Kryeministri Berisha përuron rikonstruksionin e Qendrës Së Zhvillimit Rezidencial në Durrës

- Kryeministri premtoi se në 4 vitet që vijnë do të shtohen investimet në qendrat e rehabilitimit polivalente për përmirësimin dhe lehtësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuar.
- Kryeministri garantoi të gjithë punonjësit socialë dhe edukatorët të angazhuar me këtë kategori shoqërore si në sektorin publik dhe atë privat se do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe se kërkesat e tyre do të marrin përgjigje pozitive nga strukturat shtetërore.
Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja, zonja Liri Berisha mori pjesë sot në përurimin e rikonstruksionit të Qendrës së Zhvillimit rezidencial në Durrës. Qendra e cila përurohet në ditën botërore të personave me aftësi të kufizuar është financim i Bankës Botërore dhe buxhetit të shtetit me vlerë 33 milion lekë. Kjo qendër ofron një shërbim të specializuar dhe cilësor për personat me aftësi të kufizuar, me qëllim zhvillimin harmonik të personalitetit të tyre dhe integrimin sa më të mirë në shoqëri.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se Dita botërore e personave me aftësi të kufizuar është ditë e apelit të fuqishëm e ndërgjegjes qytetare e njerëzore të mbarë vendit, të qeverisë dhe shtetit shqiptar për një përkujdesje gjithnjë në rritje për këta persona. “Fëmijët, të rinjtë, të rejat, burrat, gratë, të moshuarit me aftësi të kufizuar duhet të ndjejnë fuqishëm mbështetjen tonë, në mënyrë që aftësitë e tyre të rriten gjithnjë e më shumë dhe të mund të përdoren së pari për një jetë më të mirë nga ata dhe për një dobi më të madhe shoqërore.”
Duke përgëzuar drejtuesit dhe ekipin mësimor, për punën plot dashuri dhe përkushtim, Kryeministri u shpreh se modernizmi i Qendrës së Zhvillimit është dëshmi e kujdesit të veçantë të qeverisë në drejtim të kësaj shtrese. Në këtë kontekst, Kryeministri informoi lidhur me miratimin nga ana e qeverisë, të Konventës së Organizatës së Kombeve të bashkuara për personat me aftësi të kufizuar. “E miratojmë këtë Konventë për ta shndërruar atë në ligjin tonë të qëndrimit ndaj këtyre personave. Nuk ka tregues, më të rëndësishëm të shkallës së njerëzisë dhe të qytetarisë sonë sesa qëndrimi ndaj personave me aftësi të kufizuar.”
Kryeministri garantoi të gjithë punonjësit socialë dhe edukatorët të angazhuar me këtë kategori shoqërore, si në sektorin publik dhe atë privat se do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe se kërkesat e tyre do të marrin përgjigje pozitive nga strukturat shtetërore. “ Kemi një vlerësim të jashtëzakonshëm për punën tuaj, për përkushtimin tuaj, për rolin dhe kontributin që jepni në një nga fushat më delikate, më të dhimbshme, me të rëndësishme, të një shoqërie qytetare. Ndaj dhe unë dua tu garantoj ju, dua të garantoj punonjësit, misionarët e vërtetë të kësaj fushe, që funksionojnë në sektorin publik apo privat se do të kenë mbështetjen e plotë dhe totale të qeverisë, se kërkesat e tyre janë marrë parasysh dhe do të realizohen nga kjo qeveri.”
Kryeministri premtoi se në 4 vitet që vijnë investimet në qendrat e rehabilitimit polivalente për përmirësimin dhe lehtësimin e jetës së personave me aftësi të kufizuar do të rriten edhe më shumë. “Unë dua të garantoj familjet e personave me aftësi të kufizuar dhe vetë këta persona se qeveria e cila ka provuar në 4 vitet që shkuan të rrisë shpenzimet në këtë sektor më shumë se çdo qeveri tjetër në Evropë, me rreth 50 %, në 4 vitet që vijnë do të bëhet një rritje edhe më e madhe, një investim edhe më i fuqishëm në qendrat e rehabilitimit, polivalente. Gjithashtu, për këta persona do të ndërmiret një përpjekje e madhe për një ndryshim tërësor në rrafshin infrastrukturor, dhe në rrafshin e punësimit .”03/12/2009