E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha premton ringritjen në nivelin e kërkuar të institucioneve që lëvrojnë komedinë

“Humori dhe satira kanë rënë viktima të betonizimit...”

“Në memorien e qytetarëve mbahen mend artistë të shkëlqyer e të dashur në interpretimin e këtyre veprave, por atyre iu zhduk skena nga pallatet”.
Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, duke garantuar të gjithë aktorët e humorit dhe satirës se qeveria do të mundësojë ringritjen e Teatrit Kombëtar të Humorit dhe Satirës, një kërkesë e hershme kjo e estradës së humorit. Kreu i qeverisë kërkoi nga ministri i Kulturës marrjen përsipër të kësaj nisme dhe zhvillimin e këtij zhanri të dashur për qytetarët, por të lënë në harresë në kohë.
Duke e sjellë në vëmendjen e qeverisë dhe të publikut, përmes medias së pranishme gjatë prezantimit të rendit të ditës së mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha theksoi se në vend që ai që quhej teatri i estradës të lartësohej në një teatër komedie dhe satire, sot nuk funksionon më, ndonëse në memorien e qytetarëve mbahen mend artistë të shkëlqyer e të dashur në interpretimin e këtyre veprave, por atyre iu zhduk skena.
“Gjatë këtyre 20 viteve, kultura dhe artet në Shqipëri kanë një shpërthim të pakrahasueshëm. Gjatë kësaj periudhe, janë zhvilluar zhanre të reja, të cilat më parë konsideroheshin heretike apo skajoheshin me të gjitha mjetet. Letrat shqipe kanë njohur hapësira të reja, por edhe talente. Po ashtu piktura dhe kënga shqiptare është përfaqësuar me dinjitet të madh në të gjitha ekspozitat dhe skenat botërore. Por ka një fushë, fati i së cilës është i dhimbshëm dhe kjo fushë është komedia dhe satira shqiptare. Në fondin e letërsisë shqiptare, që nga Rilindja e gjer në sot, këto kanë qenë fusha të lëvruara. Në letërsinë shqipe ka kryevepra të komedisë dhe satirës. Në memorien e qytetarëve mbahen mend artistë të shkëlqyer e të dashur në interpretimin e këtyre veprave, por atyre iu zhduk skena. Në vend që ai që quhej teatri i estradës të lartësohej në një teatër komedie dhe satire, nuk funksionon më. Siç duket e ‘hëngrën’ pallatet edhe atë. Imagjinoni që betoni të viktimizojë humorin dhe satirën e një kombi, se çfarë goditje të rëndë i japin atij. Goditje shumë të hidhur. Këto janë gjini të pazëvendësueshme në krijimtarinë e një populli. Por, në qoftë se nuk kanë ku të shprehen, natyrisht, edhe krijuesit nuk kanë stimulin e duhur për t’i lëvruar më tej ato”, u shpreh kryeministri Berisha.
Shefi i ekzekutivit tha se qeveria do të investojë ngritjen e teatrit të komedisë, krahas suportit që po jep për Opera dhe Teatrin Kombëtar.
“Zoti ministër, të gjendet salla, t’i jepet një karakter kombëtar teatrit dhe jo lokal, pasi nëse do t’i jepnim karakter lokal sërish do ta ‘hante’ betoni dhe të përcaktohen stimuj, në mënyrë që të rindërtohet ai, pasi, faktikisht, përveçse përpjekjeve të disa televizioneve që janë për t’u lavdëruar, ndonëse edhe ata nuk i lënë mesazhet, ekrani nuk e zëvendëson skenën. Edhe pse televizionet thonë ‘dal vivo’, e vërteta është se ‘dal vivo’ është në skenë. Sot, nuk dihet se ku ndodhen artistë të mrekullueshëm. Prej tyre, disa kanë emigruar për kafshatën e gojës. Ne duhet të ringremë Teatrin Kombëtar”, u shpreh më tej, kreu i qeverisë Berisha

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›