri aktesh ligjore dhe nënligjore, do të krijojë një mbështetje fuqishme për të gjithë industrinë e riciklimit në Shqipëri, e cila deri tani shënon mbi 80 milion euro investime, në letër, në plastikë, në qelq, në metale, në mënyrë që të zgjerohet e të ndërrohet në një gjenerator të rëndësishëm në industrinë e vendit.
Më gjerë, në përshëndetjen e tij, me këtë rast, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të nderuar zotërinj ministra, deputetë e qeveritarë vendorë
E nderuar familja Balza dhe të gjithë të pranishmit në këtë ngjarje të madhe,
Të dashur punonjës, punëtorë e punëtore, të kësaj fabrike të re që i shtohet industrisë shqiptare, si një ngjarje e madhe për Durrësin dhe mbarë Shqipërinë,
me këtë rast dua të falënderoj dhe ta përshëndes me shumë përzemërsi, zotin Bardhyl Balza, këtë sipërmarrës të shkëlqyer shqiptar, i cili nga viti ’93 gjer më sot, ngjit shkallët e mundimshme të suksesit. Pas prodhimeve kozmetike, sot familja Balza inauguron një fabrikë të madhe letre, i cila ka kapacitet prej 70 ton në ditë dhe një investim prej 17 milion euro. Kjo fabrikë është e teknologjisë së fundit. Natyrisht, një fabrikë që punon për riciklim i bën një shërbim të madh vendit, sepse jep mundësi përpunimi të të gjithë hedhurinave të letrës në vend, por, nga ana tjetër, po mendoja se ç’bëhet me ujërat e saj, që siç dihet janë problematike dhe kanë qenë në të shkuarën një problem madhor në industrinë shqiptare. Bardhyl Balza ka vendosur këtu teknologjinë më moderne, e cila bën të mundur që as edhe një litër ujë i ndotur të mos dalë jashtë territorit të kësaj fabrike. Zoti Balza, kjo është një meritë shumë e madhe e juaja dhe një shërbim i madh. Me fabrikën që keni investuar keni pasur edhe ndihmën e BERZH-it dhe dua të falënderoj me shumë përzemërsi përfaqësuesin e saj në Shqipëri, zotin Dan, i cili largohet këto kohë nga Shqipëria, por pasi ka përmbushur me sukses të madh misionin dhe detyrën e tij në këtë vend. Fabrika e përpunimit të letrës plotëson në tërësi të gjitha nevojat e ambalazhimit me karton, kuti të ambalazhit të cilësisë më të lartë, me letrën, e cila nga hedhurinë, në sajë të proceseve që kalon, bëhet një letër ndër më të mirat, 100 përqind e përdorshme në industrinë ushqimore.
Ky investim është një dëshmi tjetër e entuziazmit të ekonomisë shqiptare. Ekonomi që, siç u bë e ditur së fundi edhe nga Komisioni Europian, qëndron në krye të listës për funksionimin e saj dhe që, në kohën më të vështirë të piramidrisë botërore qëndroi, garantoi rritjen dhe po shpejton ritmet.
Zonja dhe zotërinj,
Qeveria është e angazhuar të bëjë çdo përpjekje për suksesin e bizneseve në Shqipëri. Leksioni ynë i madh nga kjo krizë edhe rruga e vetme më e sigurt për t’u mbrojtur prej saj është mbështetja e biznesit. Që të gjithë stimujt e tjerë janë humbje kohe. Një stimul është kryesor, të ndihmojmë biznesin që ai të ndihmojë veten dhe të garantojë suksesin. Ndaj edhe unë ju garantoj ju zoti Balza, të gjithë industrinë e riciklimit në Shqipëri, e cila gjer tani ka mbi 80 milion euro investime, në letër, në plastikë, në qelq, në metale, se qeveria, me një kuadër të ri aktesh ligjore dhe nënligjore, do të krijojë një mbështetje fuqishme për ju, në mënyrë që të zgjeroheni gjithnjë e më shumë e të ndërroheni në një gjenerator të rëndësishëm në industrinë e vendit. Por specifika juaj është jashtëzakonisht e rëndësishëm dhe e ndjeshme për çdo qytetar shqiptar, është një inkurajim i madh, nxitje e stimul për mbrojtjen e mjedisit, ndaj në një dialog konstant me ju, me shoqatën tuaj, me biznesin në tërësi ne mbetemi të vendosur ta bëjmë Shqipërinë vendin më miqësor për biznesin, ekonominë dhe investimet.
Edhe një herë ju përgëzoj shumë përzemërsisht ju, zoti Balza dhe familjen tuaj, që ka përkushtimin e saj në këtë vepër kaq të rëndësishme, punëtorët, teknikët dhe inxhinierët. Ta gëzoni këtë fabrikë ju, qyteti i Durrësit dhe mbarë Shqipëria. Faleminderit.”
18/06/2010