E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përuron rrugën Kozarë-Kuçovë

TIRANË - Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të rikonstruksionit të rrugës Kozare-Kuçovë, një financim i Qeverisë Shqiptare, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Evropiane të Investimeve, me vlerë 163 milionë lekë.

Rruga Kozarë-Kuçovë, 3.82 kilometra, lidh qendrën e komunës Kozarë, me qytetin e Kuçovës. Ky investim është pjesë e një ndërhyrjeje të integruar që Fondi Shqiptar i Zhvillimit po kryen në kuadër të strategjisë rajonale të zhvillimit në qarkun e Beratit.

Kryeministri Berisha informoi banorët se fillojnë gjithashtu, punimet në dy segmentet shtesë që ka kërkuar komuniteti i zonës: rikonstruksioni i hyrjes së qytetit të Kuçovës, si dhe rikonstruksioni i aksit Polovinë-Drizë, i cili do të lidhë komunën Perondi me rrugën Kozare-Kuçovë.

"Ne i mbajmë fjalët tona dhe i bëjmë ato realitet. Ne premtuam vite më parë se do të dyfishojmë pensionet e fshatit. Ne i kemi dyfishuar ato dhe do të vazhdojmë t’i rrisim. Ne premtuam se do të subvencionojmë projektet. Katër vitet që shkuan ne kemi subvencionuar 42 mijë projekte në fshat. Ne premtuam se do t’ju ndërtojmë ju infrastrukturën rrugore të njëjtë me lagjet e qyteteve. Ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 8 mijë kilometra rrugë rurale. Ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo kilometër rrugë rurale që ka mbetur për t’u ndërtuar. Në katër vitet që vijnë ne do të ndërtojmë në Kozarë, në Berat dhe kudo në Shqipëri rrjetin e ujitjes më modern që ekziston sot në ndonjë vend"- u shpreh Kryeministri.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›