E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Gjashtë muajt e fundit kanë qenë muajt e shpejtësisë më të lartë të motorëve të funksionimit të qeverisë

 -  Sa më shumë i afrohemi në rrugën tonë BE-së, aq më të mëdha bëhen kërkesat, aq më i domosdoshëm behet konsolidimi i standardeve të arritura, përpjekja për të arritur standarde të te reja.”

Nën drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e Komitetit  Ndërministror të Integrimit, e cila bëri një shqyrtim të të gjithë problematikës, kërkesave dhe  realizimeve, në prag të raportit të Dytë pas Marrëveshjes së Stabilizim Associimit.

Duke vënë në dukje progresin e bërë deri tani, Kryeministri theksoi se gjashtë muajt e fundit kanë qenë muajt e shpejtësisë  më të lartë të motorëve të funksionimit të kësaj qeverie.  “Progresi është shumë evident. Gjashtë muajt e fundit kanë qenë muajt e shpejtësisë më të lartë të motorëve të funksionimit të kësaj qeverie, muaj të konkretizuar nga një vëllim punë jashtëzakonisht i madh në të gjitha fushat. Muaj të reformave më të thella kushtetuese dhe ligjore të vendit, të konkretizimit thelbësor dhe të rëndësishëm të këtyre reformave, muaj të konsolidimit të suksesshëm të performancës fiskale.”

Me gjithë suksesin e arritur ne realizimin e reformave, kryeministri nënvizoi se mbetet ende një punë e madhe për të bërë,  me qëllim realizimin e detyrave, në kuadër të këtij dokumenti dhe Marrëveshjes së Stabilizim Associimit. “Sërish secila ministri dhe jo vetëm ministritë, por të gjitha agjencitë dhe institucionet e vendit kanë një seri detyrash për ti realizuar, në kuadrin e ketij dokumenti dhe të MSA-së,.”

Kryeministri u shpreh se është pikërisht realizimi i këtyre detyrave, që e bën demokracinë më funksionuese, duke i afruar shqiptarët gjithnjë e më tepër me standardet evropiane. “Janë këto detyra dhe realizmi i tyre të cilat e bëjnë demokracinë më funksionuese, ekonominë  e tregut me funksionuese dhe afrojnë shqiptarët me standardet evropiane.” Në këtë kontekst, Kryeministri kërkoi që nga kjo mbledhje, ministritë dhe të gjitha agjencitë përkatëse në varësi të tyre të marrin detyrat, materialin  dhe të mbledhin grupet e punës për të përcaktuar realizimin me përpikmëri të tyre

Kryeministri theksoi se afrimi gjithnjë e më tepër drejt BE-së, rrit kërkesat, duke bërë të domosdoshëm konsolidimin e standardeve të arritura, si dhe përpjekjen për të arritur standarde të reja. “Duhet të jemi të vetëdijshëm se sa më shumë i afrohemi në rrugën tonë BE-së aq më të mëdha bëhen kërkesat, aq më i domosdoshëm behet konsolidimi i standardeve të arritura, përpjekja për të arritur standarde të reja.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›