Greqia mbështet fuqishëm integrimin Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE
- Papandreu, Berisha dhe Gruevski angazhohen për shndërrimin e Parkut të Prespës në shembull të suksesit të politikave mjedisore dhe destinacion turistik për mbarë rajonin e më gjerë, si dhe të punojnë së bashku për një zhvillim të qëndrueshëm në përputhje me politikat për ruajtjen e mjedisit
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në takimin e tre Kryeministrave, të Shqipërisë, të Greqisë dhe të Maqedonisë, i cili u zhvillua me iniciativën e Kryeministrit grek z. Papandreu në qytezën Pyli, buzë liqenit të Prespës, në Bashkinë e Prespës, në Greqi, takim i cili kishte për qëllim promovimin e përpjekjeve të përbashkëta në fushën e ruajtjes mjedisit për sa i përket Liqenit dhe Parkut të Prespës.
Kryeministri Papandreu, pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen të dy Kryeministrave, e vlerësoi këtë takim si një ngjarje shumë të rëndësishme, e cila tregon edhe njëherë vendosmërinë e të tre qeverive për çështjet e mbrojtjes së mjedisit dhe të ekosistemit, në një kohë ku sfida e ndryshimeve klimaterike është një çështje mbarë globale. Njëkohësisht, ky takim shërben edhe njëherë si tregues i marrëdhënieve shumë të mira e miqësore dhe i bashkëpunimit të tre vendeve në shërbim të paqes, zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, integrimit të mëtejshëm rajonal dhe integrimit të shpejtë të Shqipërisë dhe Maqedonisë, si dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në BE, në dobi të së mirës dhe progresit të tre vendeve dhe prosperitetit të qytetarëve të tyre.
Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Gruevski e falënderuan përzemërsisht Kryeministrin Papandreu për inicimin e këtij takimi, i cili zhvillohet në 10-të vjetorin e deklaratës së përbashkët të tre kryeministrave në 2 shkurt të vitit 2000 për Parkun e Prespës, si dhe ranë dakord me Kryeinistrin Papandreu se takimi i sotëm i shërben forcimit të marrëdhënieve shumë të mira miqësore mes tre vendeve dhe popujve fqinjë dhe miq, edhe është një kontribut më tepër në shërbim të forcimit të paqes, miqësisë dhe bashkëpunimit mes tre vendeve dhe popujve, por edhe mbarë rajonit.
Duke e falënderuar Kryeministrin Papandreu për nismën e qeverisë greke për të vendosur një afat përfundimtar kohor për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE deri në 2014, në përputhje me axhendën e Samitit të Selanikut, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Gruevski vlerësuan gjithashtu se takimi i sotëm, si një shembull i ndërveprimit dhe bashkëpunimit të ngushtë rajonal, do të sjellë një kontribut të ri në përshpejtimin e përpjekjeve të përbashkëta për integrimin e këtyre vendeve në BE. Kryeministri Papandreu i siguroi dy Kryeministrat se Greqia do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm përpjekjet e dy vendeve fqinjë për integrim sa më të shpejtë në BE.
Në vijim të nismës së ndërmarrë në vitin 2000 për mbrojtjen e ekosistemit të Liqenit dhe Parkut të Prespës, të tre kryeministrat, duke i vlerësuar veçoritë e ekosistemit të Liqenit dhe Parkut të Prespës si unik në rajon, shprehën vendosmërinë e të tre qeverive për të bashkëpunuar ngushtësisht për mbrojtjen e mjedisit dhe vlerave të veçanta të këtij parku, si dhe promovimin e politikave “të gjelbra” miqësore ndaj mjedisit, si prioritet të punës së këtyre tre qeverive.
Për këtë qëllim tre Kryeministrat ranë dakord dhe nënshkruan një deklaratë të përbashkët për mbrojtjen e Parkut të Prespës dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të tij, duke u angazhuar njëkohësisht që ta kthejë këtë rajon në një shembull mbarë botëror për bashkëpunimin fushën e mjedisit, por edhe për të bërë çdo përpjekje për të promovuar zhvillimin e zonave që kufizohen nga ky park në të tre vendet dhe nxitjen e turizmit lokal dhe ndërkombëtare për shfrytëzuar potencialet e jashtëzakonshme natyrore që ky park ofron.
Të tre Kryeministrat ranë dakord që një kopje e deklaratës së përbashkët dhe angazhimi i marrë sot prej tyre t’u dërgohet si një gjest simbolik në vigjilje të Samitit mbi Ndryshimet klimaterike të Kopenhagenit, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Z. Ban Ki Mun, Komisionit Evropian dhe Presidencës së radhës së BE-së, si dhe Kryeministrit mikpritës të Danimarkës. Ne deklaratë e tyre të tre Kryeministrat ranë dakord që në shkurtin e ardhshëm, në Ditën Ndërkombëtare të Pasurive Ujore të nënshkruhet Marrëveshja e Përbashkët e të tre vendeve dhe Komisionit Evropian si pale e katërt për “Mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës së Parkut të Prespës” për të vënë në jetë objektivat e deklaratës së vitit 2000 dhe kësaj deklarate për parkun natyral të Prespës.
Të tre kryeministrat u angazhuan për të vazhduar bashkëpunimi e ngushtë mes tre vendeve, por edhe më gjerë në rajon, për të zhvilluar edhe më tej bashkëpunimin ekonomik, në infrastrukturë, të energjisë së gjelbër, në bujqësi dhe për të punuar ngushtësisht së bashku për të promovuar edhe më tej integrimin rajonal dhe ecurinë përpara të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt projektit të integrimit evropian në përputhje me frymën dhe objektivat e axhendës së Selanikut.
Gjithashtu, të tre Kryeministrat ranë dakord të bashkëpunojnë për nxitjen e investimeve të ndërsjella dhe tërheqjen e investimeve nga BE, por edhe nga fonde të tjera, në fushën e politikave të ruajtjes së mjedisit dhe projekteve ‘të gjelbra’. 27/11/2009