E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përuron rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare në Vorë

-       “Ne do të shtrimë në të gjitha shkollat e vendit bibliotekën dhe laboratorët e informatikës.”

Kryeministri Berisha përuroi sot paradite fillimin e punimeve për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare të qytetit të Vorës, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 45 milion lekë.

Duke shprehur kënaqësinë për rikonstruksionin e kësaj shkolle, e cila do të jetë e pajisur me mjedise të standardeve bashkëkohore, me sistem ngrohje,  kabinetin e informatikës dhe palestër, Kryeministri Berisha përgëzoi Kryetarin e bashkisë së Vorës për ndërtimin në këtë bashki të 4 shkollave të reja 9-vjeçare dhe një shkolle të mesme. Ndërkohë Kryeministri shprehu keqardhjen që në Tiranë nuk është ndërtuar asnjë shkollë e mesme.

“Kryetari i Bashkisë së Vorës, gjatë dy mandateve të tij, ka ndërtuar në këtë bashki 5 shkolla, një të mesme dhe të tjerat 9-vjeçare dhe janë rikonstruktuar shumë të tjera. Dua ta përgëzoj sepse ndërtimi i një shkolle është hapja e një oazi të dijes së një shoqërie. Por dua të shpreh dhimbjen dhe keqardhjen se në Tiranë nuk është ndërtuar ndonjë shkollë e mesme, përkundrazi tek shkolla “Misto Mame” çdo tre vjet priten shirita inaugurimi për të njëjtin motiv. Tirana ka nevojë jo për deklarata në letër, jo për statistika të paqenë, por për shkolla dhe qeveria i ka dhënë Tiranës 2 miliard lekë për 18 shkolla. Zoti Rama duhet t’u thotë qytetarëve se ku janë shkollat me kredinë e qeverisë. Ne nuk po kërkojmë llogari për fondet e bashkisë, se atë duhet ta bëjë këshilli Bashkiak, por kjo është kredi e qeverisë. Por kësaj nuk i jepet përgjigje duke dalë e deklaruar se ka ndërtuar 23 shkolla të reja, se qytetarët e Tiranës janë banorë që e njohin në çdo pëllëmbë Tiranën dhe ç’është e vërteta bukvalet që kryetari nxjerr çdo ditë në treg nuk i hanë,” u shphreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha u shpreh se arsimi është përparësi absolute dhe qeveria do të bëjë çdo përpjekje për modernizimin e sistemit arsimor. Një nga drejtimet më të rëndësishme të punës, theksoi Kryeministri, është pajisja e të gjitha shkollave të vendit me kabinet informatike dhe biblioktekë.

“Ne do të shtrimë në të gjitha shkollat e vendit bibliotekën, së bashku me atë virtuale dhe laboratorët e informatikës. Shkollat tona duhet të kenë librat më të mirë të letërsisë shqipe, të shkrimtarëve dhe poetëve tanë më të mirë, sikundër edhe emra të njohur të letërsisë botërore. Një tjëtër angazhim është plotësimi i shkollave me laboratorë të informatikës.”

Në bashkëbisedim me mësuesit, Kryeministri i shprehu mirënjohjen për punën dhe përkushtimin e tyre në edukimin e brezave të rinj, duke i siguruar për kujdesin e vazhdueshme të qeverisë ndaj tyre.

“Ne u përqëndruam së pari, tek mësuesit. Realisht nuk ka qeveri që të ketë ndërmarrë dyfishimin e rrogave të mësuesit. Kjo është bërë me bindjem më të thellë se ju e meritoni plotësisht, pasi prindërit ia besojnë fëmijën vetes dhe ju.”

Më pas, Kryeministri iu përgjigj interesimit të medias.

Pyetje: Zoti Berisha, do t’i përgjegjeni ftesës që ju ka bërë Kryetari i bashkisë së Tiranës për të marrë pjesë në përurimet e kësaj bashkie?

Kryeministri Berisha: Unë uroj që të ketë sa më shumë përurime, sepse ato janë interesi më i mirë i qytetarëve. Beteja politike, është betejë politike, përurimet janë ato që ndryshojnë jetën e përditëshme të qytetarëve. Por t’u deklarosh banorëve se do të shtrosh 62 rrugë, me 1.8 milion dollarë, duhet të kesh matematikën e zotit Rama që të bësh një deklaratë të tillë. Megjithatë, edhe një herë, e përgëzoj dhe uroj që të ketë sa më shumë inaugurime dhe për këtë qëllim i kemi dhënë dhe po i japim Tiranës 240 milion dollarë.

Pyetje: Domethënë nuk do të shkoni?

Kryeministri Berisha: Mund të shkoj në Sharrë, se është investim me fondet e qeverisë. Të vijë edhe zoti Rama në Sharrë që është me fondet e qeverisë, më pas shkoj unë diku, që është me fondet e bashkisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›