E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron përfundimin e rrugës hyrëse në Vorë

-       “Qeveria do të finalizojë të gjithë projektin e rehabilitimit dhe rindërtimit të plotë të kësaj zone dhe më pas të inkurajimit të madh të biznesit në të.”

Gjatë vizitës në Vorë, Kryeministri Berisha përuroi përfundimin e rrugës hyrëse që lidh autostradën me këtë qytet, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 37 milion lekë.

Në ceremoninë e inaugurimit, duke përshëndetur qytetarët e Vorës, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Para së gjithash, shpreh kënqësinë që jam sot këtu dhe të ndaj me ju gëzimin e dy inaugurimeve: rikonstruksionin modern të shkollës 9-vjeçare, investim prej 45 milion lekë dhe inaugurimi i rrugës hyrëse të re dhe moderne nga autostrada në qytet, e standarteve bashkohore, me trotuare dhe sistem ndriçimi, investim prej 37 milion lekë.

Unë e shfrytëzoj këtë rast për t’ju siguruar ju zoti kryetar i bashkisë dhe qytetarët e Vorës, të Marqinetit dhe të të gjithë kësaj rrethine se qeveria do të vazhdojë përkujdejsjen e saj, do të vazhdojë financimet, do të zbatojë projektet, të cilat do ta bëjnë këtë zonë dhe fshatrat e saj shumë më të urbanizuara, më të sistemuara dhe më të bukura nga pikëpamja e ndërtimeve, se asnjëherë më parë.

Ne patëm një tragjedi të tmerrshme në 15 mars. Një tragjedi, e cila duhet të hetohet në çdo qelizë të saj dhe unë kam besim të plotë se kjo do të ndodhë, se hetimi është një detyrim madhor moral ndaj shpirtrave të atyre që nuk janë më, familjarëve të tyre dhe të gjithë komunitetit. Por, nga ana tjetër, ju jeni dëshmitarë të veprimit më energjik të parë ndonjëherë në Shqipëri, në radhë të parë nga autoritetet vendore, së pari nga kryetari i bashkisë, i cili e përballoi me ndershmëri, dashuri, dhimbshuri dhe fuqi menaxhuese të admirueshme dhe u shndërrua këtu në një shtyllë kryesore tuajën dhe të qeverisë në zgjidhjen e problemeve.

Natyrisht, unë dhe qeveria kemi bërë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë përgjigjen më energjike pasojave të kësaj tragjedie të tmerrshme, rikuperimit sa më shpejt dhe zvogëlimit sa më madh të tyre. Sot, zona po rindërtohet dhe ne nuk do të ndërpresim mbështetjen e fuqishme, derisa të vendoset dhe tulla e fundit, derisa të rindërtohet rruga dhe rrugica e fundit në këtë zonë.

Ne qëndrojmë fuqishëm prapa jush. Në tërësi është bërë zgjidhja kompensimi më i gjerë i mundshëm, por duke thënë këtë jam i bindur se ka edhe zemërthyer nga gabimet që mund të jenë bërë. Jam i bindur se ka probleme, të cilat duhet të trajtohen një e nga një. Ndaj dhe i garantoj të gjithë banorët e bashkisë Vorë se në asnjë moment nuk do të jeni jashtë fokusit të qeverisë. Qeveria do të finalizojë të gjithë projektin e rehabilitimit dhe rindërtimit të plotë të kësaj zone dhe më pas të inkurajimit të madh të biznesit në të.

Edhe një herë, përshëndes të gjithë qytetarët e Vorës. Do të vij sërish këtu për të inauguruar ujësjellësin, qendrën, rrugët e Marqinetit, të Gërdecit dhe të gjithë infrastrukturën e kësaj zone.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›