Kryeministri Berisha, politikani i parë shqiptar i ftuar në emisionin prestigjioz të BBC-së, “Hard Talk”

Kryeministri Berisha është politikani i parë shqiptar i ftuar në studion e BBC VVorld Service, në emisionin “HARDtalk” (Bisedë e vështirë), emisioni më i shikuar dhe prestigjioz i BBC-së në botë.
Në 25 minutat e emisionin “HARDtalk”, Kryeministri Berisha iu përgjigj pyetjeve të gazetares së njohur të BBC-së, Sara Montague për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, luftën kundër korrupsionit, për zhvillimet në rajon, aksidentin e Gërdecit dhe projektin e Shqipërisë për anëtarësimin e plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian .
Gazetarja Sarah Montague në hyrje të kësaj interviste shprehet; Shqipëria sapo ka marrë ftesën e anëtarësimit në NATO. Kryeministri i Shqipërisë e përshkruan atë si evenimentin më të madh politik të dy dekadave të fundit. Ai thotë se vendi që doli nga epoka e bunkerëve, telave me gjemba dhe kampeve të përqendrimit, tani është vendi i demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë. Megjithatë, vendi ka ende probleme me korrupsionin dhe ende nuk ka mbajtur zgjedhje të gjykuara tërësisht si të lira dhe të ndershme. Kryeministri i Shqipërisë, Z. Sali Berisha është i ftuari im sonte.
Sarah Montague: Zoti Sali Berisha mirë se erdhët në “Hard Talk”!
Kryeministri Berisha: Faleminderit. Jam shumë i kënaqur që jam këtu sot.
Sarah Montague: Pse është i rëndësishëm për Shqipërinë anëtarësimi në NATO ?
Kryeministri Berisha: Mendoj se kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë për shumë arsye. Së pari, pas shumë shekujsh kombi im rikthehet në familjen, të cilës i përket.
Së dyti NATO ka provuar se është mburoja e lirive në hapësirën e saj. Anëtarësimi në NATO do të thotë të kesh strehën më të mirë për liritë në të gjitha kohërat. Imagjinoni një komb si Shqipëria, me të cilën për shekuj me radhë historia u soll si njerkë. Historia e kombit tim është historia e mbijetesës, që do të thotë e ardhme. Tani Shqipëria është e lirë, dhe të kesh një mburojë për liritë e saj do të thotë të ndërtosh të ardhmen. Por, NATO do të thotë më shumë për rajonin sepse ishte NATO ajo që u dha fund konflikteve në Ballkan. Jam i sigurt se pa NATO-n, luftërat do të shtriheshin më gjerë se sa rajoni i Ballkanit.
Sarah Montague: Shqipëria e mori ftesën e anëtarësimit në NATO, por Maqedonia nuk arriti. Ju e keni përshkruar këtë si një problem shumë serioz. Ju e dini që tani Maqedonia do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Çfarë do të thotë kjo për Maqedoninë ?
Kryeministri Berisha: Mendoj se Maqedonia ka ndërmarrë reforma të thella. Ajo kishte një çështje specifike për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit. Unë besoj se kjo çështje duhet të zgjidhet dhe është një interes jetik për Maqedoninë, që të marrë ftesën dhe të jetë anëtare e NATO-s.