Kryeministri Berisha njofton ngritjen pranë kryeministrit dhe ekzekutivit të një Këshilli Ligjor për luftën kundër mafias në vend
Beteja me zero tolerancë ndaj mafias është çështja më kryesore dhe më e mirëpritur nga shqiptarët.
Në këtë luftë dhe në këtë përpjekje, në mënyrë kategorike nuk do të ketë ngjyra, se ngjyra e krimit ekonomik është ngjyra më e shëmtuar, do ketë qëndrim rigoroz ligjor.
Koha është e ligjit, ligjit dhe vetëm ligjit. Ashtu si bëmë ligjin për bandat, që, në shumë raste, ata, absolutisht, ishin vetëm ushtarë të tyre.
Kryeministri Berisha njoftoi sot ngritjen pranë Kryeministrit dhe qeverisë të një Këshilli Ligjor për luftën kundër mafias në vend. Duke njoftuar këtë vendim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri tha se lufta kundër mafias është emergjente dhe qeveria do të përdorë të gjithë forcën e ekzekutivit në këtë luftë. Kryeministri Berisha bëri të ditur se ky Këshill do të ketë ekspertët më të mirë ligjorë të vendit dhe si qëllim do të ketë sugjerimin e hapave ligjorë në luftën kundër mafias.
Duke paraqitur këtë nismë, Kryeministri Berisha tha:
“Gjatë këtyre ditëve e kam theksuar se, në rast në mandatin e parë ne çmontuam një nga një bandat që bënin ligjin në qytete, rrethet dhe portet e këtij vendit, Nehat Kullat, Aldo Baret, Lul Berishat etj., tani kanë ngelur nehatët e kollarisur, kanë ngelur bosët e mafias. Në këtë luftë dhe në këtë përpjekje, në mënyrë kategorike nuk do të ketë ngjyra, se ngjyra e krimit ekonomik është ngjyra më e shëmtuar, do ketë qëndrim rigoroz ligjor. Në mënyrë absolute nuk do të ketë forcë që të pengojë këtë ekzekutiv pa ushtruar vullnetin e popullit shqiptar në luftën kundër mafias. Ajo që unë deklarova mbrëmë ju garantoj se është një dhe vetëm një pjesë, sepse tentakulat e saj të tmerrshme shtrihen në mbarë vendin. E dini këngën që këndohet në Himarë: Himarës ç”i zunë sytë... rreshtin tjetër nuk po e them se e bën mbledhjen më politike se ç’duhet. Por Himarës ia zunë sytë. Mjafton të shkoni në Himarë. Bukuritë natyrore të Himarës mafia i vuri perde dhe aq sa e sheh detin nga Tropoja, aq mund ta shohësh mbrapa perdes së Himarës. Ky është një aspekt.
Ndaj zotërinj ministra, agjencitë tuaja kanë detyrimin e parë madhor betejën me zero tolerancë me mafian. Kjo betejë ka nisur dhe do të vazhdojë me metodat më rigoroze dhe më serioze. Secila agjenci të shqyrtojë bazën ligjore që ka në luftën kundër mafias dhe në rast se ka nevojë, të ndërmarrë hapat për përmirësimin e saj. Departamenti i Luftën kundër Korrupsionit do të jetë Departamenti kundër Mafias. Sikundër një Këshill Ligjor për të ndihmuar kryeministrin dhe ekzekutivin në këtë luftë, me ekspertët më të mirë ligjorë të vendit, është i domosdoshëm të funksionojë. Koha është e ligjit, ligjit dhe vetëm ligjit. Ashtu si bëmë ligjin për bandat, që, në shumë raste, ata, absolutisht, ishin vetëm ushtarë të tyre. Kjo do t’i japë një zhvillim të fuqishëm këtij vendi.
Zoti ministër i Punëve Publike dhe zotërinj ministra, si ka mundësi që në Shqipëri bëhen të gjitha llojet e investimeve, por asnjë i huaj nuk mund kurrën e kurrës, të ndërtojë një pallat në Tiranë. Brenda bashkisë së Tiranës nuk ka ndonjë investim të huaj. Ndërkohë që kemi zona të tëra në Farkë, në Kashar, në Dajt, për të huajt kjo është e ndaluar në Tiranë dhe kjo sepse të huajt nuk do të pranojnë të krijojnë kartelin e çmimeve të ndërtimit. Nuk i lënë, pasi vetë marrin nga 150 mijë metra katror sipërfaqe ndërtimi. Situata është emergjente. E theksoj, më gjeni një investitor të huaj që të ketë guxuar të ndërtojë në Tiranë dhe kjo, jo se investimet në Tiranë nuk janë të leverdishme, pasi, absolutisht, çmimet në periferi të Tiranës janë të barabarta me çmimet në periferi të Berlinit, por nuk të lë mafia që të afrohen. Kjo situatë është e patolerueshme dhe duhet të marrë përgjigjen më të fuqishme. Qeveria do të përdorë të gjithë forcën e ekzekutivit. Ajo nuk do të ngurojë të përdorë dekretin. Lufta kundër mafias është emergjente. Ndaj Këshilli Ligjor që do të ngrihet, një nga detyrat do të ketë sugjerimin e dekreteve të Këshillit të Ministrave për të shpartalluar mafian me forcën e ligjit. E ritheksoj, a ka ndonjë investitor të huaj në kryeqytet? Kjo është e ndaluar. Shkolla nuk mund të ndërtohen dhe investitorë të huaj nuk mund të ketë në Tiranë. Këto dy kategori janë të përjashtuara.”
03/12/2009