Kryeministri grek Papandreu i jep Kryeministrit Berisha mbështetje të plotë për heqjen e vizave për shqiptarët

- Kryeministri Papandreu: Qeveria greke do të bëjë cdo gjë për njohjen e patentave shqiptare për emigrantët shqiptarë në Greqi
Kryeministri Berisha, pas takimit trelateral të zhvilluar në qytezën Pyli të Bashkisë së Prespës, në Greqi, me Kryeministrin grek z. Papandreu dhe Kryeministrin maqedonas z. Gruevski, zhvilloi një takim shumë të përzemërt dhe miqësor dypalësh me Kryeministrin e Greqisë z. Giorgos Papandreu.
Kryeministri Papandreu e uroi Kryeministrin Berisha për festën e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe festën e Kurban Bajramit.
Gjatë takimit, dy kryeministrat diskutuan gjerësisht për marrëdhëniet dypalëshe dhe shprehën vendosmërinë e tyre për provimin e mëtejshëm të tyre,si dhe për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen Kryeministrit Papandreu për mbështetjen dhe solidaritetin e jashtëzakonshëm që Greqia fqinje i tregoi Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare, duke mbështetur fuqishëm pranimin e shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE në mbledhjen e 16 nëntorit 2009 të ministrave të Jashtëm të Bashkimin Evropian, ku u vendos të pranohej shqyrtimi i kërkesës së Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe u ftua Komisioni për hapat e mëtejshëm.
Kryeministri Papandreu i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e tij të plotë dhe të qeverisë greke për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Dy kryeministrat ranë dakord të punojnë ngushtësisht së bashku për fuqizimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve, si dhe për të zgjeruar e thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat me interes të përbashkët, në veçanti bashkëpunimin në fushën ekonomike, në fushën e turizmit, në fushën e bujqësisë, nxitjen e investimeve greke në Shqipëri, etj.
Kryeministri Berisha i kërkoi homologut të tij grek, z. Papandreu, që qeveria e Greqisë të njohë Lejet e Drejtimit të Automjetit (patentat) shqiptare për emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, ç’ka do të ishte ndihmesë dhe kontribut i jashtëzakonshëm për të gjithë ata emigrantë shqiptarë që përdorin automjete për transport në jetën e tyre të përditshme në territorin grek.
Kryeministri Papandreou e siguroi Kryeministrin Berisha se do të bëjë çdo përpjekje që sa më shpejtë të hiqen burokracitë dhe të njihen patentat shqiptare për emigrantët që jetojnë në vendin fqinj, në Greqi.
Dy kryeministrat ranë dakord për të punuar ngushtësisht dhe për të forcuar më tej miqësinë dhe bashkëpunimit mes dy popujve. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e ftoi Kryeministrin Papandeou të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën Kryeministri Papandreou e pranoi me kënaqësi. Gjatë takimit, Kryeministri Papandreu i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të qeverisë së tij dhe të vendit fqinj, për përpjekjet e Shqipërisë për t’u integruar sa më shpejtë në familjen evropiane.
Në takim u vlerësua lart fakti që investitorët grek zënë vendin e parë për sa i përket investimeve të huaja direkte në Shqipëri dhe të dy Kryeministrat vlerësuan ecurinë dhe suksesin e investimeve të firmave serioze të kompanive të rëndësishme dhe prestigjioze greke në shumë fusha në Shqipëri. Kryeministri Papandreu e siguroi Kryeministrit Berisha se do të bëjë çdo përpjekje për të nxitur investitorët grekë që të vijnë në Shqipëri për të investuar dhe për të zgjeruar investimet e tyre në fusha të rëndësishme si turizmi, bujqësia, etj.27/11/2009