Kryeministri Berisha pret zv/ministrin e Jashtëm të Greqisë, zotin Theodore Kassimis
Kryeministri Berisha prit sot pasdite në një takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, zotin Theodore Kassimis.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu z. Kassimis falënderime të përzemërta për përkrahjen dhe mbështetjen që Greqia i dha Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.
Kryeministri u shpreh se intensiteti i vizitave të personaliteteve të larta politike të vendit fqinj është një tregues më shumë i marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve, dhe se presim që këto vizita të ndiqen sa me shpejt nga vizita të Kryeministrit Kostas Karamanlis dhe Presidentit Karolios Papulias.
Kryeministri Berisha vlerësoi me kënaqësi progresin e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve duke e falënderuar zv.Ministrin e jashtëm Kassimis për ndihmën e gjithanshme të qeverisë greke, veçanërisht në ndërtimin e infrastrukturave të rëndësishme siç është segmenti rrugor Sarandë- Konispol.
Zoti Kassimis e uroi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për ftesën që Shqipëria mori për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit dhe e siguroi se Greqia do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë për integrim sa më të shpejtë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ai theksoi se raportet shumë të mira miqësore ndërmjet Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit Karamanlis i kanë dhënë një hov të ri marrëdhënieve ndërmjet qeverive të dy vendeve tona.
Të dy personalitetet e shprehën se Shqipëria dhe Greqia kanë një të ardhme të përbashkët në NATO dhe BE, dhe për këtë arsye nevojitet te vazhdoje bashkëpunimi i ngushtë. Greqia pritet te ratifikojë së shpejti MSA-në. Në vazhdim, dy personalitetet u shprehën për intensifikimin e vizitave, shkëmbimeve midis dy vendeve si dhe aktivizimin e Komisioneve Parlamentare të Miqësisë.
Kryeministri Berisha dhe z.Kassimis diskutuan edhe mbi zhvillimet në rajon, në veçanti për situatën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe të ardhmen evropiane të rajonit.